Energjia e pastër ofron mundësinë për të reduktuar ndjeshëm varfërinë energjetike në rajon dhe për të përmirësuar cilësinë e ajrit, duke ulur kostot dhe ndikimet shëndetësore për familjet dhe shoqërinë. Sipas Institutit GAP, nëse do të hiqeshin subvencionet për lëndët djegëse fosile, energjia e pastër do të ishte më e lirë dhe më e qasshme për qytetarët, duke ndihmuar kështu në uljen e varfërisë energjetike, raporton Kujdestari.info.
Në këtë kontekst, të premten e kaluar, Instituti GAP ka mbajtur një ngjarje me komunitetin në Obiliq, ku është diskutuar koncepti i Politikave Industriale të Gjelbra – çfarë nënkuptojnë ato për qytetarët, për punëtorët e termocentraleve me qymyr, si dhe mënyrat se si kalimi drejt energjisë së pastër mund të krijojë mundësi të reja për zhvillim ekonomik e punësim.
Ngjarja u organizua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Ballkanit Perëndimor përmes Politikave Industriale të Gjelbra”, i cili mbështetet nga Fondacionet e Shoqërisë së Hapur – Ballkani Perëndimor (Open Society Foundations Western Balkans).
Gjatë diskutimeve, përfaqësues të GAP-it theksuan se tranzicioni i gjelbër nuk nënkupton vetëm ndryshime teknologjike, por edhe transformim social – përfshirë trajnimin e punëtorëve, zhvillimin e aftësive të reja dhe krijimin e vendeve të reja të punës që garantojnë një të ardhme më të drejtë për komunitetet që sot varen nga qymyri.
Sipas GAP-it, përfitimet e energjisë së pastër janë të shumëfishta: ulje e ndotjes së ajrit, kursim i buxheteve familjare dhe përmirësim i cilësisë së jetës, sidomos në komunat më të prekura nga ndotja industriale si Obiliqi.
