E mërkurë, 11 Mars, 2026

Gjykata Komerciale vendos në favor të Adidas, urdhërohet shkatërrimi i 720 palë patikave në Kosovë

Ndaj

Gjykata Komerciale e Kosovës ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e kompanisë Adidas AG kundër shoqërisë “Toni & M” SH.P.K. nga Prishtina, duke konstatuar se përmes importimit të 720 palë patikave për të rritur me tri vija, e paditura ka shkelur markat tregtare të regjistruara të Adidas-it, shkruan Kujdestari.info.

Aktgjykimi është shpallur më 22 dhjetor 2025 nga Gjykata Komerciale – Dhomat e Shkallës së Parë, Departamenti për Çështje Ekonomike, me gjyqtare Verona Dibra, pas shqyrtimit kryesor të mbajtur më 8 dhjetor 2025.

Sipas dispozitivit të aktgjykimit, gjykata ka ndaluar të paditurin që në të ardhmen të importojë apo të tregtojë mallra që shkelin markat tregtare të Adidas-it. Po ashtu, është lejuar shkatërrimi i 720 palë patikave, të cilat janë konstatuar si produkte që shkelin markën tregtare, dhe është obliguar kompania “Toni & M” që shkatërrimin ta kryejë nën mbikëqyrjen doganore, brenda 7 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Gjykata ka vendosur gjithashtu që i padituri të mbulojë të gjitha shpenzimet që lidhen me transportin, ruajtjen dhe magazinimin e mallrave të ndaluara.

Një nga pikat e veçanta të këtij vendimi është edhe obligimi që “Toni & M” SH.P.K. të publikojë aktgjykimin në tre mjete të ndryshme të informimit publik të nivelit kombëtar, me shpenzimet e veta.

Ndërkohë, gjykata ka refuzuar si të pabazuar pjesën e kërkesëpadisë së Adidas-it, me të cilën ishte kërkuar që e paditura të detyrohej të paguante një ndëshkim financiar prej 5,000 deri në 10,000 euro. Sipas arsyetimit të gjykatës, shqiptimi i kësaj mase ndëshkuese parashihet nga ligji si mundësi dhe jo si obligim, ndërsa në rrethanat konkrete është vlerësuar se masa nuk do të ishte proporcionale, pasi mallrat janë ndaluar nga Dogana dhe nuk kanë hyrë në qarkullim tregtar.

Gjykata ka obliguar të paditurin që paditësit t’ia paguajë shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 528 euro, që përfshijnë taksën gjyqësore dhe shpenzimet e përfaqësimit ligjor.

Në arsyetim, gjykata thekson se Adidas është pronar i markave tregtare të regjistruara në Kosovë për produkte nga klasat 18, 25 dhe 28, dhe se shenja me tri vija paralele përbën element thelbësor dhe dallues të markës së njohur ndërkombëtarisht. Sipas gjykatës, përdorimi i shenjave të ngjashme nga i padituri krijon rrezik real të konfuzionit te konsumatori, duke përbërë shkelje të të drejtave nga marka tregtare, në kuptim të Ligjit për Markat Tregtare. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera