Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka rrëzuar kërkesën e Policisë së Kosovës për diskualifikimin e kompanisë “Prishtina Auto L.L.C” nga pjesëmarrja në prokurim publik, duke vlerësuar se autoriteti kontraktues nuk ka ofruar prova për mashtrim apo falsifikim, shkruan Kujdestari.info.
Në vendimin e publikuar, paneli shqyrtues i OSHP-së ka konstatuar se kërkesa e Policisë është “e pabazuar në dispozitat ligjore”, duke e refuzuar atë në bazë të nenit 99, paragrafi 2 i Ligjit për Prokurim Publik (LPP).
Policia e Kosovës kishte pretenduar se kompania “Prishtina Auto L.L.C”, e përfshirë në tenderin për furnizim me pjesë për automjetet Toyota, Opel Vivaro, Mercedes Benz Sprinter dhe Ford Transit, nuk iu përgjigj në kohë kërkesës për dokumentet e pranueshmërisë, duke vepruar në kundërshtim me nenin 25 të Rregullores për prokurim publik nr. 001/2022.
“Operatorit ekonomik i është kërkuar dorëzimi i dokumenteve të pranueshmërisë sipas nenit 65 të LPP-së, mirëpo nuk është përgjigjur sipas afatit të përcaktuar. Dokumentet janë shkarkuar dy herë nga platforma e E-Prokurimit, por nuk janë dorëzuar”, kishte argumentuar Policia në kërkesën e saj për OSHP.
Nga ana tjetër, kompania e akuzuar i është përgjigjur OSHP-së duke mohuar çdo shkelje. “I gjithë stafi ka qenë në pushim vjetor dhe nuk e kemi parë kërkesën në kohë. Ne nuk kemi mashtruar apo falsifikuar ndonjë dokument të dorëzuar në ofertë. Për më tepër, vlera e kontratës është nën 1,000 euro”, ka deklaruar “Prishtina Auto L.L.C”.
Paneli shqyrtues ka vlerësuar se ky arsyetim është “bindës” dhe se Policia e Kosovës nuk ka dorëzuar asnjë provë për mashtrim apo falsifikim nga ana e kompanisë.
“Në bazë të nenit 99 të LPP-së, OSHP mund të marrë masa ndaj operatorëve vetëm kur autoriteti kontraktues ofron prova për paraqitjen e të dhënave të rreme ose të një dokumenti të falsifikuar. Në rastin konkret, Policia e Kosovës nuk ka arritur të ofrojë dëshmi të tilla”, thuhet në arsyetimin e OSHP-së.
Për këtë arsye, OSHP ka vendosur të refuzojë kërkesën e Policisë së Kosovës, duke lënë në fuqi të drejtën e kompanisë për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit publik.
Ky rast ngre dilema mbi mënyrën se si vetë institucionet shtetërore, përfshirë Policinë e Kosovës, i hartojnë dhe i mbështesin kërkesat e tyre para organeve të mbikëqyrjes së prokurimit. /Kujdestari.info/


