E mërkurë, 4 Mars, 2026

GAP: 4 miliardë euro buxhet, por me projekte të vjetra dhe paga të 13-ta jashtë rregullave

Ndaj

Instituti GAP ka publikuar raportin “Projektbuxheti 2026 – Analizë e të hyrave dhe shpenzimeve”, në të cilin evidentohen një sërë mangësish në planifikimin buxhetor, përfshirë mungesën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe mospërshtatjen e buxhetit me strukturën e re qeveritare, raporton Kujdestari.info.

Sipas raportit, Qeveria e Kosovës e ka miratuar më 12 shkurt 2026 projektbuxhetin për vitin 2026, mirëpo versioni i miratuar mbetet i njëjtë me atë që ishte aprovuar më 31 tetor 2025 nga qeveria në detyrë. Ky projektbuxhet nuk reflekton strukturën e re të ekzekutivit, i cili tashmë ka 19 ministri.

Një tjetër problem i evidentuar është fakti se projektbuxheti nuk është përgatitur mbi bazën e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve për periudhën 2026–2028, pasi kjo kornizë nuk është miratuar dhe publikuar fare.

Buxheti i Kosovës për vitin 2026 parashihet të arrijë në rreth 4 miliardë euro, që paraqet një rritje prej 10% krahasuar me vitin 2025.

Shpenzimet rrjedhëse pritet të arrijnë në rreth 2.9 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 279 milionë euro apo 11% dhe duke përbërë 73% të totalit të buxhetit. Ndërkohë, shpenzimet kapitale parashihen të arrijnë në 998.4 milionë euro, që është një rritje prej 67.1 milionë euro apo 7%, dhe përbëjnë 25% të buxhetit.

Raporti thekson se gjatë periudhës 2019–2025, subvencionet dhe transferet pothuajse janë dyfishuar, ndërsa investimet kapitale janë rritur vetëm për rreth 35%, duke kufizuar potencialin për zhvillim ekonomik përmes projekteve infrastrukturore.

Buxheti i nivelit qendror, pa përfshirë pagesat e interesit të borxhit publik, do të arrijë në rreth 3 miliardë euro, ndërsa ai i nivelit lokal në rreth 867 milionë euro.

Pjesa më e madhe e rritjes në nivel qendror shkon për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me rritje prej 174 milionë euro apo 17%.

Në këtë ministri, vetëm për pensionet planifikohet një rritje prej 95 milionë euro apo 20%, ndërsa për skemën e lehonave dhe shtesat për fëmijë rritja arrin në 75 milionë euro apo 52%, duke kapur vlerën totale prej 220 milionë euro.

Ndërkohë, buxheti për shëndetësi pritet të arrijë në 396 milionë euro, me rritje prej 10%, ndërsa ai për arsim në 408.7 milionë euro, me rritje prej 6%. Sektori i drejtësisë shënon rritje më modeste prej rreth 2%.

Megjithatë, raporti thekson se në sektorët tjerë nuk ka ndryshime të mëdha dhe nuk adresohen nevojat për zbatimin e strategjive kyçe, si ajo e energjisë.

Për herë të parë, projektbuxheti përfshin edhe pagën e 13-të për sektorin publik.

Megjithëse fatura e përgjithshme e pagave mbetet brenda kufijve fiskalë, GAP vlerëson se kjo nuk është në harmoni me Ligjin e Pagave dhe përbën ndërhyrje ad-hoc, ngjashëm me ndryshimet e koeficientëve të vitit të kaluar.

Sipas raportit, mbi 81% e buxhetit për investime kapitale në vitin 2026 është i dedikuar për projekte që vazhdojnë nga vitet e kaluara, ndërsa projektet e reja janë të pakta dhe kryesisht me vlera të vogla.

Mosrealizimi i investimeve mbetet shqetësues. Vetëm gjatë periudhës 2021–2024, investimet kapitale janë realizuar rreth 1 miliard euro më pak se sa ishte planifikuar, duke reflektuar dobësi në planifikim dhe zbatim.

Raporti vlerëson se kjo ka krijuar kosto të konsiderueshme për ekonominë dhe qytetarët, duke humbur mundësi zhvillimi.

Shpërndarja e investimeve kapitale për komuna vazhdon të jetë joproporcionale me popullsinë dhe sipërfaqen, ndonëse është më e balancuar nga aspekti politik.

Gjithashtu, 11 komuna e kanë miratuar buxhetin me vonesë, ndërsa Kuvendi ka të drejtë ligjore të bëjë ndryshime gjatë procesit të miratimit.

Një praktikë pozitive, sipas GAP, është fakti se buxhetet e komunave nuk janë ulur, edhe në rastet kur ato kanë pasur rënie të popullsisë.

Megjithatë, raporti kritikon edhe mungesën e transparencës, pasi dokumenti informues për qytetarët nuk është publikuar me kohë.

Po ashtu, projektbuxheti vazhdon të mos përfshijë perspektivën gjinore dhe mungon analiza e ndikimit të politikave buxhetore në barazinë gjinore./Kujdestari.info/

Për më shumë raportin mund ta gjeni duke klikuar këtu.

Lexo më shumë

Të tjera