E mërkurë, 11 Mars, 2026

“Heshtja” e institucioneve të trashëgimisë cenon monumentin në Pejë

Ndaj

Nëntë muaj “heshtje administrative”, siç quhet në gjuhën zyrtare, i kanë hapur rrugë lejes komunale ndërtimore te xhamia “Taftali”, në Pejë. Por ky është rasti i radhës i institucioneve të trashëgimisë kulturore, të cilave s’u mjafton koha e paraparë për të kthyer përgjigje e që ndërtuesit ta shfrytëzojnë këtë mundësi për rrugë të tjera e në shpërfillje të Ligjit për trashëgimi kulturore. Punimet janë ndalur me masë sigurie, është Ministria e Kulturës që e kërkon këtë, përderisa masa nuk po merr ndaj institucioneve vartëse të saj.

Ministria e Kulturës është duke e kundërshtuar në Gjykatë lejen e ndërtimit që Komuna e Pejës ia ka lëshuar kompanisë “Dukagjini” për ndërtimin e një shumëkatësheje në zonën e mbrojtur të xhamisë “Taftali”, e cila mbrohet si monument. Gjykata Themelore për herë të dytë ka vendosur për masë sigurie duke i ndaluar punimet që janë në fazë fillestare e në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore.

Ministria e Kulturës e ka edhe obligim që kur institucionet e trashëgimisë kulturore nuk japin leje për ndërtime në zona të tilla dhe punimet nisin, të aktivizohet që t’i dërgojë lëndët në gjykatë. Aktvendimi i Gjykatës shihet si veprim i duhur edhe nga ata që merren me trashëgiminë kulturore.
Por MKRS-ja është duke heshtur për faktin se deri në këtë gjendje sa i përket këtij rasti ka ardhur edhe nga papërgjegjësia e institucioneve vartëse të saj.

Investitori qysh më 5 janar të vitit 2024 kishte paraqitur kërkesën për implementimin e projektit afarist-banesor “Puhovci5” me etazhitet B+P+6K+KT. Por vendimin ndaj kësaj kërkese Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve e kishte nxjerrë më 11 tetor të po atij viti, duke shkelur krejt afatet e mundshme në raport me palën. Instituti e ka refuzuar kërkesën me arsyetimin se projekti me vëllim të madh planifikohej të ndërtohej në zonën e mbrojtur të monumentit. Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve gëzon të drejtën e vetos për raste të tilla. Por duhet t’u përmbahet afateve ligjore. Sipas Ligjit për trashëgimi kulturore vendimi në raste të tilla duhet marrë brenda 15 ditësh dhe me një mundësi shtesë që afati të shtohet edhe për 15 ditë të tjera në bazë të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative.

Dokumentet të cilat i posedon KOHA e vërtetojnë këtë. Më pas investitori është ankuar në atë që është shkalla e dytë, te Komisioni për shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të IKMM-së që gjendet në Ministrinë e Kulturës. Ankesa është aprovuar si e bazuar pikërisht për shkak të shkeljes së afatit ligjor për marrje të vendimit nga IKMM-ja.

“Komisioni pas analizimit të shkresave, datave të pranimit e dorëzimit të tyre dhe afateve të përcaktuara në Ligjin për trashëgimi kulturore, si dhe në Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative, konstaton se IKMM nuk i ka respektuar afatet ligjore siç parashihen me legjislacionin në fuqi, pasi që për kërkesën e pranuar më datë 5.1.2024 ka lëshuar vendim vetëm më datë 11.10.2024. Për këtë arsye Komisioni këtë pretendim të palës e aprovon si të bazuar”, shkruhet në vendimin e marrë nga Milot Mustafa, kryesues dhe anëtarët Merita Augustini-Ndrecaj e Jehona Bashota.

Por sipas të njëjtit vendim, në raste të tilla sipas Ligjit për trashëgimi kulturore “leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim, e që sipas Ligjit për ndërtim është Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”.

Komisioni në këtë rast në vendimin e marrë nuk e ka shfuqizuar shprehimisht vendimin e IKMM-së, siç i njëjti Komision ka bërë në rastin te Kisha Katolike në Pejë, ku më pas i është hapur rrugë ndërtimit me të cilin tash po merren Prokuroria Themelore e Pejës dhe Policia e Kosovës.

Pas krejt kësaj situate Komuna e Pejës me 30.4.2025 i ka dhënë leje ndërtimore palës për ndërtim në zonën e mbrojtur të xhamisë “Taftali”.

Sipas dokumenteve që posedon KOHA, vonesat janë shkaktuar në vazhdimësi për këtë lëndë. Pas pranimit të kërkesës së palës në IKMM, më 10 janar 2024, Komisioni i këtij institucioni më 25 janar i ka rekomanduar ushtrueses së detyrës së drejtorit, Rrezarta Loxha-Vitaku, që lënda të kthehet në plotësim për të përcaktuar midis të tjerash edhe perimetrin e asetit të trashëgimisë kulturore dhe zonën e mbrojtur. Një ditë më vonë, më 26 janar zëvendësuesja e drejtorit, Rrezarta Loxha Vitaku, do të emëronte grupin punues për përcaktimin e perimetrit dhe zonës së mbrojtur me kryesues arkitektin Avni Manaj. Dhe, ky grup punues nuk e ka bërë gati raportin deri më datë 11 shtator 2024 duke u vonuar gati tetë muaj. Më pas, më 11 tetor, IKMM-ja i është përgjigjur palës duke ia krijuar mundësinë që të ankohet dhe të kontestojë vendimin.

Kjo nuk është hera e parë që institucionet e trashëgimisë kulturore nëpërmjet heshtjes administrative ua mundësojnë palëve rrugë të tjera deri te nisja e përfundimi i ndërtimeve në zona të mbrojtura. Edhe në këtë rast, ndërtuesi ka ndjekur rrugën duke anashkaluar institucionet që sipas ligjit vendosin për leje në zona të mbrojtura.

KOHA ka kërkuar fillimisht nga Komuna e Pejës që të përgjigjet se përse kanë miratuar leje ndërtimore që nuk e ka pëlqimin e institucioneve të trashëgimisë kulturore, të cilat sipas Ligjit për trashëgimi kulturore kanë të drejtën e vetos në raste të tilla. Komuna e Pejës nuk është përgjigjur. Më pas KOHA ka pyetur Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Pejë sa i përket këtij rasti.
“QRTK-Pejë ju informon se ne si institucion rajonal i trashëgimisë kulturore, kërkesën e palës te rasti ‘Taftali Xhamia’ në Pejë e kemi adresuar brenda afatit ligjor tek institucionet kompetente vendimmarrëse”, shkruhet në përgjigje.

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nuk është përgjigjur se përse janë vonuar me shqyrtimin e projektit për më shumë se nëntë muaj. Kryesuesi i Komisionit për caktimin e perimetrit të asetit, arkitekti Avni Manaj nuk është përgjigjur se përse u është dashur e gjithë kjo kohë që të përpilojnë raportin për perimetër dhe a kanë qenë në dijeni se për atë rast ka një kërkesë për realizimin e projektit, dhe se vonesa ka ndikuar që pala ta shfrytëzojë mundësinë e afatit administrativ dhe për pasojë punimet kanë filluar. Po ashtu Ministria e Kulturës nuk është përgjigjur se kush mbahet përgjegjës për humbje të afatit administrativ.

KOHA ka raportuar se më 11 shkurt të këtij viti për herë të dytë, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka ndalur punimet që kanë nisur krejt afër monumentit, xhamia “Taftali” në qendër të Pejës. Gjykata nëpërmjet një aktvendimi ka vendosur për masë të sigurisë. Ministria e Kulturës ka parashtruar padi kundër Komunës së Pejës për anulimin e vendimit për leje ndërtimore. Në kërkesën për masën e sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar me padi, MKRS-ja ka shkruar se Komuna e Pejës ka lëshuar leje ndërtimore për ndërtimin e objektit ndërtimor me etazhitet B+P+6+Kt+KT, dhe hapësira për të cilën është lëshuar leje ndërtimore gjendet brenda një sipërfaqeje të mbrojtur, përkatësisht është aseti i trashëgimisë kulturore, xhamia “Taftali”. Ministria e Kulturës në padi pretendon se Komuna e Pejës me rastin e dhënies së lejes ka bërë shkelje të dispozitave ligjore dhe procedurave administrative, pasi që leja është lëshuar në bazë të heshtjes administrative të institucioneve të trashëgimisë kulturore që nuk janë përgjigjur brenda 15 ditësh. Institucionet e trashëgimisë kulturore janë vonuar së paku tetë muaj në këtë rast. Paraprakisht Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur për masë sigurie në tetor të vitit të kaluar. Por Komuna e Pejës dhe investitori e kishin apeluar aktvendimin dhe Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim, ku prapë është vendosur masë sigurie. KOHA i ka drejtuar pyetje edhe kompanisë “Dukagjini”, por s’ka pranuar përgjigje. Monumenti ndodhet në lagjen e quajtur “Sahat Kulla” të Pejës. Sipas të dhënave të Ministrisë së Kulturës u ndërtua në vitin 1587. /Koha.net

Lexo më shumë

Të tjera