Aktuale

Gjilani paguan mbi 1.9 milionë euro për vendime gjyqësore në gjashtë muajt e parë të vitit

Nga Kujdestari Media

Raporti financiar janar–qershor 2026 i Komunës së Gjilanit nxjerr në pah një shpenzim të konsiderueshëm nga buxheti komunal për pagesa të lidhura me vendime gjyqësore, shkruan Kujdestari.info.

Sipas raportit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Komuna e Gjilanit gjatë periudhës gjashtëmujore ka realizuar gjithsej 22.6 milionë euro shpenzime nga buxheti i saj, ku një pjesë e mjeteve janë destinuar për kategori të ndryshme buxhetore, përfshirë edhe obligimet që dalin nga proceset gjyqësore.

Në tabelën e shpenzimeve kapitale, një nga zërat më të mëdhenj paraqitet ai i “Pagesave sipas vendimeve gjyqësore”, ku janë evidentuar 1,921,955.23 euro shpenzime.

Ky zë përbën pjesën më të madhe të shpenzimeve kapitale të evidentuara në këtë kategori, ku totali i shpenzimeve kapitale arrin në 2,442,740.79 euro.

Raporti financiar nuk jep detaje për natyrën e këtyre vendimeve gjyqësore, palët përfituese apo rastet konkrete që kanë shkaktuar këto obligime financiare. /Kujdestari.info/