Kompania shtetërore energjetike e Maqedonisë së Veriut, AD ESM, ka dhënë detaje të reja rreth marrëveshjes trevjeçare të lidhur me Korporatën Energjetike të Kosovës për shfrytëzimin e rreth tre milionë tonëve qymyr nga Kosova, shkruan Kujdestari.info.
Në komunikatën e saj, kompania maqedonase ka bërë të ditur edhe përfitimet që pret t’i ketë nga qymyri i Kosovës, duke dhënë shifra konkrete për prodhimin e energjisë elektrike dhe efektin financiar të marrëveshjes. (KOMUNIKATA)

Sipas ESM-së, djegia e qymyrit të Kosovës pritet ta rrisë ndjeshëm efikasitetin e termocentraleve të saj. Kompania pretendon se kjo do të mundësojë rreth 800 GWh prodhim shtesë të energjisë elektrike në vit, nga i cili pret të realizojë rreth 57 milionë euro të hyra vjetore.
Efekti financiar, sipas kompanisë maqedonase, pritet të jetë edhe më i madh për shkak të zvogëlimit të nevojës për përdorimin e mazutit gjatë procesit të djegies.
ESM ka dhënë edhe përllogaritje për ndikimin në emetimet e CO2. Kompania pretendon se përdorimi i qymyrit nga Kosova do të mundësojë reduktimin e emetimeve për rreth 923 mijë tonë CO2 në vit, si rezultat i nevojës për djegien e një sasie më të vogël të qymyrit. Edhe 55,980 tonë CO2 të tjera në vit, sipas ESM-së, pritet të reduktohen për shkak të përdorimit më të vogël të mazutit.
Derisa KEK-u flet për një kontratë për shitjen e qymyrit, ESM në komunikatën e saj thotë se përmes marrëveshjes ka fituar “koncesion në minierën në Obiliq” dhe mundësinë për eksploatimin e rreth tre milionë tonëve qymyr gjatë 36 muajve.
Edhe dokumentacioni i tenderit i KEK-ut tregon se blerësit i mundësohet që në hapësirat minerare, me pajisjet e veta, të bëjë eksploatimin, përpunimin, ngarkimin dhe transportimin e qymyrit.
ESM ka zbuluar edhe se për realizimin e këtyre punëve do të përfshihet një operator ekonomik. Kompania maqedonase ka paralajmëruar se deri në fund të gushtit do të shpallë tender për zgjedhjen e një operatori i cili, gjatë tre viteve të ardhshme, do të kryejë gërmimin, analizimin e cilësisë dhe ngarkimin e qymyrit në Obiliq, si dhe transportin, shpedicionin dhe shkarkimin e tij në depot e termocentraleve të Manastirit dhe Osllomesë.
Sipas ESM-së, vetëm pas përfundimit të përzgjedhjes së këtij operatori dhe fillimit të punës së tij do të nisë realizimi operacional i marrëveshjes me KEK-un.
KEK-u ka theksuar se me marrëveshjen e drejtpërdrejtë me ESM-në janë eliminuar operatorët privatë që më parë shërbenin si ndërmjetësues në shitjen e qymyrit. Në anën tjetër, ESM njofton se do të angazhojë një operator ekonomik për eksploatimin dhe gjithë procesin logjistik. Në këtë rast, operatori nuk do të jetë ndërmjetësues në blerjen e qymyrit, por kontraktues i ESM-së për kryerjen e këtyre shërbimeve.
Kompania maqedonase ka dhënë detaje edhe për sasinë që realisht mund të transportohet nga Kosova.
Drejtori i përgjithshëm i ESM-së, Lazo Uzunçev, ka deklaruar se nevojat vjetore të kompanisë për qymyr shtesë gjatë periudhës 2027-2030 vlerësohen në rreth 1.4 milion tonë në vit- rreth 600 mijë tonë për Termocentralin e Osllomesë dhe 800 mijë tonë për Termocentralin e Manastirit.
Megjithatë, sipas analizave logjistike të kompanisë, kapaciteti i pikës kufitare në Bllacë mundëson kalimin maksimal të rreth 120 kamionëve në ditë, përkatësisht rreth 3 mijë tonëve qymyr në ditë.
Për këtë arsye, ESM vlerëson se sasia maksimale reale që mund të transportohet nga KEK-u është rreth 800 mijë tonë në vit.
ESM ka folur në mënyrë më të detajuar edhe për cilësinë e qymyrit të Kosovës. Sipas kompanisë maqedonase, analizat laboratorike kanë treguar se qymyri ka përmbajtje të ulët të squfurit dhe hirit dhe një vlerë mesatare kalorike prej rreth 1,950 kcal/kg. Kompania thotë se këto karakteristika përshtaten me parametrat e termocentraleve të Manastirit dhe Osllomesë. /Kujdestari.info/