Gjykata Supreme e ka shpallur të paligjshëm një nen të udhëzimit administrativ, që pensionistëve kontributpagues u kërkonte dëshmi të shkollimit të para 1 janarit 1991, për të përfituar nga kriteri i kualifikimit.
Sipas një njoftimi nga kjo gjykatë të mërkurën, nënkuptohet që tash pensionistëve kontributpagues do t’u njihen diplomat edhe të pas kësaj date.
“Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar paragrafin 5 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ Nr. 09/2015 (MPMS), i cili rregullon kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontribut-pagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve. Gjykata vlerëson se dispozita e kontestuar, e cila kërkonte që dëshmitë për kualifikim arsimor të jenë të fituara para datës 01.01.1991, nuk ka bazë ligjore dhe përbën tejkalim të autorizimit të dhënë me ligj. Sipas arsyetimit të aktgjykimit, ligji përkatës për skemat pensionale nuk e lidhin të drejtën në pension me kohën e fitimit të kualifikimit arsimor, por me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore. Po ashtu, Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi i vendosur është arbitrar, pa ndonjë qëllim të qartë legjitim dhe joproporcional, pasi përjashton një kategori të tërë pensionistësh kontribut-pagues që kanë përmbushur kushtet ligjore, vetëm për shkak të kohës së fitimit të kualifikimit të tyre arsimor”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas vendimit, kjo dispozitë parimin e barazisë para ligjit dhe sigurinë juridike, duke krijuar dallim mes pensionistëve edhe pse janë në rrethana të njëjta sa u përket kontributeve dhe stazhit pensional.
“Gjykata Supreme vlerëson se dispozita e shfuqizuar është në kundërshtim me Ligjin për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti dhe cenon parimet themelore të rendit juridik, duke vendosur një kufizim të pabazuar dhe diskriminues për përfituesit e pensionit kontribut-pagues”, thuhet në njoftim.
Ky udhëzim administrative ishte miratuar më 2015 me qëllim që të përcaktonte kushtet dhe kriteret për kategorizimin e pensionistëve kontributpagues, bazuar në kualifikimin e tyre dhe kohëzgjatjen e pagesave të kontributeve pensionale.