Tender

Gati 600 mijë euro për tubat në QKUK: Mostrat e pacientëve nuk do të barten më me duar

Nga Kujdestari Media

Në objektin ku gjendet Shërbimi Emergjent në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është e vendosur edhe Klinika e Biokimisë dhe Mjekimi Intensiv Qendror, shkruan Gazeta Shneta.

Emergjenca dhe Intensiva mostrat e pacientëve për analiza i bartin me duar deri në laboratorët e Klinikës së Biokimisë. Por këto dy klinika së shpejti pritet të lidhen me laboratorët përmes tubave pneumatik për transportimin e mostrave.

Për këtë punë QKUK do të paguaj gati 600 mijë Euro.

Tenderi i është dhënë grupit të kompanive “KEIS” dhe “EgoElsa”. Vlera e kontratës është 593,000.00 Euro.

Skema më poshtë është marr nga dosja e tenderit. Në këtë skicë ilustrohet se si do të bëhet vendosja dhe lidhja e dy njësive me tuba pneumatikë.

“Dy stacione dërgimi me specifikimet e mëposhtme për secilin stacion: kapacitet maksimal 800 tuba mostrash në orë ose më mirë, vendosje manuale e tubave individualë të mostrave, orientim automatik i tubave, dimensione të jashtme jo më të mëdha se 160 x 40 x 45 cm (lartësi x gjerësi x thellësi) dhe peshë jo më shumë se 90 kg, montim në mur, presion i furnizimit me ajër 3–9 barg, lidhje LAN. Furnizimi elektrik: 230V/50Hz. Një stacion dërgimi i instaluar në Klinikën Emergjente. Stacioni i dytë i dërgimit i instaluar në Njësinë e Kujdesit Intensiv”, thuhet në dosjen e tenderit.

Sipas dosjes, gjatësia e tubave nga dy njësitë Emergjenca dhe Intensiva për në laborator, do të jetë nga afërsisht 50 metra.

“Linja 1: Nga stacioni i dërgimit në Klinikën Emergjente, kati i 1-rë, deri te njësia pranuese në laborator, kati i 3-të. Gjatësia e linjës: 50 metra (afërsisht). Linja 2: Nga stacioni i dërgimit në Njësinë e Kujdesit Intensiv, kati i 4-të, deri te njësia pranuese në laborator, kati i 3-të. Gjatësia e linjës: 50 metra (afërsisht)”, thuhet në dosje.

QKUK i ka rreth 38 njësi, shërbime dhe klinika. Të gjitha këto njësi shërbehen me shërbime biokimike nga Klinika e Biokimisë. Disa prej klinikave kanë laboratorë të cilët punojnë vetëm në ndërrimet e paradites kurse pasdite dhe natën mostrat dërgohen nga stafi infermieror në laboratorin qendror të Biokimisë. /Gazeta Shneta