Gjykatat në Kosovë po tregojnë një qasje gjithnjë e më të qartë në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale, duke reaguar ndaj rasteve kur kompanitë ndërkombëtare pretendojnë shkelje të markave të tyre tregtare në tregun vendor. Një rast i tillë është trajtuar së fundmi nga Gjykata Komerciale e Kosovës, e cila në një vendim të shkallës së dytë ka konfirmuar pjesën kryesore të aktgjykimit në favor të kompanisë gjermane “Mast-Jägermeister SE”, pasi u konstatua se dy kompani në Kosovë kishin importuar dhe vendosur në treg pijen alkoolike “Jägermeister” pa autorizimin e pronarit të markës, shkruan Kujdestari.info.
Gjykata Komerciale e Kosovës- Dhoma e Shkallës së Dytë ka lënë në fuqi pjesën më të madhe të aktgjykimit të shkallës së parë në një rast që lidhet me shkeljen e markës tregtare të njohur ndërkombëtare “Jägermeister”, duke konstatuar se dy kompani në Kosovë kanë importuar dhe vendosur në treg këtë pije alkoolike pa autorizimin e pronarit të markës.
Sipas vendimit, kompania “Infinnity XK” ka importuar pa autorizim rreth 1,800 shishe të kësaj pijeje, ndërsa kompania “B&M” ka importuar gjithsej 4,398 shishe gjatë periudhës 2019-2020. Gjykata ka vlerësuar se këto veprime përbëjnë shkelje të markës tregtare të regjistruar në Kosovë dhe cenim të të drejtave të pronësisë intelektuale të kompanisë gjermane.
Në vendimin e saj, gjykata ka obliguar kompaninë “B&M” që t’i paguajë paditësit shumën prej 2,090.40 euro në emër të fitimit të padrejtë të realizuar nga shitja e produkteve që bartin markën tregtare të paditësit, ndërsa gjithashtu ka ndaluar të dy kompanitë që në të ardhmen të ndërmarrin veprime që shkelin të drejtat e pronësisë intelektuale të kësaj marke.
Përveç kësaj, gjykata ka vendosur që aktgjykimi të publikohet në të paktën tre mediume në Kosovë dhe që të paditurit të mbulojnë shpenzimet e procedurës gjyqësore. Në fazën e ankesës, Gjykata Komerciale e shkallës së dytë ka ndryshuar vetëm pjesën që lidhet me shpenzimet e procedurës, duke i rritur ato në 2,327 euro që duhet t’i paguhen paditësit.
Gjykata ka theksuar se pronari i një marke tregtare gëzon të drejtë ekskluzive për përdorimin e saj dhe ka të drejtë të ndalojë palët e treta që pa autorizim të importojnë, ofrojnë për shitje ose vendosin në treg produkte që bartin atë markë. Sipas ligjit për markat tregtare, këto të drejta konsiderohen të drejta pronësore dhe mbrohen nga gjykata në rast të shkeljes. /Kujdestari.info/