E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Gazmend Hoxha mbetet pa kokteja – Policia dështon për të shtatën herë radhazi në tenderin për ushqim e pije

Ndaj

Policia e Kosovës, që menaxhon me armë, arrestime e operacione të ndërlikuara, nuk po ia del mbanë të gjejë një kompani të përgjegjshme që të furnizojë me ushqim dhe pije për koktejet e saj. Tenderi prej mbi 52 mijë eurosh për “festat policore” është anuluar sërish, duke u kthyer në një fenomen të përsëritur të dështimit institucional, tashmë për të shtatën herë me radhë, shkruan Kujdestari.info.

Policia e Kosovës ka anuluar ritenderin për Furnizim me Ushqim dhe Pije për organizimin e Koktejëve.

As pas shtatë herëve, Policia e Kosovës nuk ka arritur që të gjejë një kompani të përgjegjshme për furnizim me ushqim dhe pije për organizimin e koktejëve brenda këtij institucioni të sigurisë.

Për herë të fundit, me 1 shtator, Policia anuloi tenderin prej 52 mijë e 99 eurove, pasi sërish nuk kishin aplikuar operator ekonomik të përgjegjshëm duke mos i plotësuar kërkesat e Autoritetit Kontraktues.

Në ritenderin e hapur nga Policia, kishin ofertuar vetëm tri kompani, e të cilat pas hapjes së dosjes së tenderit, Autoriteti Kontraktues, kishte evidentuar se asnjëra prej tyre nuk i ka plotësuar kriteret për ta fituar këtë tender.

“Anulohet për shkak se asnjë nga ofertat e pranuara nuk janë te përgjegjshme pasi qe nuk i plotësojnë kriteret administrative si dhe nuk i plotësojnë specifikacionet teknike te detyrueshme”, thuhet në arsyetimin e Autoritetit Kontraktues.

Policia e Kosovës në këtë tender kishte paraparë organizimin e koktejëve për pensionimin e policëve të Kosovës, festat e fundvitit për drejtorin e përgjithshëm dhe koktejë për diplomimin e gjeneratave në PK.

Ky tender ishte paraparë të realizohej për tri vite, sipas specifikave të kërkuara, Policia do të organizonte në vitin e parë 70 kokteja për pensionimin e policëve me 3500 pjesëmarrës në përgjithësi. Ndërsa, në vitin e dytë ishin paraparë 60 kokteja me gjithsejt 3000 pjesëmarrës, kurse në vitin e tretë 70 koktejë me 3500 pjesëmarrës.

Tash mbetet të shihet nëse për herën e tetë Policia do ta realizojë tenderin në mënyrë të rregullt apo do të kalojë në procedurë me negocim, si alternativë institucionale /Kujdestari.info/

Po ashtu, Policia e Kosovës kishte kërkuar edhe pije të ndryshme, si lëngje, pije joalkoolike, pije joalkoolike me shije limoni, portokalli, e tjera.

Lexo më shumë

Të tjera