Fermerët kanë korrur e vjelur disa prej prodhimeve bujqësore për këtë vit, por ende nuk i kanë marrë subvencionet, pagesat direkte financiare nga Ministria e Bujqësisë, raporton KosovaPress.
Ndonëse, me vonesë krahasuar me vitin e kaluar, disa fermerë kanë nisur t’i pranojnë këto ditë vendimet nga Ministria e Bujqësisë për këtë mbështetje financiare.
Për vonesa të subvencioneve po ankohen disa fermerë, të cilët thonë se për shkak të saj po u vështirësohet puna në bujqësi.
Ata kërkojnë nga Ministria e Bujqësisë të fillojnë sa më shpejtë procedurat për ekzekutimin e pagesave.
Sipas Vehapit i cili këtë vit kishte mbjellur rreth 120 hektarë me grurë, vonesat sjellin vështirësi financiare, pasi shumë fermerë nuk kanë pasur fitime të mjaftueshme këtë vit për të mbuluar shpenzimet e punës në tokë.
Ai paralajmëron se nëse subvencionet nuk dalin në kohë, një pjesë e madhe e tokave mund të mbeten të papunuara.
Edhe fermeri Bunjamin Jashanica shpreh nevojën që subvencionet të shpërndahen më herët, duke theksuar se vonesat e vitit të kaluar kanë krijuar vështirësi në përgatitjet për sezonin e punës bujqësore.
Ai tregon se subvencionet përfundimtare i ka pranuar në dhjetor, një periudhë kur mbjelljet tashmë kishin përfunduar. Sipas tij, fermerët kanë nevojë për mbështetje financiare që në shtator, pasi atëherë fillojnë përgatitjet në arë, si lërimi i tokës, ndërsa në tetor nis mbjellja.
Ndërkaq, në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Ministria e Bujqësisë, përkatësisht Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB), bën të ditur se vonesat në procesin e këtij viti janë rezultat i nisjes së thirrjes për aplikim më vonë se zakonisht.
Siç thonë ata procesi i shtypjes së Vendimeve për Pagesat Direkte për programin e vitit 2025 ka filluar më 20 korrik 2025 dhe vazhdon ende.
AZHB-ja njofton se janë shtypur mbi 10 mijë vendime nga afro 34 mijë aplikues, derisa vlera totale arrin rreth 17 milionë euro.
“Ju njoftojmë se procesi i shtypjes së Vendimeve për Pagesat Direkte për programin e vitit 2025 ka filluar më 20.07.2025 dhe është duke vazhduar. Deri më tani për gjithsej 33,781 aplikues, janë shtypur 10,240 vendime në një vlerë të përgjithshme prej afërsisht 17 milionë Euro. Pritet që këto pagesa të ekzekutohen së shpejti, ndërkohë që aplikimet e mbetura janë në fazën e kontrollit administrativ ose të kontrollit në terren. Arsyeja pse këtë vit jemi me vonesë përafërsisht 20 ditë kalendarike, qëndron se këtë vit thirrja për aplikim ka filluar gati me një muaj vonesë krahasuar me vitin e kaluar”, thonë nga AZHB-ja për KosovaPress.