E shtunë, 14 Mars, 2026

Inspektorati ndalon mbi 38 mijë copë lodra për fëmijë, në vlerë rrerh 100 mijë euro

Ndaj

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka zhvilluar një aksion të gjerë të mbikëqyrjes dhe inspektimit të lodrave për fëmijë, me qëllim garantimin e sigurisë së produkteve që vendosen në tregun e brendshëm dhe mbrojtjen e konsumatorëve, me fokus të veçantë në sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve, shkruan Kujdestari.info.

Në kuadër të këtij aksioni janë realizuar kontrolle të shtuara si në tregun e brendshëm ashtu edhe në zonat doganore, për të parandaluar hyrjen dhe qarkullimin e lodrave, që nuk përmbushin standardet e kërkuara të sigurisë të parapara në Rregulloren Nr. 02/2017 për Sigurinë e Lodrave.

Si rezultat i inspektimeve të kryera në zonat doganore, janë ndaluar mbi 38,000 copë lodra për fëmijë, në vlerë prej afro 100,000 €, të cilat nuk kanë përmbushur kërkesat ligjore për sigurinë e produkteve dhe nuk kanë poseduar dokumentacionin përkatës për vendosje në tregun e brendshëm.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve në tregun e brendshëm, janë sekuestruar mbi 2,547 copë lodra për fëmijë,  për të cilat është konstatuar se nuk i përmbushnin standardet e sigurisë.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut thekson se siguria e konsumatorëve, e në veçanti e fëmijëve, mbetet prioritet i pandashëm.

Përmes këtyre aksioneve synohet që në treg të gjenden produkte të sigurta dhe në përputhje me standardet ligjore, duke kontribuar kështu në mbrojtjen e shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aksione të tilla edhe në të ardhmen, duke ftuar njëkohësisht operatorët ekonomikë të respektojnë plotësisht kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë për produktet që i vendosin në treg.

Lexo më shumë

Të tjera