Blerim Haxhiu, kryeredaktori i RTK-së, bashkë me gruan e tij, regjisoren Elmaze Nura, janë duke e rritur pasurinë e tyre ndjeshëm në kohën e qeverisjes së Albin Kurtit. Në bazë të deklarimit të pasurisë, që nga viti 2020 ata kanë blerë në forma të ndryshme plot 4 banesa me vlerë totale prej 388 mijë eurosh.
Ndërkohë, Haxhiu, pavarësisht këtyre blerjeve, ia ka dalë të kursejë plot 93 mijë euro, të cilat i ka në konto. Këtu qëndron edhe shpërputhja. Ai, bashkë me gruan dhe fëmijët, ka të ardhura të deklaruara pak më pak se 2700 euro në muaj.
Përveç kësaj, ka dy kredi aktive, të cilat, nëse janë marrë me 5 për qind interes, i bie që këstet mujore të dyjave bashkë shkojnë afro 1500 euro, pasi janë afatshkurtra – njëra 5 vjeçare e tjetra 3 vjeçare. Në këtë rast, familjes i mbesin rreth 1200 euro në muaj për të gjitha shpenzimet e jetesës.
Megjithatë, sipas deklarimit, ata kanë arritur jo vetëm t’i përballojnë këto, por edhe të blejnë disa banesa shtesë dhe të kursejnë gati 100 mijë euro. Por, a është kjo e mundur në praktikë?
Gruaja e Haxhiut, Nura, udhëheq një OJQ të njohur tashmë, të quajtur Cult Club, e cila ka përfituar për tri vitet e ardhshme shuma të mëdha financiare. Nën qeverisjen Kurti, përfitimet e kësaj OJQ-je, së bashku me përfitimet e tjera familjare nga Ministria e Kulturës, shkojnë në mbi 200 mijë euro. Megjithatë, fondet e OJQ-ve janë të detyruara të përdoren për projekte dhe të arsyetohet secili shpenzim.

