Mbi 114 milionë euro është vlera e kontratave të analizuara ku institucionet publike kanë përdorur kriterin e tenderit ekonomikisht më të favorshëm (TEMF) gjatë vitit 2025. Megjithëse përdorimi i këtij kriteri është rritur, Iniciativa për Progres (INPO) vlerëson se në një pjesë të rasteve ai vazhdon të përdoret më shumë formalisht sesa si instrument për të siguruar raportin më të mirë ndërmjet çmimit dhe cilësisë.
Ligji për Prokurimin Publik parasheh dy kritere për dhënien e kontratave: çmimin më të ulët dhe tenderin ekonomikisht më të favorshëm (TEMF).
Për dallim nga kriteri i çmimit më të ulët, TEMF u mundëson autoriteteve kontraktuese që gjatë vlerësimit të ofertave të marrin parasysh edhe cilësinë, kostot e operimit dhe mirëmbajtjes, karakteristikat funksionale e teknike dhe elemente të tjera që lidhen me objektin e kontratës.
Përdorimi më i madh i këtij kriteri është përfshirë edhe në Agjendën e Reformave të Qeverisë së Kosovës në kuadër të menaxhimit të financave publike. Synimi është që raporti më i mirë çmim–cilësi përmes TEMF-it të përdoret në së paku 10 për qind të kontratave me vlerë të madhe deri në vitin 2027.
Por një monitorim i publikuar nga INPO për vitin 2025 ngre pikëpyetje nëse rritja numerike e përdorimit të këtij kriteri po përkthehet edhe në vlerë më të mirë për paranë publike.
244 kontrata me TEMF
Sipas monitorimit të INPO-s, gjatë vitit 2025 kriteri TEMF është përdorur në rreth 12 për qind të kontratave të lidhura.
Në total janë identifikuar 244 kontrata, të realizuara nga 56 autoritete kontraktuese.
Por INPO thekson se vetëm numri i kontratave nuk mjafton për të konstatuar rritje të efikasitetit në prokurimin publik.
Nga 244 kontratat e identifikuara, 116 kanë qenë kontrata të konsulencës individuale, ndërsa vetëm 128 u përkasin kategorive të tjera të prokurimit.
Sipas organizatës, përqendrimi i një pjese të madhe të përdorimit të TEMF-it në një kategori të vetme nënkupton se rritja e numrit të kontratave nuk dëshmon domosdoshmërisht një ndryshim të gjerë në mënyrën se si zhvillohen prokurimet.
128 kontrata, afro 115 milionë euro
INPO ka analizuar 128 kontratat jashtë kategorisë së konsulencës individuale, vlera e përgjithshme e të cilave arrin në 114.89 milionë euro.
Prej tyre, 57 janë kontrata me vlerë të madhe, 58 me vlerë të mesme dhe 13 me vlerë të ulët.
Pjesa dërrmuese e parave është e përqendruar pikërisht te kontratat e mëdha.
Sipas të dhënave të publikuara, mbi 106.9 milionë euro nga 114.89 milionët e analizuara u përkasin kontratave me vlerë të madhe.
Për INPO-n, kjo e bën edhe më të rëndësishme mënyrën se si zbatohet kriteri TEMF, pasi bëhet fjalë për kontratat ku ekspozimi i parasë publike është më i lartë.
98.3 milionë euro vetëm në kontrata për punë
Një përqendrim i madh vërehet edhe kur kontratat ndahen sipas llojit.
Nga 128 kontratat e analizuara, 62 janë kontrata për punë, vlera e të cilave arrin në 98.3 milionë euro.
Ndërkohë, 49 kontrata për shërbime kanë vlerë të përgjithshme prej rreth 12.95 milionë eurosh.
Kjo nënkupton se pjesa më e madhe e parave të kontraktuara përmes kriterit TEMF në këtë grup kontratash është përqendruar te punët.
Mbi 111 milionë euro përmes procedurës së hapur
Të dhënat e INPO-s tregojnë se 98 nga 128 kontratat janë realizuar përmes procedurës së hapur.
Vlera e tyre kalon 111.3 milionë euro.
Organizata e konsideron dominimin e procedurës së hapur pozitiv nga perspektiva e konkurrencës formale, por paralajmëron se vetëm zhvillimi i një procedure të hapur nuk garanton domosdoshmërisht vlerë për para.
Sipas INPO-s, rëndësi ka mënyra se si autoritetet kontraktuese i përcaktojnë dhe peshojnë kriteret e cilësisë dhe nëse ato ndikojnë realisht në përzgjedhjen e ofertës fituese.
INPO: TEMF në disa raste po përdoret vetëm formalisht
Pikërisht këtu monitorimi evidenton problemin kryesor.
INPO thotë se në një pjesë të rasteve të analizuara TEMF vazhdon të përdoret më shumë formalisht sesa substancialisht.
Sipas organizatës, kriteret shpesh reduktohen në çmim dhe në një numër të kufizuar elementesh teknike.
Në anën tjetër, faktorë që do të mund të ndikonin drejtpërdrejt në vlerën që qytetarët marrin për paranë publike – si cilësia, performanca, kostot gjatë ciklit jetësor dhe mirëmbajtja – vazhdojnë të kenë përdorim të kufizuar.
Për këtë arsye, INPO argumenton se shifra prej 12 për qind e përdorimit të TEMF-it nuk duhet të interpretohet automatikisht si 12 për qind progres në efikasitetin e prokurimit publik.
Sipas organizatës, progresi duhet të matet edhe përmes cilësisë së kritereve, peshës që u jepet faktorëve të tjerë përveç çmimit dhe, në fund, rezultateve që kontratat prodhojnë për paranë publike.
“Sfida për institucionet nuk është vetëm të rrisin numrin e procedurave me TEMF, por ta shndërrojnë TEMF nga një kriter formal në një instrument real për vlerë për para, cilësi dhe efikasitet në prokurimin publik”, thuhet në publikimin e INPO-s.
Monitorimi, rrjedhimisht, tregon një rritje të përdorimit të tenderit ekonomikisht më të favorshëm, por INPO kërkon që vëmendja të zhvendoset nga numri i procedurave drejt mënyrës se si shpenzohen paratë dhe cilësisë që institucionet marrin në këmbim të tyre. /Kujdestari.info/
