Kalimi i Kosovës në tregun e hapur energjetik duket se nuk ka mobilizuar vetëm kompanitë private dhe investitorët vendorë e ndërkombëtarë, por po tërheq gjithnjë e më shumë interes edhe nga figura politike e publike në vend, shkruan Kujdestari.info.
Një sektor që deri para pak vitesh shihej si teknik dhe i rezervuar për operatorë të mëdhenj, tashmë po shndërrohet në një prej tregjeve më joshëse për investime, sidomos pas liberalizimit gradual të energjisë dhe rritjes së interesit për prodhimin e energjisë elektrike.
Deklarimet e fundit të pasurisë së zyrtarëve publikë nxjerrin në pah një sërë zhvillimesh të reja. Blerje banesash me kredi, hapja e bizneseve dhe shtimi i pronave të paluajtshme janë disa prej ndryshimeve që bien në sy tek deputetët dhe zyrtarët publikë.
Në mesin e këtyre zhvillimeve figuron edhe ish deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e cila ka deklaruar se bashkëshortit të saj i janë shtuar dy kompani të reja: “Living Energy” dhe “Living Energy Tech”.

Këto kompani janë të fokusuara në transmetimin dhe prodhimin e energjisë elektrike, një sektor që po konsiderohet ndër më perspektivët në Kosovë pas hapjes së tregut energjetik.
Në këto kompani aksionarë rezultojnë katër persona, ndër ta edhe ish-deputeti Berat Rukiqi, ndersa bashkëshorti i Doarsa Kica-Xhelili figuron si bashkëpronar në të dy kompanitë edhe person i autorizuar.
Sipas të dhënave të regjistrimit, të dy kompanitë janë hapur në janar të vitit 2025.
Rukiqi, ashtu edhe Kica-Xhelili, janë kandidatë për deputet në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. /Kujdestari.info/



