Problemet me tenderët e Komunës së Vushtrrisë nuk po ndalen. Pas kontratave të kontestuara për avokatë dhe asfaltim rrugësh, tashmë edhe tenderi për furnizim e montim të pompave të ujit ka përfunduar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), shkruan Kujdestari.info
Bëhet fjalë për një kontratë me vlerë të parashikuar prej 55,696 euro, e shpallur më 4 qershor 2025, përmes procedurës së hapur dhe me kriterin e dhënies së kontratës sipas çmimit më të ulët. Në këtë aktivitet kishin dorëzuar ofertat e tyre katër operatorë ekonomikë.
Anulimi i befasishëm
Më 9 korrik 2025, Komuna e Vushtrrisë publikoi vendimin për anulimin e tërësishëm të tenderit, duke mos kaluar asnjë nga ofertat në fazën e vlerësimit.
Dy ditë më vonë, më 14 korrik, kompania “N.N.P. Hysnia” nga Prishtina, një nga operatorët pjesëmarrës, paraqiti kërkesë për rishqyrtim. Ata pretenduan se oferta e tyre ishte më e ulëta dhe brenda buxhetit të parashikuar, prandaj anulimi ishte i pajustifikuar.
Por komuna i hodhi poshtë këto pretendime. Në vendimin nr. 744/25 të datës 16 korrik 2025, autoriteti kontraktues u thirr vetëm në nenin 62 të Ligjit për Prokurim Publik (LPP), duke arsyetuar se “në procedurë kanë ndodhur shkelje ligjore që nuk mund të korrigjohen me amendamente”.
Një arsyetim i tillë u konsiderua nga operatori si i përgjithshëm dhe i paqartë. Për këtë arsye, më 28 korrik 2025, “Hysnia” e çoi rastin në OSHP, duke dorëzuar ankesën me numër 2025/0699.
Pretendimet e kompanisë
Në ankesën e saj, “Hysnia” ngriti disa akuza ndaj komunës:
- Mungesë transparence, pasi nuk ishte publikuar Formulari B58 për anulimin e aktivitetit.
- Mungesë arsyetimi ligjor, sepse pretendimet ankimore nuk ishin trajtuar një nga një.
- Anulim i paligjshëm, duke qenë se kishte ofertë të përgjegjshme brenda buxhetit.
- Konkurrencë e rrezikuar, pasi një operator tjetër kishte dhënë çmime “jo normalisht të ulëta”.
Çfarë tha eksperti i OSHP-së?
Eksperti shqyrtues i angazhuar nga OSHP konstatoi se autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me ligjin.
“Komuna e Vushtrrisë nuk ka dhënë arsyetim të plotë për secilin pretendim të operatorit ankues, siç e parasheh neni 108/A i LPP-së. Refuzimi i kërkesës për rishqyrtim është bërë me një vendim të përgjithshëm, pa elaborim ligjor dhe faktik”, thuhet në raportin e ekspertit.
Eksperti shtoi se edhe shpjegimi i komunës se “specifikimet teknike nuk përputheshin me nevojat reale të njësisë kërkuese” nuk është i mjaftueshëm:
“Ky arsyetim nuk është i qartë dhe nuk tregon se cilat specifikime konkrete kanë qenë problematike. Autoriteti kontraktues duhej të sqaronte në mënyrë të detajuar pse ky tender nuk mund të vazhdohej”.
Ne fund ai ka shkruar “Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti shqyrtues i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për anulim të aktivitetit të prokurimit dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”
Çfarë pritet më tej?
Raporti i ekspertit tashmë i është dorëzuar Panelit Shqyrtues të OSHP-së, i cili duhet të marrë vendim përfundimtar. Nëse Paneli pajtohet me konstatimet e ekspertit, atëherë ekziston mundësia që anulimi i komunës të shpallet i pavlefshëm, dhe tenderi të kthehet në procedurë të rregullt për rivlerësim.
Ky rast është i treti brenda pak muajsh ku tenderët e Komunës së Vushtrrisë përfundojnë në OSHP, duke ngritur dyshime për mënyrën se si menaxhohen procedurat e prokurimit në këtë komunë. /Kujdestari.info/
