E martë, 16 Dhjetor, 2025

Gjykata Komerciale ia jep të drejtën Postës së Kosovës: Vendimet e Inspektoratit të Punës shpallen të kundërligjshme

Ndaj

Gjykata Komerciale e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative, ka marrë një aktgjykim me peshë në konfliktin mes Postës së Kosovës Sh.A. dhe Inspektoratit të Punës, duke e anuluar plotësisht vendimin e këtij të fundit për rikthimin në detyrë të ish-drejtorit të Drejtorisë Operative, F.Th, shkruan Kujdestari.info.

Sipas aktgjykimit të nënshkruar nga gjyqtari Gent Bekeri, gjykata ka konstatuar se Inspektorati i Punës ka tejkaluar kompetencat ligjore kur ka urdhëruar Postën e Kosovës:

  • ta anulojë masën e largimit të përkohshëm ndaj punëtorit,

  • ta rikthejë atë në pozitën e lartë menaxheriale, dhe

  • t’i kompensojë gjysmën e pagës nga data 11 gusht 2021 deri në ekzekutimin e vendimit.

Gjykata ka vlerësuar se veprime të tilla janë kompetencë ekskluzive e gjykatave, dhe jo e Inspektoratit të Punës, i cili sipas ligjit ka rol mbikëqyrës, këshillues dhe paralajmërues — por jo vendimmarrës në çështje meritore që prekin marrëdhënien e punës ose anulimin e vendimeve administrative të punëdhënësit.

Rasti: nga largimi i përkohshëm tek përplasja administrative

Konflikti kishte nisur pas vendimit të Postës së Kosovës të datës 11 gusht 2021 për largimin e përkohshëm nga puna të punëtorit F.Th., në atë kohë Drejtor i Operativës, vendim që parashihte kompensimin me 50% të të ardhurave gjatë pezullimit.

Më pas, më 9 shkurt 2022, Posta ndërpreu plotësisht marrëdhënien e punës me F.Th., me arsyetimin se ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Punëtori ushtrroi ankesa brenda kompanisë, ku Komisioni i Ankesave vendosi që shkarkimi i tij ishte i kundërligjshëm, duke i dhënë të drejtë të mbetej në një pozitë tjetër jo-menaxheriale deri në përfundimin e procedurës penale.

Megjithatë, paraqitja e ankesës së F.Th. në Inspektoratin e Punës u bë pika e kthesës.

Inspektorati i Punës, si organ i shkallës së parë dhe të dytë administrativ, vendosi në favor të punëtorit, duke urdhëruar rikthimin e tij në pozitën e drejtorit, ndërprerjen e masës së largimit dhe kompensimin financiar.

Posta e Kosovës e kundërshtoi këtë vendim, duke paraqitur padi në Gjykatën Komerciale.

Vendimi i gjykatës: Inspektorati nuk mund të anulojë vendime të punëdhënësit

Nga analizimi i provave, ligjeve në fuqi dhe dokumenteve të të dyja palëve, Gjykata Komerciale doli në përfundimin se:

  • Inspektorati i Punës nuk ka kompetencë të detyrojë punëdhënësin të kthejë punëtorin në një pozitë të caktuar.

  • IP mund të japë vetëm vërejtje me shkrim, të sugjerojë masa dhe të paralajmërojë parregullsi — por jo të ndërhyjë në mënyrë vendimmarrëse.

  • Çështjet që lidhen me vlefshmërinë e një vendimi për largim nga puna ose çështjet e të drejtave të punëtorëve i takojnë gjykatës kompetente, sipas nenit 79 të Ligjit të Punës.

  • Vendimet e Inspektoratit ishin nxjerrë “në mungesë të autorizimit ligjor”, gjë që e bën aktin administrativ të paligjshëm, sipas nenit 52 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Për këto arsye, gjykata e aprovoi në tërësi padinë e Postës së Kosovës dhe anuloi dy vendimet e Inspektoratit:

  1. Vendimin IP.nr.357/22 (28.04.2022) – shkalla e dytë,

  2. Vendimin 01 Nr.21-006/339 (12.10.2021) – shkalla e parë.

Aktgjykimi ka karakter detyrues dhe zëvendëson vendimet e anuluara.

Çfarë do të thotë ky vendim për palët?

Posta e Kosovës nuk ka detyrim ta rikthejë punëtorin në pozitën e mëparshme dhe as t’i kompensojë pagat e kërkuara nga Inspektorati.

Rasti i marrëdhënies së punës së F.Th. i takon tani vetëm gjykatave të punës.

Inspektorati i Punës merr një sinjal të qartë lidhur me kufizimet e kompetencave të veta administrative.

Ky aktgjykim paraqet një precedent të rëndësishëm në raportin midis punëdhënësve publikë dhe Inspektoratit të Punës, duke rikujtuar se ndonëse inspektorati mbikëqyr ligjshmërinë në vendet e punës, ai nuk mund të marrë vendime finale që i takojnë gjykatave, sidomos në çështje të ndjeshme si largimi nga puna, rikthimi në detyrë apo kompensimi financiar.

Gjykata e Komerciale riktheu kështu në fuqi kufijtë e kompetencave ligjore dhe vendosi qartë se ndërhyrja e Inspektoratit të Punës në rastin e Postës së Kosovës ishte e paligjshme dhe e paautorizuar. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera