Nga 328 mijë tonë dizel të importuar në vitin 2014, Kosova arriti në mbi 717 mijë tonë në vitin 2025. Të dhënat e Vjetarit Statistikor 2026 tregojnë një ndryshim të madh në konsumin energjetik të vendit. Pavarësisht diskutimeve për tranzicionin energjetik, automjetet elektrike dhe burimet alternative, sasia e dizelit që hyn në Kosovë është më shumë se dyfishuar brenda 11 vjetësh, shkruan Kujdestari.info.
Kosova nuk prodhon naftë për të mbuluar nevojat e veta, prandaj produktet e naftës që përdoren në ekonomi varen nga furnizimi nga jashtë.
Dhe seria e Vjetarit tregon se kjo varësi është rritur ndjeshëm.
Në vitin 2014, Kosova importoi rreth 328.2 milionë kilogramë dizel, apo afërsisht 328 mijë tonë.
Në vitin 2025 sasia arriti në 717.4 milionë kilogramë, apo mbi 717 mijë tonë.
Kjo është rritje prej rreth 119 për qind.
Pra, importi vjetor i dizelit është bërë më shumë se dyfish krahasuar me vitin 2014.
Prej 328 mijë në 717 mijë tonë
Trendi është pothuajse i vazhdueshëm. Në vitin 2015 u importuan rreth 385 mijë tonë dizel, në 2016 rreth 424 mijë, në 2017 rreth 462 mijë, në 2018 rreth 494 mijë dhe në 2019 rreth 511 mijë tonë.
Edhe pandemia nuk e uli në mënyrë dramatike sasinë vjetore: në 2020 u importuan rreth 498 mijë tonë.
Në vitin 2021 importi kaloi në rreth 599 mijë tonë; më 2022 ishte 562 mijë; më 2023 rreth 617 mijë; më 2024 rreth 667 mijë dhe më 2025 arriti rekordin e serisë së paraqitur, 717 mijë tonë.
Kjo do të thotë se vetëm ndërmjet 2020 dhe 2025 importi i dizelit është rritur me rreth 44 për qind.
Benzina nuk e ka ndjekur të njëjtën rrugë
Interesant është kontrasti me benzinën.
Në vitin 2014 importi i benzinës ishte rreth 61 mijë tonë, ndërsa për vitin 2025 Vjetari jep rreth 74.5 mijë tonë.
Kjo është rritje shumë më modeste se te dizeli.
Pra, zgjerimi i varësisë nga karburantet gjatë kësaj periudhe është para së gjithash histori e dizelit.
Kjo është e rëndësishme sepse dizeli nuk lidhet vetëm me veturat private. Ai përdoret edhe në transportin e mallrave, autobusë, makineri, bujqësi dhe pjesë të industrisë.
Në fakt, Bilanci Vjetor i Energjisë për vitin 2025 tregon se produktet e naftës përbënin 62% të konsumit energjetik të sektorit industrial, përpara energjisë elektrike me 25%. /Kujdestari.info/

