Gjykata Komerciale e Kosovës- Dhoma e Shkallës së Dytë ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Komisionit të Pavarur për Media (KPM) dhe ka lënë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë në rastin mes televizionit T7 dhe këtij institucioni rregullator, duke konstatuar se pretendimet e KPM-së nuk qëndrojnë dhe se vendimi i gjykatës së shkallës së parë është marrë në përputhje me ligjin, shkruan Kujdestari.info.
Vendimi është marrë nga kolegji i përbërë nga gjyqtarët Ramush Bardiqi si kryetar, si dhe Dren Rogova dhe Vlora Rexhepi Pacolli si anëtarë, të cilët shqyrtuan ankesën e paraqitur nga KPM kundër aktgjykimit të mëhershëm të Gjykatës Komerciale. Pas vlerësimit të plotë të shkresave të lëndës dhe pretendimeve të palëve, gjykata ka vendosur që ankesa e KPM-së të refuzohet dhe të mbetet në fuqi vendimi i shkallës së parë.
Sipas dokumentit gjyqësor, rasti lidhet me padinë e paraqitur nga televizioni T7 për shkak të asaj që në procedurë juridike njihet si heshtje administrative, pasi KPM nuk kishte vendosur për ankesën që televizioni kishte paraqitur lidhur me një vendim të këtij institucioni të vitit 2021. Në atë vendim, KPM kishte konstatuar se T7 nuk kishte dorëzuar në kohë të ashtuquajturit “Ditarët A dhe B”, dokumente që lidhen me raportimin e reklamave të transmetuara gjatë periudhës zgjedhore, për çka televizioni ishte sanksionuar me një gjobë prej një mijë eurosh.
Televizioni T7 kishte paraqitur ankesë ndaj këtij vendimi më 28 qershor 2021, duke argumentuar se mosdorëzimi i dokumenteve kishte ndodhur për shkak të rrethanave të krijuara nga pandemia Covid-19 dhe punës me staf të reduktuar. Megjithatë, sipas shkresave të lëndës, organet e KPM-së nuk kishin vendosur për këtë ankesë brenda afateve të përcaktuara me ligj, gjë që sipas gjykatës përbën heshtje administrative dhe i jep të drejtë palës të kërkojë ndërhyrjen e gjykatës.
Gjykata e shkallës së parë kishte konstatuar se ankesa e T7 ishte paraqitur brenda afatit ligjor dhe se KPM nuk kishte marrë vendim për të, duke e obliguar këtë institucion që brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit të vendosë për ankesën e paraqitur nga televizioni dhe t’ia dorëzojë vendimin sipas procedurave ligjore.
Në ankesën e saj, KPM kishte kërkuar që aktgjykimi i shkallës së parë të anulohej dhe të mbetej në fuqi vendimi i institucionit rregullator për gjobën ndaj T7. Megjithatë, Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale ka vlerësuar se argumentet e paraqitura nga KPM nuk e ndryshojnë gjendjen faktike dhe juridike të konstatuar nga gjykata e shkallës së parë.
Sipas arsyetimit të gjykatës, aktgjykimi i mëhershëm është i qartë dhe i mbështetur në dispozitat e Ligjit për Konfliktet Administrative dhe Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, ndërsa KPM nuk ka paraqitur prova apo argumente që do të mund ta rrëzonin këtë vlerësim juridik. Gjykata ka theksuar gjithashtu se mosvendosja për ankesën brenda afateve të përcaktuara përbën shkelje të procedurës administrative dhe cenon të drejtën e palës për shqyrtim të ankesës.
Përfundimisht, Gjykata Komerciale ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë ka zbatuar drejt dispozitat ligjore dhe se nuk ekziston asnjë shkelje procedurale apo materiale që do të justifikonte ndryshimin e vendimit. Për këtë arsye, ankesa e KPM-së është refuzuar si e pabazuar dhe aktgjykimi i mëhershëm në favor të T7 mbetet në fuqi.
Në bazë të këtij vendimi, Komisioni i Pavarur për Media obligohet që brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit të vendosë për ankesën e paraqitur nga televizioni T7 dhe vendimin përfundimtar t’ia dorëzojë palës sipas procedurave të përcaktuara me ligj. /Kujdestari.info/