E hënë, 16 Mars, 2026

Gërxhaliu: Atë që e ke blerë vitin e kaluar me 100 euro, sivjet e paguan me 140

Ndaj

Njohësi i ekonomisë në vend, Safet Gërxhaliu ka folur lidhur me rritjen e inflacionit mbi 6%, e ku tha se mungesa e stabilitetit politik dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, kanë ndikuar që çmimet të pësojnë dhe rritje.

“Kosova nga viti në vit, po hyn në krizë dhe po bartin krizat pa u zgjedhur në këtë drejtim efektet e mungesës së stabilitetit politik ndër vite i kanë dhënë rezultatet e veta negative në aspektin ekonomik, sot Kosova është një shtet i varur nga importi, në vitin 2025 kemi pasur një import rekord mbi 7 miliardë euro, kemi tkurrje të eksporteve të produkteve ‘Made in Kosova’, kemi pak investime nga jashtë dhe e tëra kjo definitivisht po reflekton në rritje të inflacionit, një inflacion që në vitin 2026 e ka arrit një shkallë të lartë mbi 6%”, tha Gërxhaliu për EO.

Gërxhaliu thekson se rritja e çmimeve ka vështirësuar edhe standardin e jetesës së qytetarëve.

“Është e vërtetë që inflacioni është duke i goditur jo vetëm ekonominë në përgjithësi, po në veçanti fuqinë blerëse të qytetarëve të Kosovës, atë që e ke blerë vitin e kaluar me 100 euro sivjet e paguan me 140 euro dhe kjo është vërtetë një pikë shqetësuese që çdo ditë e më tepër duke e varfëru qytetari. Pak kemi kujdes për ekonomi dhe për aspekt social, është një rrethanë e cila vërtetë po e vështirëson standardin e jetesës dhe besoj që është koha kur duhet të mendohet me tepër, që të kemi një dialog të mirëfilltë publiko-privat, të kemi një mbështetje për sektorin privat në veçanti atë prodhues dhe në mënyrë graduale ta ndërprejmë  varshmërinë nga importi sepse vërtetë jemi të varur apo jemi shndërru si një shtet apo një shoqëri 100% e varur nga importi”, tha Gërxhaliu

Ekonomisti Gërxhaliu ka potencuar se shtresa e mesme është zhdukur dhe Kosova është shndërruar në një shtet të varfër.

“Keni më shumë se 30 mijë qytetarë që jetojnë në varfëri, kemi një pjesë të madhe të qytetarëve afër 51% të tyre nuk janë të gatshëm që të përballojnë çdo devijim apo çdo rritje të çmimeve për 200 euro brenda një muaji dhe kur e keni parasysh faktin tjetër që pjesa dërrmuese e qytetarëve të Kosovës janë në kredi në mënyrë të drejtpërdrejtë, kemi tërheqje të over-draftit dhe gjitha këto shkojnë për konsum, ishin që vërtetë situata aktuale është mjaft shqetësuese”, tha ai.

Po ashtu rekomandimet ekonomike në këtë kontekst që jemi është problem me u japë.

“Do të jetë një mjaft shqetësuese që të jepen rekomandime në këtë amulli politike që e ka kapluar Kosovën edhe vendet më të zhvilluara të Evropës, nuk mund ta kenë këtë lluks që brenda një viti kalendarik apo një vit e gjysmë kalendariktë kenë 4 apo 5 palë zgjedhje, të kenë masa apo sanksione nga Bashkimi Evropian, të mos punohet në aspektin e diplomacisë për të përmirësuar imazhin e saj, në këtë drejtim besoj më e para që duhet të ndodhë është stabiliteti politik, e dyta të kemi dialog të mirëfilltë të sektorit publiko-privat, dhe  sektori privat të analizohet dhe vlerësohet si partner në zhvillim dhe jo si diçka për ta ndëshkuar”, shtoi tutje Gërxhaliu.

Agjencia e Statistikave të Kosovës përmes një njoftimi ka informuar se inflacioni është rritur për 6%,  ndërkaq produktet që kanë pësuar rritje janë lëndët djegëse të ngurta si drutë dhe peleti (16,8%), pemët (16,4%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (15,1%), si dhe mishi (14,7%). Shtrenjtim kanë pësuar edhe pushimet e organizuara (13,2%), shërbimet ambulantore (9,6%), shërbimet hoteliere (9,5%), kafeja, çaji dhe kakao (9,3%), si dhe disa kategori të tjera ushqimore dhe shërbimesh. /EkonomiaOnline

Lexo më shumë

Të tjera