Gjykata Komerciale e Kosovës ka marrë vendim në një çështje përmbarimore që lidhet me kontratën për furnizim me barna nga lista esenciale për nevojat e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), duke refuzuar prapësimin e këtij institucioni dhe duke lënë në fuqi urdhrin përmbarimor për pagesën e borxhit ndaj kompanisë private “Redoni Hm” SH.P.K, shkruan Kujsdestari.info.
Për çfarë kontrate bëhet fjalë
Sipas aktvendimit, palët kanë pasur të lidhur kontratë për furnizim me barna nga lista esenciale, për nevojat e SHSKUK-së. Në bazë të kësaj kontrate, kompania “Redoni Hm” SH.P.K. ka lëshuar faturën me numër 080525003-1, për të cilën është inicuar procedura e përmbarimit.
Përmbaruesi Privat Driton Govori, më 18 shtator 2025, ka lëshuar Urdhrin Përmbarimor P.nr.661/25, duke lejuar përmbarimin në bazë të faturës si dokument i besueshëm dhe duke detyruar SHSKUK-në që t’i paguajë kreditorit shumën e mbetur prej 28,617.09 euro, me kamatë ligjore prej 8 për qind, si dhe shpenzimet e procedurës përmbarimore.
Pretendimet e SHSKUK-së
SHSKUK, në prapësimin e paraqitur brenda afatit ligjor, ka pretenduar se nuk ka borxh ndaj kreditorit, duke theksuar se pjesa më e madhe e faturës është paguar dhe se shuma e mbetur lidhet me ndëshkime për vonesa në furnizim, të cilat sipas institucionit janë vendosur për shkak të mosrespektimit të afateve nga kompania furnizuese.
Sipas prapësimit, urdhërblerja për furnizim është lëshuar më 22 prill 2025, ndërsa afati për dorëzim ka qenë 30 ditë, afat që – sipas SHSKUK-së – nuk është respektuar nga kreditori.
Qëndrimi i kreditorit dhe vlerësimi i gjykatës
Nga ana tjetër, kompania “Redoni Hm” SH.P.K. ka kundërshtuar prapësimin, duke theksuar se fatura është e vlefshme, e protokolluar dhe e pranuar nga SHSKUK-ja, pa asnjë kundërshtim në kohën e pranimit. Po ashtu, është theksuar se çdo pretendim lidhur me ndëshkime për vonesa përbën çështje kontestimore dhe nuk mund të trajtohet në procedurë përmbarimore.
Gjykata ka vlerësuar se fatura në fjalë i plotëson të gjitha kushtet ligjore për të qenë dokument i besueshëm, sipas Ligjit për Procedurën Përmbarimore, dhe se ajo është pranuar nga debitori, e paguar pjesërisht, por asnjëherë e kontestuar zyrtarisht.
Në arsyetim thuhet se fatura është dorëzuar në origjinal, mban vulën e protokollimit të SHSKUK-së dhe përmban të gjitha elementet e kërkuara ligjore për lejimin e përmbarimit.
Në bazë të këtyre gjetjeve, Gjykata Komerciale ka refuzuar prapësimin e SHSKUK-së, ka lënë në fuqi urdhrin përmbarimor dhe ka obliguar debitorin që t’i paguajë kreditorit edhe 208 euro shpenzime procedurale, brenda afatit prej shtatë ditësh nga plotfuqishmëria e vendimit.
Palët kanë të drejtë ankese në afat prej shtatë ditësh në Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale. /Kujdestari.info/