Një pjesë e historisë së minierës së Trepçës është rikthyer në sipërfaqe pas rreth gjysmë shekulli, raporton Kujdestari.info.
Trepça Sh.A. ka njoftuar se ekipet e punës kanë arritur ta tërheqin me sukses në sipërfaqe vagonin UVB, i cili kishte mbetur i bllokuar dhe jashtë funksionit në Horizontin VI për rreth 50 vjet.
Bashkë me njoftimin, Trepça ka publikuar edhe fotografinë e vagonit. Në të shihet qartë gjendja e tij pas dekadave të kaluara në nëntokë: konstruksioni metalik është pothuajse tërësisht i mbuluar nga ndryshku, ndërsa shenjat e kohës dallohen në gjithë sipërfaqen dhe në rrotat e tij.
Pamja e vagonit të vjetër dëshmon edhe për kushtet në të cilat pajisjet minerare kanë qëndruar për dekada në thellësitë e minierës.
“Një pajisje e vjetër, por një pjesë e rëndësishme e historisë minerare të Trepçës, rikthehet në dritë pas pesë dekadash”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.
Trepça e ka përshkruar nxjerrjen e tij me mesazhin: “Nga nëntoka në sipërfaqe – historia vazhdon!”/Kujdestari.info/
