Projekti i kanalizimit në Sllatinë e Madhe është shndërruar në një shembull tipik të keqmenaxhimit komunal dhe neglizhencës institucionale. Punimet janë braktisur pas vetëm 190 metrash, kontrata nuk është shkëputur, dhe Komuna nuk ka konfiskuar siguracionin bankar të kompanisë. Për më tepër, ujërat fekalë përfundojnë direkt në lumin Drenica, duke krijuar rrezik mjedisor dhe për shëndetin. Demokracia.com sjell detaje mbi këtë projekt që ka ngritur dyshime serioze për menaxhimin e fondeve publike.
Kontrata në mes të Komunës së Fushë-Kosovës dhe kompanisë “V-Shala” Sh.p.k., me vlerë prej 472 mijë euro, është nënshkruar më 4 dhjetor 2023, ndërsa punimet është dashur të përfundojnë më 30 gusht 2024. Megjithatë, nga gjatësia totale e kontraktuar prej 5,030 metrash, janë realizuar vetëm rreth 190 metra, apo afërsisht 4% e punimeve.
Demokracia.com ka mësuar se kompania ka braktisur punimet, duke mos u paraqitur në vendin e punës për disa muaj. Gjatë kësaj periudhe, Komuna në cilësinë e autoritetit kontraktues i ka dërguar disa njoftime përmes emailit, por kompania nuk i kishte kthyer përgjigje.
Pavarësisht kësaj, Drejtoria e Prokurimit nuk e ka shkëputur kontratën, ndërkohë që një shkëputje e tillë nuk figuron në sistemin e e-Prokurimit.
Sipas Neni 37 të kontratës, autoriteti kontraktues mund ta ndërpresë kontratën në rast të shkeljeve themelore, siç janë ndërprerja e punës për më shumë se 15 ditë pa autorizim, ose moskorrigjimi i defekteve brenda afateve të përcaktuara.

Megjithatë, asnjë nga këto masa ligjore nuk është ndërmarrë.
Për më tepër, Komuna nuk e ka zbatuar as detyrimin për konfiskimin e siguracionit bankar të kompanisë, në vlerë prej 47 mijë euro, edhe pse punimet janë pezulluar. Kjo përbën shkelje të qartë të procedurave të prokurimit publik.

Mësohet se menaxheret e kontratës kanë paguar të paktën 2 situacione në shumën prej 57,600 euro.
Ekspertiza e paramasës dhe paralogarisë tregon se gërmimet, betonimi dhe sasia e punimeve janë të fryra në mënyrë të konsiderueshme, sidomos tek gërmimi i dheut dhe ndërtimi i puseteve.
Për më tepër, projekti është inicuar pa projekt kryesor, pa profil tërthor, pa profil gjatësor dhe pa koordinata të terenit, duke e bërë tenderin të bazuar vetëm në një paramasë paushalle, pa dokumentacion teknik të vlefshëm.
Një tjetër anomali e madhe lidhet me vendosjen e dy gypave paralel DN-1000 (të njohur si fi 1000) për një fshat me vetëm 1,600 banorë.
Sipas inxhinierëve të konsultuar nga Demokracia.com, një gyp i tillë përdoret zakonisht vetëm në rrjete kryesore urbane, ku derdhen ujërat e zeza të mijëra banorëve në ditë.

Në rastin e Sllatinës së Madhe, një gyp DN-400 apo DN-500 do të ishte më i mjaftueshëm, bazuar në standardet e ngarkesës dhe praktikën e rrjeteve ekzistuese, si p.sh. në lagjen Dardania të Fushë-Kosovës, ku qarkullon shumë më tepër ujë fekal se në këtë fshat, gypi është 500 mm, i vëndosur që para luftës.
Për më tepër, Komuna ka planifikuar vendosjen e dy gypave paralel DN-1000, që zakonisht përdoren për ndarjen e ujërave fekale nga ato atmosferike në projekte të mëdha rrugore. Në këtë rast, të dy gypat derdhin në të njëjtin drejtim, në vend që të kenë funksione të ndara.
Kontraktori ka vendosur rreth 200 metra të tillë gypash, përpara se të braktiste plotësisht punimet. Vendosja e tillë nuk ka asnjë arsyetim teknik dhe vetëm rrit koston e projektit në mënyrë artificiale.

Sipas dokumenteve që ka siguruar Demokracia.com, kanalizimi fekal përfundon duke u derdhur në lumin Drenica, në fshatin Bardh i Vogël, e jo në ndonjë impiant, një veprim që përbën skandal mjedisor dhe rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin publik.

Në ndërkohë, kanalizimi ekzistues, me gyp DN-400, i vendosur bri të riut, pak metra më larg, vazhdon të jetë funksional dhe mjaftueshëm kapacitar për nevojat e fshatit.
Bazuar në paramasën e kontratës, çmimet e ofruara nga kompania janë anormalisht të ulëta dhe të pazbatueshme në praktikë. Për shembull, furnizimi, transporti dhe mbulimi i gypave me rërë është ofertuar me vetëm 2 euro për metër kub, ndërsa çmimi real në treg është rreth 10 euro, pa përfshirë shpenzimet e montimit.
Se paramsa ishte e fryer dhe nuk ishte ne harmoni me projektin kanë konfirmuar edhe burime të Komunës për Demokracia.com. “Në paramasën e projektit për kanalizimin në Sllatinë të Madhe vërehen mospërputhje të dukshme ndërmjet dimensioneve të gypave dhe pusetave të betonit. Është paraparë përdorimi i gypave DN-1000, të cilët janë të një diametri shumë të madh për rrjet fekal lokal dhe kërkojnë pusetë të përshtatura për pastrim dhe mirëmbajtje. Megjithatë, në paramasë, pusetat janë përshkruar në mënyrë të paqartë dhe jo në përputhje me standardet, me dimensione të ndryshme (1.5×1.5 m në hyrje dhe 1.5×2.5 m në dalje), që praktikisht nuk korrespondojnë me linjën e dyfishtë të gypave DN-1000. Kjo krijon rrezik të mbylljes së qarkut hidraulik, vështirësi në pastrim dhe mosfunksionim të sistemit gravitar. Për më tepër, forma konusoide e pjesës së sipërme të pusetave, siç figuron në paramasë, nuk mundëson pastrim efektiv për diametra të tillë, çka nënkupton se projekti është hartuar pa koordinim teknik. Megjithëkëtë nuk e di nëse janë ndërtuar dy apo katër këso puseta nga kontraktori që ka braktisur kontratën”, ka thënë ky burim.

Demokracia.com i ka dërguar Komunës së Fushë Kosovës pyetje lidhur me arsyet e vonesës, pagesat e kryera, statusin e kontratës, si dhe justifikimin për vendosjen e dy gypave DN-1000. Komuna nuk ka kthyer asnjë përgjigje. /Demokracia.com/

