Një kompani e diskualifikuar nga pjesëmarrja në prokurimin publik ka arritur të nënshkruajë tri kontrata me institucione publike gjatë periudhës kur nuk kishte të drejtë të merrte pjesë në tenderë, shkruan Kujdestari.info.
Rasti është identifikuar nga Demokraci Plus gjatë monitorimit të funksionimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit dhe nxjerr në pah një boshllëk serioz në sistemin elektronik të prokurimit.
Bëhet fjalë për kompaninë Pronet Academy Sh.P.K., e cila ishte diskualifikuar nga OShP për tetë muaj.
Pavarësisht këtij vendimi, kompania arriti të nënshkruante tri kontrata publike gjatë periudhës së përjashtimit.
E para ishte kontratë për shërbime të përkthimit me Komunën e Graçanicës, në vlerë prej 15 mijë eurosh.
E dyta ishte një projekt marketingu me Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, në vlerë prej 4 mijë e 655 eurosh.
Kontrata e tretë, në vlerë prej 4 mijë e 749 eurosh, ishte lidhur me Komunën e Lipjanit për shërbime të akomodimit.
Por edhe mënyra se si u zbulua rasti është domethënëse.
Sipas raportit, pas evidentimit të kontratave dhe njoftimit të autoriteteve kontraktuese nga D+, dy kontratat e para janë ndërprerë. Kontrata e tretë tashmë kishte përfunduar në momentin kur shkelja ishte identifikuar.
Problemi, sipas hulumtimit, qëndron te fakti se vendimet për diskualifikim nuk pasqyrohen automatikisht në platformën e prokurimit elektronik.
Kështu, edhe kur OShP merr vendim për përjashtimin e një kompanie, sistemi nuk e bllokon automatikisht atë.
Verifikimi mbetet në dorën e autoriteteve kontraktuese dhe bëhet manualisht.
D+ paralajmëron se kjo krijon mundësi që kompanitë e diskualifikuara të vazhdojnë të marrin pjesë në procedura dhe madje të fitojnë kontrata gjatë periudhës së ndalimit. /Kujdestari.info/