E premte, 13 Mars, 2026

Gjykata rrëzon ankesën e Ministrisë së Bujqësisë, e obligon të vendosë për kërkesën e fermerit nga Prishtina

Ndaj

Gjykatat në Kosovë po vazhdojnë të ndërhyjnë edhe në rastet kur institucionet shtetërore nuk marrin vendime për kërkesat e qytetarëve, duke e konsideruar këtë si shkelje të procedurës administrative. Një rast i tillë është trajtuar nga Gjykata Komerciale e Kosovës, e cila ka refuzuar ankesën e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë që i jep të drejtë një fermeri nga Prishtina, shkruan Kujdestari.info. 

Sipas aktgjykimit të Dhomës së Shkallës së Dytë, gjykata ka konstatuar se ministria nuk kishte vendosur për kërkesën e parashtruar nga fermeri J.H. B.I., i cili kërkonte kompensim për dëmet e shkaktuara në pemishten e tij në fshatin Besi të Komunës së Prishtinës. Për këtë arsye, ankesa e ministrisë është refuzuar si e pabazuar dhe është konfirmuar vendimi i gjykatës së shkallës së parë.

Rasti lidhet me dëmet që fermeri pretendon se i ka pësuar në vitin 2017 për shkak të kushteve klimatike, ku një komision i Komunës së Prishtinës kishte vlerësuar dëmet në vlerë prej 25,438 euro, ndërsa fitimin e humbur në mbi 36 mijë euro. Pas kësaj, lënda ishte përcjellë në Ministrinë e Bujqësisë për shqyrtim, mirëpo sipas dokumenteve gjyqësore, institucioni nuk kishte marrë asnjë vendim për kërkesën e fermerit.

Gjykata ka vlerësuar se një institucion publik nuk mund të heshtë përballë një kërkese të paraqitur nga qytetarët dhe se është i obliguar të marrë vendim brenda afateve të përcaktuara me ligj. Për këtë arsye, ministria është obliguar që brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit ta shqyrtojë kërkesën e fermerit dhe të marrë një vendim lidhur me kompensimin e dëmit të pretenduar.

Në arsyetimin e saj, gjykata thekson se mosmarrja e një vendimi përbën heshtje administrative dhe i jep të drejtë palës që të kërkojë mbrojtje gjyqësore. Për këtë arsye, vendimi i gjykatës së shkallës së parë është vlerësuar si i drejtë dhe në përputhje me dispozitat e Ligjit për Konfliktet Administrative.

Si rezultat, Ministria e Bujqësisë obligohet që ta shqyrtojë kërkesën e fermerit dhe të marrë një vendim përfundimtar lidhur me kompensimin e dëmeve të pretenduara në pemishten e tij në fshatin Besi. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera