Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur në favor të Postës së Kosovës, duke lënë në fuqi një aktgjykim që anulon vendimet e Inspektoratit të Punës lidhur me një rast të marrëdhënies së punës në këtë ndërmarrje publike, shkruan Kujdestari.info.
Sipas aktgjykimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, është refuzuar si e pabazuar ankesa e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, përkatësisht Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, ndërsa është vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë që kishte pranuar padinë e Postës së Kosovës.
Me këtë vendim gjykata ka konfirmuar anulimin e dy vendimeve të Inspektoratit të Punës:
vendimi Nr. IP 299 i datës 04.07.2023
vendimi Nr. IP 01/56-85/23-B i datës 27.02.2023, të cilat gjykata i ka konsideruar si të kundërligjshme.
Vendimet e Inspektoratit të Punës kishin të bënin me një çështje të brendshme të marrëdhënies së punës në Postën e Kosovës, përkatësisht me një vendim të Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve për risistemimin e një punëtori në pozitë dhe pagë më të ulët.
Inspektorati i Punës kishte vlerësuar se ky vendim ishte marrë pa respektuar procedurat ligjore dhe kishte ndërhyrë duke marrë vendime administrative në këtë rast.
Megjithatë, Gjykata Komerciale ka vlerësuar se Inspektorati i Punës ka tejkaluar kompetencat ligjore.
Sipas arsyetimit të gjykatës, në legjislacionin në fuqi nuk parashihet që Inspektorati i Punës të ketë kompetencë për të vendosur mbi të drejtat e punëtorëve që burojnë nga marrëdhënia e punës, pasi këto çështje i takojnë juridiksionit të gjykatave.
Gjykata ka theksuar se ndërhyrja e Inspektoratit në këtë rast përbën tejkalim të kompetencës ligjore, duke u bazuar në dispozitat e Ligjit për Inspektoratin e Punës dhe Ligjit të Punës.
Në vendim theksohet se çështjet që lidhen me kontratat e punës dhe statusin e punësimit duhet të trajtohen nga gjykatat kompetente, e jo nga organet administrative.
Pas vendimit të shkallës së parë, Avokatura Shtetërore kishte ushtruar ankesë në emër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke pretenduar se gjykata kishte bërë shkelje të procedurës, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të ligjit.
Por Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale ka konstatuar se ankesa është e pabazuar, duke lënë në fuqi aktgjykimin e mëparshëm.
Gjykata gjithashtu ka theksuar se edhe gjoba e shqiptuar ndaj Postës së Kosovës si rezultat i këtij vendimi administrativ nuk mund të konsiderohet e ligjshme.
Sipas gjykatës, një masë e tillë nuk mund të vendoset pa u konfirmuar paraprakisht nga gjykata kompetente aspektet që lidhen me marrëdhënien e punës.
Në përfundim, Gjykata Komerciale ka ritheksuar se çështjet që lidhen me marrëdhëniet e punës dhe kontratat e punësimit janë pjesë e kontesteve të punës dhe duhet të trajtohen përmes procedurave gjyqësore.
Për këtë arsye, vendimet e Inspektoratit të Punës janë konsideruar të marra pa bazë ligjore, ndërsa padia e Postës së Kosovës është aprovuar në tërësi. /Kujdestari.info/