E mërkurë, 4 Mars, 2026

Gjykata e kap ATK-në në shkelje: Detyrohet t’ia kthejë mbi 220 mijë euro Albi Mallit që ia mori padrejtësisht

Ndaj

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) është detyruar nga gjykata t’ia kthejë mbi 219 mijë euro kompanisë Albi Commerce, pasi u konstatua se ky institucion i kishte marrë kundërligjshëm këto para përmes një interpretimi të gabuar të ligjit për sponsorizime. Vendimi i Gjykatës Komerciale e cilëson të pabazuar veprimin e ATK-së dhe e obligon atë që, përveç shumës kryesore, të paguajë edhe interesin ligjor, shkruan Kujdestari.info.

Një aktgjykim i Gjykatës Komerciale ka nxjerrë në pah se si Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) i kishte marrë kundërligjshëm 219,972.67 euro kompanisë Albi Commerce, duke i mohuar të drejtën për zbritje tatimore për sponsorizime, ndonëse këto ishin të dokumentuara me kontrata dhe transferta bankare. Gjykata jo vetëm që e anuloi vendimin e ATK-së, por e obligoi këtë institucion që t’ia kthejë kompanisë të gjithë shumën, së bashku me interesin ligjor.

Në aktgjykimin e datës 14 nëntor 2025, gjykata vendosi se “APROVOHET në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditësit ‘Albi Commerce’ Sh.P.K.” dhe njëkohësisht “ANULOHET Aktvendimi i të paditurit Administrata Tatimore e Kosovës”. Gjykata gjithashtu obligoi ATK-në që “t’ia kthejë shumën prej 219,972.67  euro, të paguar në emër të tatimit shtesë në të ardhura të korporatave, së bashku me interesin ligjor”.

Rasti lidhet me sponsorizimet që kompania kishte bërë për organizata sportive, përfshirë Federatën e Futbollit të Kosovës dhe dy klube futbolli, të cilat i kishte deklaruar si shpenzime të zbritshme, siç parashihet me ligj. Megjithatë, pas një kontrolli tatimor për vitin 2022, ATK kishte refuzuar t’i njohë këto sponsorizime me arsyetimin se mungonte një vërtetim formal nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe për këtë arsye kishte ngarkuar kompaninë me tatim shtesë prej 219,972.67 euro, shumë të cilën kompania e kishte paguar dhe më pas e kishte kontestuar në gjykatë.

Pas shqyrtimit të provave, gjykata konstatoi se sponsorizimet ishin reale dhe të dokumentuara. Në aktgjykim thuhet se “nga provat e administruara rezulton se paditësi ka provuar ekzistencën e sponsorizimeve përmes kontratave të noterizuara dhe transaksioneve bankare”, duke rrëzuar kështu arsyetimin e ATK-së se mungesa e një dokumenti formal e bënte të pavlefshme zbritjen tatimore.

Gjykata sqaroi se ligji lejon forma alternative të provës dhe se “neni 4 paragrafi 4 i Ligjit për Sponsorizime përcakton se ‘pranuesi i sponsorizimit dorëzon vërtetim ose dëshmi’, çka krijon dy forma të mundshme provimi të faktit të sponsorizimit”. Në këtë kuptim, sipas gjykatës, dëshmitë bankare dhe kontratat ishin të mjaftueshme për të vërtetuar sponsorizimin dhe për të përfituar nga zbritja tatimore.

Në një nga konstatimet më të rëndësishme, gjykata vlerësoi se veprimi i ATK-së ishte bërë në kundërshtim me ligjin, duke theksuar se “refuzimi i ATK-së për njohjen e zbritjes tatimore është bërë në interpretim të gabuar të ligjit material dhe procedural, duke cenuar parimin e sigurisë juridike të tatimpaguesit”. Gjykata shtoi gjithashtu se “aktvendimi i ATK-së nuk është i bazuar në mënyrë të drejtë në ligj”.

Një element tjetër që ndikoi në vendim ishte fakti se Ministria nuk kishte kthyer përgjigje për kërkesat për vërtetim brenda afatit ligjor. Gjykata theksoi se “moslëshimi i vërtetimit brenda afatit 15-ditor nga MKRS duhet të konsiderohet miratim në heshtje”, duke nënkuptuar se mungesa e veprimit nga institucionet nuk mund të përdoret kundër tatimpaguesit.

Në fund, gjykata obligoi ATK-në që t’i kthejë kompanisë shumën e marrë dhe interesin përkatës, duke u bazuar në dispozitat ligjore që parashohin se “ATK do t’i kthejë çdo tatim të paguar tepër, së bashku me interesin”. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera