Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror (KANS), ka nënshkruar një kontratë në vlerë prej 598,520 euro për furnizimin, instalimin dhe vënien në operim të sistemit AMHS (Air Traffic Services Message Handling System) – një teknologji e re për komunikim dhe menaxhim të trafikut ajror pwr Aeroportin Ndërkombëtar të Kosovës “Adem Jashari”, shkruan Kujdestari.info.
Kontrata është lidhur me kompaninë IDS AirNav S.r.l., me seli në Romë, Itali, e cila është pjesë e grupit shtetëror italian ENAV S.p.A., një nga operatorët më të njohur në Evropë në fushën e menaxhimit të trafikut ajror. Kjo kompani ka realizuar kontrata të ngjashme në disa vende të botës, përfshirë Zambinë, Fidzhin dhe Rumaninë.


Sipas dokumentacionit të publikuar në platformën e prokurimit publik, tenderi parashihte: “Supply, installation and operation of the AMHS system, as well as integration of existing systems with the new AMHS system.”

Ky sistem do të zëvendësojë infrastrukturën e vjetër të komunikimit ajror, të njohur si AFTN (Aeronautical Fixed Telecommunication Network), duke mundësuar transmetimin më të shpejtë dhe më të sigurt të mesazheve ndërmjet qendrave të kontrollit ajror, aeroporteve dhe agjencive ndërkombëtare të aviacionit.
AMHS është një standard i rekomanduar nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO), që përdoret për shkëmbimin e mesazheve operacionale, si planet e fluturimeve, njoftimet për ndryshime në hapësirën ajrore (NOTAM), dhe të dhëna të tjera teknike që lidhen me trafikun ajror.
Çmimi në kontekst ndërkombëtar
Vlera e kontratës, rreth 600 mijë euro, duket e përshtatshme në krahasim me marrëveshje të ngjashme në vende të tjera. Në vitin 2022, kompania e njëjtë (IDS AirNav) kishte fituar një tender në Ishujt Fidzhi në vlerë rreth 720 mijë euro, ndërsa në Zambi kontrata përfshinte investim mbi 1.9 milion dollarë amerikanë.
Në këtë kuptim, shifra e paguar nga KANS për sistemin e ri të Kosovës nuk është më e lartë se mesatarja ndërkombëtare, madje mund të konsiderohet në anën e ulët të çmimeve për këtë lloj teknologjie.
Megjithatë, dokumentacioni publik nuk jep shumë detaje rreth shtrirjes teknike të projektit. Pra, nëse përfshihen edhe trajnime për stafin, mirëmbajtja shumëvjeçare apo integrimi me sistemet ekzistuese të Aeroportit të Prishtinës dhe të Qendrës së Kontrollit të Fluturimeve.
IDS AirNav është kompani italiane që ofron sisteme të navigacionit dhe komunikimit ajror në më shumë se 100 shtete. Ajo është filial i ENAV S.p.A., që menaxhon hapësirën ajrore të Italisë.
Ky sistem pritet të modernizojë komunikimin ajror të Kosovës dhe ta përafrojë atë me standardet e vendeve të Bashkimit Evropian. Instalimi i AMHS pritet të lehtësojë lidhjen e drejtpërdrejtë të Kosovës me rrjetet ndërkombëtare të trafikut ajror, pa pasur nevojë për ndërmjetësim nga qendrat e tjera rajonale. /Kujdestari.info/