E martë, 19 Gusht, 2025

Ish-kandidati për deputet nga LDK del fitues në një tjetër tender në kryeqytet, dyshime për konflikt interesi

Ndaj

Ish-kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besim Mulaj, vijon aktivitetin e tij në skenën publike, por jo në Kuvend. Pas garës elektorale ku nuk siguroi ulëse, ai tani ka zgjedhur rrugën e kontratave publike në kryeqytet. Së fundmi, Mulaj është shpallur fitues në një tender për renovimin e shkollës fillore “Qamil Batalli” në Prishtinë, por ky kontraktim ngre dyshime serioze për konflikt interesi dhe shkelje të procedurave ligjore, shkruan Demokracia.com.

Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka shpallur fituesin e tenderit për “RENOVIMI I SHKOLLAVE FILLORË – Mbulimi i kulmit të rrafshët, renovimi i mureve të dëmtuara dhe riparimi i dyshemesë të shkollës ‘Qamil Batalli’”. Për këtë tender kanë konkurruar 4 operatorë, ndërsa fitues ka dalë grupi me çmimin e katërt më të shtrenjtë, “Art-Eda” sh.p.k. dhe “H&S Partners Group” sh.p.k., në vlerë 79,898.98 euro.

Fituesi i kontratës, rekomanduar nga grupi i kompanive lider, “Art-Eda” sh.p.k., ka për pronar Besim Mulaj me 100 për qind të aksioneve. Ai ka qenë kandidat për deputet me LDK-në në zgjedhjet parlamentare, por nuk ka arritur të fitojë. Ai vjen nga Istogu, ashtu si edhe nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj, por asnjëri prej tyre nuk ka mundur të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për të qenë deputet.

Vetëm para pak ditësh, Demokracia.com raportoi se Zyra e Prokurimit të Komunës së Prishtinës ka shpallur fituesin e tenderit për “Ndërtimin dhe Renovimin e Qendrave të Ndryshme Sociale në lagjet Kodra e Trimave, Tophane, Qafa, Aktashi, Pejtoni, Ulpiana”. Fitues ka dalë konsorciumi me kompaninë lider “Art-Eda” sh.p.k. dhe “H&S Partners Group” sh.p.k., me një vlerë prej 19,667.73 euro, të caktuar në bazë të pikëve të përfituara me poentim.

Dyshime për konflikt interesi dhe shkelje ligjore

Derisa kjo kontratë është nënshkruar, tenderi për RENOVIMIN E SHKOLLAVE FILLORË – Mbulimi i kulmit të rrafshët, renovimi i mureve të dëmtuara dhe riparimi i dyshemesë të shkollës “Qamil Batalli” ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit nën dyshimin se kompania nuk ka plotësuar kriteret. Për më tepër, pronari i kompanisë lider të konsorciumit, Besim Mulaj, dyshohet se mund të jetë në konflikt interesi në këtë rast.

Kompania “ALBI COMPANY” SH.P.K, një nga operatorët ekonomikë pjesëmarrës në tenderin për renovimin e shkollës fillore “Qamil Batalli”, ka dorëzuar një ankesë zyrtare ndaj vendimit të Komunës për dhënien e kontratës një grupi tjetër operatorësh, të cilët sipas tyre nuk plotësojnë kushtet ligjore dhe kanë përfshirë praktikë të dyshimtë në realizimin e këtij procesi.

Në ankesën e dorëzuar, kompania “ALBI COMPANY” përmend disa prej shkeljeve që sipas saj kanë ndodhur gjatë prokurimit. Një nga pikat kryesore është përdorimi nga fituesi i tenderit të stafit teknik të kompanisë LONI SHPK, e cila ka kontrata aktive me Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës (AMKMK), ku Drejtori i Prokurimit, z. Besim Mulaj, figuron gjithashtu si pronar ose i lidhur direkt me këtë kompani. Kjo sipas ankesës përbën një konflikt të qartë interesi dhe cenim të barazisë në garë.

“Sipas Certifikatës së regjistrimit në ARBK konstatohet se Besim Mulaj është pronar i kompanisë. Z. Mulaj është drejtor i Prokurimit në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memorialeve të Kosovës (AMKMK). Sipas dokumenteve të dorëzuara nga grupi i operatorëve ekonomikë (GR OE) që është shpallur fitues i këtij aktiviteti, ne si operator ekonomik ankues kemi hasur se i njëjti GR OE ka përdorur dokumentat e stafit profesional, teknik dhe mbështetës të kompanisë LONI sh.p.k. Sipas CV-ve dhe referencave të tyre, përshkruhet se këta persona janë të punësuar aktivisht tek OE LONI sh.p.k., si: z. Musli Kuteshi – inxhinier i ndërtimtarisë konstruktiv; Emir Bunjaku, inxhinier arkitekture; z. Mirsim Maloku – bachelor i emergjencave; Shemsi Maloku – teknik i ndërtimtarisë; Arsim Maloku – zdrukthtar; Ferat Maloku – armues; Ragip Latifi – mjeshtër; dhe Vehbi Jetullahu – armues. Ne si operator ekonomik konsiderojmë konflikt interesi nëse i njëjti staf i lartpërmendur është përgjegjës për ekzekutimin e kontratave që OE Loni sh.p.k. i ka aktive me AK-se AMKMK, ku drejtor i prokurimit është z. Mulaj. Nëse vërtetohet kjo, ku kërkojmë që të vërtetohet, se OE Loni sh.p.k. posedon kontrata aktive me AK-se AMKMK dhe nëse OE Loni sh.p.k. e angazhon të njëjtën staf për ekzekutimin e kontratave aktive me AMKMK, atëherë është e paarsyeshme të vazhdojmë më tej përveçse të angazhojmë nga AK-se KK Prishtinë dhe OSHP – Policinë e Krimeve Ekonomike për hetim. Si operator ekonomik kemi kërkuar nga ana juaj, si Zyrë e Prokurimit, që të kërkoni në KRPP ose në AMKMK nëse OE Loni sh.p.k. Prishtinë ka kontrata aktive me AMKMK, dhe nëse po, sa kontrata aktive posedon, dhe a është i njëjti staf i angazhuar në këto kontrata, pasi sipas referencave të këtyre të punësuarve rezulton se OE Loni ka qenë gjithmonë operator kontraktues me AMKMK, ku z. Mulaj është drejtor i prokurimit”, thuhet në ankesë.

Po ashtu, sipas dokumenteve të ankuesit, një nga inxhinierët kyç të grupit fitues, Emir Bunjaku, është i punësuar aktiv në një ndërmarrje publike e cila është pronë e Komunës së Prishtinës. Angazhimi i tij nga ana e kompanisë fituese për tenderin e Komunës konsiderohet nga ankuesi si shkelje e rregullave të prokurimit dhe konflikt interesi.

Kompania “ALBI COMPANY” ngre dyshime edhe lidhur me dokumentacionin teknik të dorëzuar nga fituesi i tenderit. Marrëveshjet për qira të mjeteve dhe paisjeve të përdorura për projektin janë pa specifikime të qarta për paisjet që kontraktohen, duke mos përmbushur kështu kriteret e kërkuara në tender. Për më tepër, disa nga paisjet e paraqitura nuk i përmbushin parametrat teknikë të kërkuar, si peshën e nevojshme për punën në terren.

Nga ana tjetër, ankuesi argumenton se certifikatat e trajnimeve të inxhinierëve të tyre për hidroizolim janë të vlefshme dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare, ndërsa autoriteti kontraktues ka bërë ndryshime të paarsyeshme gjatë vlerësimit të dokumenteve të fituesit.

Kompania ankues ka shkruar në ankesë se ka paraqitur edhe kërkesë për rishqyrtim të vendimit të Komunës, por kjo është refuzuar pa dhënë përgjigje ndaj argumenteve të parashtruara, duke theksuar se kërkesa është bërë nga një operator pa interes.

Sipas nenit 118 të Ligjit për Prokurim Publik, nëse ankesa aprovohet, operatori ekonomik ka të drejtë të marrë tarifën e depozituar dhe të kërkojë dëmshpërblim. Në rast të konstatimit të pretendimeve të rreme, OSHP mund të vendosë edhe gjoba shtesë.

Besim Mulaj gjithashtu udhëheq Divizionin e Prokurimit në Agjencinë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës dhe është përfshirë në Organin Shqyrtues të Prokurimit si ekspert i jashtëm që nga viti 2022.

Në deklaratën e tij të pasurisë, ai tregon se është pronar i 100% të aksioneve në kompaninë Art-Eda Sh.p.k.

Lexo më shumë

Të tjera