Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar sot se ka ndaluar importin e shpezëve, kafshëve të gjalla dhe produkteve të tyre nga zonat e infektuara të Italisë, pas konfirmimit të shpërthimit të sëmundjes Avian Influenza (Gripi i Shpezëve), serotipi me patogjenitet të lartë HPAI–H5N1.
Sipas njoftimit të AUV-së, vendimi është marrë në bazë të raportit më të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe të Komisionit Evropian, të datës 4 nëntor 2025, ku raportohet për raste të konfirmuara në Regjionin Emilia-Romagna dhe Lombardia të Italisë.
Sipas vendimit, përjashtim bëjnë vetëm ato produkte që vijnë nga ferma të paprekura nga sëmundja, të cilat gjenden të paktën 50 kilometra larg zonave të infektuara.
“Kjo ndalesë hyn në fuqi menjëherë dhe do të mbetet në zbatim deri në vlerësimin e mëtejshëm të situatës nga autoritetet përkatëse ndërkombëtare dhe nga vetë AUV,” theksohet më tej në komunikatë.
“Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen me kohë për çdo ndryshim eventual në vendimin e marrë,” ka njoftuar AUV-ja.