E enjte, 19 Mars, 2026

Energjia shtrenjtohet, çmimet ‘fluturojnë’ – ekonomistët paralajmërojnë situatë shqetësuese

Ndaj

Pas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, një numër i bizneseve në Kosovë po shqyrtojnë mundësinë e largimit të investimeve nga vendi.

Kostoja e rritur e energjisë, si pasojë e këtij vendimi po i detyron kompanitë të rikonsiderojnë planet e tyre zhvillimore, duke parë alternativa më të favorshme në rajon, përfshirë Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

 

Përfaqësues të komunitetit të bizneseve kanë paralajmëruar se kjo situatë po krijon rrezik real për ikjen e kapitalit dhe ngadalësimin e zhvillimit ekonomik në vend.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar për një situatë shqetësuese në ekonominë vendore, duke thënë se disa biznese tashmë kanë nisur kontaktet me rajonin për të shqyrtuar mundësinë e zhvendosjes së investimeve.

“Ka biznese që janë të interesuar për të investuar në rajon dhe veç kanë filluar kontaktet me Maqedoninë e veriut dhe Shqipërinë për ti parë kushtet dhe mundësitë për me tërheq investimin prej Kosovës”, u shpreh ai.

 

Sipas tij, kjo vjen si pasojë e rritjes së inflacionit i cili tashmë ka arritur në 4.5%, duke tejkaluar pritjet e OEK-ut për këtë periudhë.

Rafuna për “Front Online” ka paralajmëruar se çmimet pritet të rriten edhe më tej.

“Inflacioni 4.5% është shqetësuese se është duke u rritur me ritëm më të shpejtë sesa që ne si OEK e kemi paraparë që fillimi i nëntorit do ta kaloj 4% e jemi në mes shtator dhe çmimet padyshim që do të shtrenjtohen dhe ASK ka thënë se faktori kryesor që ka ndikuar është rritja e energjisë elektrike”, tha ai.

AKBBizneset po e largojnë kapitalin nga Kosova për shkak të kostove të larta

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka ngritur shqetësime lidhur me ndikimin e vendimit të ZRRE-së për rritjen e çmimit të energjisë në sektorin privat.

 

Ai konfirmoi se shumë prej bizneseve po bartin një pjesë të kapitalit jashtë Kosovës.

“Nuk kemi numër të saktë të biznese që po operojnë në rajon pas vendimit të ZRRE. Shumë operator kanë programuar riorganizimin e kompanisë dhe disa janë duke e bartë një pjesë të kapitalit të vetë jashtë Kosovës”, thotë Shahini.

Sipas Shahinit, viti 2025 po shënon një trend të ri jo vetëm ikje të të rinjve, por edhe të kapitalit.

“Për herë të parë në Kosovë në 2025 po shënohen jo vetëm ikja e të rinjve por edhe ikja e kapitalit për shkak të infrastrukturës ligjore dhe fizike të shtrenjtë këta kjo po e bënë të shtrenjtë Kosovën për investime. Janë rritur çmimet për shërbime nga bizneset për të kalkuluar këtë shtrenjtim të energjisë drejt shërbimeve të veta”, theksoi Shahini.

Lexo më shumë

Të tjera