Uncategorized

Hulumtimi i D+: Gati 8 në 10 vendime të OShP-së dolën jashtë afatit ligjor, 21 raste zgjatën mbi 90 ditë

Nga Kujdestari Media

Organi Shqyrtues i Prokurimit, institucioni që vendos për ankesat në tenderët publikë në Kosovë, ka dështuar në shumicën dërrmuese të rasteve që t’i përfundojë ato brenda afatit të përcaktuar ligjor, raporton Kujdestari.info.

Kështu rezulton nga monitorimi tetëmujor i organizatës Demokraci Plus (D+), e cila ka analizuar vendimmarrjen e OShP-së gjatë periudhës 1 gusht 2025- 31 mars 2026.

Gjetjet tregojnë se OShP ka nxjerrë gjithsej 900 vendime lidhur me ankesat e operatorëve ekonomikë. Por vetëm 202 prej tyre, ose 22.4 për qind, janë vendosur brenda afatit ligjor prej 34 ditësh.

Plot 698 vendime, apo 77.6 për qind, janë nxjerrë pas këtij afati.

Ligji përcakton afat maksimal prej 34 ditësh për shqyrtimin dhe vendosjen mbi një ankesë. Vetëm për çështjet komplekse lejohet shtyrje deri në 20 ditë të tjera.

Por hulumtimi tregon se 318 vendime janë nxjerrë edhe pas afatit maksimal prej 54 ditësh, ndërsa në 21 raste procedura ka zgjatur mbi 90 ditë.

Mesatarja e vendimmarrjes së OShP-së gjatë kësaj periudhe ishte 47.3 ditë, ndërsa mediana- koha tipike e trajtimit të një ankese, arrinte në 50 ditë.

Problemi është më i madh se një vonesë administrative.

Paraqitja e ankesës në OShP e pezullon aktivitetin e prokurimit. Kjo nënkupton se sa më gjatë që OShP nuk vendos, aq më gjatë mund të mbeten të bllokuara kontratat, investimet, furnizimet dhe shërbimet që financohen me para publike.

D+ vlerëson se mosrespektimi i afateve ndikon drejtpërdrejt në zgjatjen e proceseve të prokurimit dhe në realizimin e projekteve publike.

Në funksionimin e institucionit ka ndikuar edhe mungesa e një anëtari të Bordit. OShP duhet të ketë pesë anëtarë, por që nga viti 2024 funksionon me katër.

Megjithatë, shifrat e nxjerra nga monitorimi tregojnë se vonesa nuk është përjashtim: gjatë periudhës së analizuar ajo ishte mënyra dominuese e vendimmarrjes. /Kujdestari.info/