Kosova po hyn në muajin e gjashtë pa institucione të reja. Gjykata Kushtetuese u ka dhënë afat partive politike që, brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të saj, ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e rinj. Mungesa e institucioneve ka goditur ekonominë e vendit.
Aleanca Kosovare e Bizneseve ka paralajmëruar për pasojat e rënda që ka shkaktuar bllokimi institucional gjashtëmujor në vend, duke e vlerësuar humbjen direkte ekonomike në rreth 300 milionë euro.
Sipas AKB-së, kriza ka ardhur si rezultat i shkeljes së Kushtetutës nga partia më e madhe në vend, e cila për gjashtë muaj ka propozuar të njëjtin kandidat për kryetar, në kundërshtim me ligjin themeltar.
Në një reagim publik, AKB thekson se kriza e qëllimshme politike ka paralizuar vendimmarrjen shtetërore, ka penguar funksionimin normal të institucioneve dhe ka shkaktuar humbje në çdo sektor – nga prodhimi dhe eksporti, te investimet e huaja dhe projektet strategjike.
“Pasiguria politike dhe juridike për gjashtë muaj me radhë ka sjellë rreth 300 milionë euro humbje të drejtpërdrejta, rënie deri në 25% të kapaciteteve prodhuese, pezullim të kontratave ndërkombëtare dhe largim të investitorëve të huaj. Këto nuk janë vetëm statistika – janë mijëra vende pune të humbura dhe dhjetëra biznese në prag të falimentimit”.
Sipas AKB-së, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese vetëm sa ka konfirmuar se e drejta ka qenë e qartë që në fillim, por konstatimi ka ardhur tepër vonë për ekonominë
AKB kërkon nga të gjitha institucionet dhe forcat politike që t’i japin fund praktikave të tilla, të respektojnë Kushtetutën dhe të garantojnë stabilitet institucional.
“Ekonomia nuk mund të mbahet peng i pazareve politike – çdo ditë bllokimi është një goditje fatale për vendin”.
Edhe përfaqësues të tjerë të bizneseve kanë numëruar pasojat që ka përjetuar ekonomia, prej se ka nisur kriza politike.
Në një tryezë diskutimi që ka organizuar Oda Ekonomike Amerikane, kryetari i saj, Arian Zeka, tha se çdo ditë janë ofruar informata për përkeqësim të shëndetit financiar të bizneseve.
“Çdo ditë marrim informata për sa i përket përkeqësimit të shëndetit financiar të bizneseve dhe rënies së likuiditetit të institucioneve financiare. Ankesat lidhen po ashtu me zvogëlimin e investimeve kapitale nga ana e institucioneve publike në vend. Duke qenë një prej shtyllave kryesore zhvillimore, e cenon edhe rrjedhën e parasë së gatshme dhe shëndetin financiar”.
Kurse, Lorik Fejzullahu i cili përfaqëson një nga bizneset, e paraqiti si problem rënien e investimeve kapitale.
“Kosova është shumë specifike nga shumë vende të tjera të rajonit dhe botës, pasi shpenzimet qeveritare përbëjnë pjesën më të madhe të bruto-produktit vendor. Kjo ka stagnuar në këto vite të qeverisjes, tash edhe me ngërçin politik nuk shihen më tej projekte të tjera zhvillimore dhe kapitale. Ju e dini që pesë-gjashtë komuna të mëdha nuk e kanë buxhetin e aprovuar dhe nuk mund të shpenzojnë fonde. Krejt kjo ka filluar të ndihet në ekonomi”, deklaroi Fejzullahu.
Ndër problemet e ngritura gjatë diskutimeve në këtë tryezë, është edhe obligimi i bizneseve me më shumë se 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, që të dalin në treg të hapur të energjisë.
Me 9 shkurt qytetarët e Kosovës votuan e me 15 prill filluan përpjekjet për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit.
Seanca konstituive e Kuvendit u thirr për herë të parë më 15 prill nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Që atëherë, deputetët kanë mbajtur 54 vazhdime të kësaj seance, të cilat janë udhëhequr nga kryesuesi Avni Dehari, si deputeti më i vjetër i legjislaturës së re.
Për më shumë se 100 ditë, qytetarët plot 54 herë e panë duke e hapur e duke e mbyllur seancën konstituive kryesuesin e saj.
Seancat e dështuara bën që Kosova të mos ketë institucione të reja as pas fiks 6 muajve nga zgjedhjet e 9 gushtit.
E gjithë kjo krizë disamujore vjen si pasojë e mungesës së një marrëveshje politike mes partive parlamentare, pasi asnjëra parti nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.
LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota.Derisa LVV-ja ngul këmbë se Albulena Haxhiu është kandidate meritore, disa prej partive më të mëdha parlamentare, si PDK, LDK dhe AAK, e përjashtojnë atë si “përçarëse”.
Kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, gjatë një konference për media. Fotografi nga arkivi.
PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla. Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.