Në prokurimin publik, ndonjëherë mjafton një raport për ta nxjerrë një institucion në “offside” ligjor. Kjo po ndodh edhe me një aktivitet të Policisë së Kosovës, ku raporti i ekspertit të Organit Shqyrtues të Prokurimit ka konstatuar shkelje të qarta ligjore në anulimin e nje tenderi, shkruan Kujdestari.info.
Një tender i Policisë së Kosovës për punime në një stacion policor është anuluar për shkak të një gabimi në emërtimin e lokacionit, por sipas raportit të ekspertit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ky veprim është bërë në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik. Eksperti ka konstatuar se pasaktësia administrative në dokumentacion e shkaktuar nga vetë autoriteti kontraktues nuk përbën bazë ligjore për anulimin e procedurës.
Edhe pse vendimi nuk është ende i plotfuqishëm pa verdiktin e panelit, mesazhi është i qartë se procedura është zhvilluar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, ndërsa anulimi është mbështetur në arsyetime administrative që nuk qëndrojnë juridikisht.
Raporti i ekspertit, i autorizuar nga vetë paneli i OSHP-së e vendos prokurimin e Policisë në një pozitë të brishtë, ku formalisht pritet vendimi final, por praktikisht shkelja tashmë është konstatuar.
Eksperti ka konstatuar se autoriteti kontraktues ka anuluar procedurën duke u mbështetur në një pasaktësi administrative rreth emërtimit të lokacionit të realizimit të punimeve, një gabim që sipas raportit, buron nga vetë dokumentacioni i hartuar nga Policia e Kosovës dhe që nuk përbën gabim thelbësor apo të pariparueshëm. Për rrjedhojë, operatorët ekonomikë nuk mund të penalizohen për lëshime administrative mbi të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim.
Raporti thekson se operatori ankues ka kaluar të gjitha fazat e vlerësimit, ka dhënë sqarimet e kërkuara nga autoriteti kontraktues, madje ka pranuar edhe rritjen e sigurimit të ekzekutimit të kontratës – elemente që dëshmojnë se oferta e tij është konsideruar e përgjegjshme dhe se procedura kishte hyrë në fazën përfundimtare drejt rekomandimit për kontratë.
Në këtë kontekst, eksperti vlerëson se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për anulimin e procedurës pas hapjes së ofertave, siç përcaktohen në nenin 43.5 të Rregullores për Prokurimin Publik dhe në nenin 62 të Ligjit për Prokurimin Publik. Përkundrazi, anulimi i tenderit është cilësuar si veprim që bie ndesh edhe me parimin e trajtimit të barabartë, mosdiskriminimit dhe transparencës.
Në fund, eksperti i propozon panelit shqyrtues të OSHP-së që ankesa të aprovohet, të anulohet njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit dhe lënda të kthehet në rivlerësim. Edhe pse ky rekomandim nuk përbën ende vendim përfundimtar, fakti që eksperti vepron me autorizim të panelit e vendos Policinë e Kosovës në një pozitë të vështirë ligjore, procedura formalisht vazhdon, por substancialisht është e kontestuar.

Tani mbetet që paneli i OSHP-së të japë verdiktin përfundimtar. Deri atëherë, ky rast shërben si një tjetër shembull se si gabimet administrative të autoriteteve kontraktuese mund të shndërrohen në shkelje ligjore, me pasoja jo vetëm për procedurën konkrete, por edhe për besimin publik në sistemin e prokurimit. /Kujdestari.info/