E hënë, 15 Dhjetor, 2025

Familjet shqiptare po shpenzojnë më shumë, rreth 40 për qind shkojnë për ushqime dhe pije joalkoolike

Ndaj

Shpenzimet mesatare mujore të një familjeje në Shqipëri, e cila përbëhet mesatarisht nga 3.1 persona, kanë arritur në rreth 93 mijë lekë ose 961 euro, duke shënuar një rritje prej 1.5% krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, qarku i Tiranës kryeson me shpenzime mesatare mujore prej afro 108 mijë lekësh ose 1 mijë e 116 euro, ndjekur nga Korça dhe Durrësi. Nga ana tjetër, familjet në Kukës dhe Dibër renditen në fund, me rreth 75 mijë lekë ose rreth 707 euro në muaj, çka pasqyron pabarazi te dukshme rajonale në nivelin e jetesës.

INSTAT thekson se ushqimet dhe pijet joalkoolike mbeten zëri kryesor në buxhetet familjare, duke zënë 39.6% të totalit të konsumit. Brenda këtij grupi, pjesa më e madhe e shpenzimeve i shkon perimeve, mishit dhe nënprodukteve të tij, si dhe bukës e drithërave, tregues se struktura e konsumit mbetet e përqendruar tek nevojat bazë.

Në vijim, shpenzimet për banesën, ujë, energji elektrike dhe qira zënë 9.6% të totalit. Gjatë vitit 2024, grupet me rritjen më të madhe të shpenzimeve rezultuan mobilimi dhe mirëmbajtja e banesës (+5.7%), transporti (+5.2%) dhe veshje e këpucë (+4.4%), transmeton RTSH.

Këto të dhëna pasqyrojnë jo vetëm rritjen e kostove të jetesës, por edhe ndryshimet graduale në mënyrën e konsumit, teksa familjet shqiptare përpiqen të përshtaten me inflacionin e qëndrueshëm dhe rritjen e çmimeve në mallrat e përditshme.

Lexo më shumë

Të tjera