E martë, 16 Dhjetor, 2025

Importi i veturave elektrike në rritje, qytetarët kërkojnë heqjen e doganës

Ndaj

Importi i veturave elektrike në Kosovë po shënon rritje të vazhdueshme, ndërsa qytetarët po kërkojnë heqjen e taksave doganore dhe subvencionim nga shteti për blerjen e këtyre automjeteve ekologjike. Kjo temë është trajtuar në emisionin e fundit “Shtylla”, prodhim i KosovaPress, ku janë prezantuar të dhëna zyrtare dhe opinione nga qytetarët, importues për trendin në rritje të automjeteve elektrike dhe ndikimin e tyre në mjedis dhe ekonomi.

Nga qeveria e Kosovës është kërkuar që të dimë pse vendi ynë është ende me doganë për veturat elektrike, porse të njëjtit nuk kanë dhënë detaje.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, vetëm gjatë vitit 2024 vlera e përgjithshme e importit të veturave elektrike dhe atyre hibride ka kapur shifrën mbi 114 milionë euro, ndërsa në periudhën janar–maj 2025, janë importuar 1 mijë e 539 vetura me një vlerë prej 56 milionë euro.

Shefi i analizës së riskut në Doganën e Kosovës, Visar Zakuti deklaron për KosovaPress se të gjitha veturat, përfshirë ato elektrike dhe hibride, i nënshtrohen taksave doganore. Sidoqoftë, për veturat hibride taksat janë më të ulëta.

Derisa, pronari i AutoNet, platforma online për blerje të veturave nga Evropa, Nexhdet Abazi thekson se pavarësisht interesimit të madh të qytetarëve për veturat elektrike, pjesëmarrja e tyre në import është ende minimale.

Abazi shton se mungesa e investimeve publike në infrastrukturën për vetura elektrike është gjithashtu një pengesë serioze për zhvillimin e tregut.

Derisa, qytetarët shprehen të bindur se përdorimi i veturave elektrike është një zgjidhje shumë më ekonomike dhe ekologjike. Ata kërkojnë që qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për të mbështetur blerjen e këtyre veturave.

Ngasësi i veturave elektrike, Zeqir Beka thekson përfitimet nga këto vetura.

Ndërsa qytetari, Rrahman Ramadani thotë se dogana është shumë e shtrenjtë dhe duhet të hiqet.

Po ashtu, qytetari Selahedin Haziri thotë se heqja e doganës për veturat elektrike do të kishte ndikim pozitiv për vendin.

Në Maqedoninë e Veriut, po ashtu ka filluar të zhvillohet infrastruktura për veturat elektrike, megjithëse numri i tyre është ende relativisht i vogël. Edhe këtu, mbështetja qeveritare është në faza fillestare, por interesi është në rritje.

Në Shqipëri, po rritet ndërgjegjësimi për veturat elektrike, dhe po krijohen pika të reja karikimi, sidomos në qytetet kryesore. Sidoqoftë, edhe atje sfidat e çmimeve dhe infrastrukturës mbeten të ngjashme me Kosovën.

Ndërsa kur jemi tek shifrat në botë, shitjet globale të automjeteve elektrike (EV) pritet të kalojnë njëzet milionë këtë vit, duke përbërë më shumë se njëzet e pesë për qind të të gjitha automjeteve të shitura, sipas një raporti nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA). Shitjet globale të automjeteve elektrike vazhdojnë të rriten pavarësisht pasigurive në ekonominë globale dhe presioneve mbi sektorin e automobilave. Ndërsa shitjet globale tejkaluan shtatëmbëdhjetë milionë në vitin dymijë e njëzet e katër, pjesa e tregut e këtyre automjeteve tejkaloi njëzet për qind për herë të parë.

Kina ruajti udhëheqjen e saj në treg, duke përbërë më shumë se gjysmën e shitjeve të vitit të kaluar. Njëmbëdhjetë milionë automjete elektrike të shitura në Kinë vitin e kaluar ishin të barabarta me numrin total të automjeteve elektrike të shitura në të gjithë botën në vitin dymijë e njëzet e dy. Shitjet e automjeteve elektrike në tregjet në zhvillim në Azi dhe Amerikën Latine gjithashtu u rritën me gjashtëdhjetë për qind vitin e kaluar.

Në SHBA, shitjet u rritën me 10% nga viti në vit, ndërsa ato mbetën të pandryshuara në Evropë ndërsa stimujt dhe politikat mbështetëse u dobësuan.

Kosova, në krahasim me këto vende, është ende në një fazë më të hershme të zhvillimit të tregut të veturave elektrike. Numri i veturave elektrike është më i vogël, dhe infrastruktura për karikim është e kufizuar. Megjithatë, Kosova ka potencial të madh për rritje, sidomos me përqendrimin në energji të rinovueshme që mund të furnizojë këto vetura me energji të pastër.

Lexo më shumë

Të tjera