Komuna e Prishtinës ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik duke kufizuar konkurrencën në një tender për furnizimin me pajisje për intervenime në aksidente trafiku. Eksperti i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) ka konstatuar se specifikimet teknike të tenderit ishin përshtatur për produktet e një prodhuesi të caktuar, ndërsa autoriteti kontraktues ishte paraprakisht i informuar për këtë rrethanë.
Në raportin e ekspertizës, të qe e ka parw Kujdestari.info, eksperti shqyrtues Ilir Halili ka vlerësuar se Komuna e Prishtinës ka shkelur nenin 7 të Ligjit të Prokurimit Publik, i cili obligon autoritetet kontraktuese të sigurojnë konkurrencë dhe pjesëmarrje sa më të gjerë të operatorëve ekonomikë.
Gjetjet e ekspertit janë veçanërisht të rëndësishme pasi ai konstaton se Komuna ishte në dijeni që specifikimet teknike do të çonin te një prodhues konkret, por megjithatë kishte zgjedhur procedurën e hapur të prokurimit.
“Eksperti shqyrtues në bazën e këtyre dëshmive vlerëson se AK ka qenë paraprakisht i informuar se specifikat teknike do të shpien në një produkt dhe prodhues të caktuar”, thuhet në raport.
Për më tepër, eksperti ka konstatuar se pretendimet e kompanisë ankuese janë të bazuara dhe se autoriteti kontraktues ka kufizuar konkurrencën.
“Eksperti shqyrtues vlerëson se pretendimet ankimore janë të bazuara dhe se AK ka shkel nenin 7 të LPP-së duke kufizuar konkurrencën”, thuhet shprehimisht në dokument. (DOKUMENT)
Vetëm një ofertë, 110 euro më pak se buxheti i parashikuar
Një tjetër rrethanë që përforcon gjetjet e ekspertit është rezultati i tenderit.
Në procedurën e hapur për furnizimin me 20 pajisje për aksidente të komunikacionit, me vlerë të parashikuar prej 25 mijë eurosh, Komuna e Prishtinës kishte pranuar vetëm një ofertë.
Ofertuesi i vetëm ishte kompania PROGLOBAL SH.P.K., e cila kishte ofertuar 24 mijë e 890 euro, përkatësisht vetëm 110 euro më pak se buxheti i parashikuar.
Kjo nënkupton se oferta e vetme përbënte 99.56 për qind të vlerës së planifikuar të kontratës.
Sipas ekspertit, ky rezultat mbështet pretendimin se specifikimet teknike kishin kufizuar konkurrencën, pasi oferta e vetme ishte paraqitur pikërisht me produktin e prodhuesit të kontestuar.
Specifikimet e tenderit të përshtatura për produktet Holmatro
Rasti kishte nisur pas ankesës së kompanisë ALBKOS SAFETY SH.P.K., e cila kishte kundërshtuar kushtet teknike të përcaktuara nga Komuna e Prishtinës.
Kompania pretendonte se specifikimet për pajisjet e shpëtimit ishin hartuar duke marrë për bazë karakteristikat e produkteve të prodhuesit Holmatro, duke ua vështirësuar operatorëve të tjerë ofertimin me pajisje ekuivalente.
Në ankesë ishin paraqitur krahasime të detajuara ndërmjet kërkesave të dosjes së tenderit dhe karakteristikave të produkteve Holmatro, përfshirë pajisjet prerëse, teleskopët hidraulikë, bateritë dhe karikuesit.
Sipas ankuesit, përputhjet përfshinin jo vetëm parametrat e përgjithshëm të performancës, por edhe presionin, forcën, peshën, dimensionet dhe karakteristikat e sistemeve të baterive.
Kompania kishte ngritur gjithashtu shqetësimin se përdorimi i një sistemi të caktuar mund të krijonte varësi afatgjatë nga një prodhues i vetëm për furnizimet e ardhshme me bateri, karikues dhe pajisje përcjellëse.
Komuna i kishte mbrojtur specifikimet
Përpara se çështja të përfundonte në OSHP, Komuna e Prishtinës kishte refuzuar kërkesën për rishqyrtim të operatorit ekonomik.
Në përgjigjet e saj, Komuna kishte sqaruar se specifikimet teknike ishin hartuar duke u bazuar në karakteristikat e pajisjeve ekzistuese që posedon njësia përkatëse e zjarrfikësve.
Autoriteti kontraktues kishte arsyetuar se nuk mund të pranonte pajisje me kapacitet apo efikasitet më të ulët, si dhe pajisje me peshë më të madhe.
Megjithatë, eksperti i OSHP-së ka vlerësuar se ky arsyetim nuk e justifikon kufizimin e konkurrencës në një procedurë të hapur.
Në raport theksohet se Komuna nuk e kishte kundërshtuar në thelb përshtatjen e specifikimeve për një produkt konkret, por e kishte arsyetuar atë me efektivitetin e pajisjeve.
Sipas ekspertit, nëse vetëm një produkt i caktuar i plotëson realisht nevojat e autoritetit kontraktues, atëherë Komuna duhet të shqyrtojë përdorimin e procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, në vend të një procedure të hapur që përfundon me vetëm një ofertues.
Në të kundërtën, specifikimet duhet të korrigjohen për të mundësuar konkurrencë më të gjerë.
Eksperti kërkon anulimin e tenderit
Pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe pretendimeve të palëve, eksperti Ilir Halili ka rekomanduar që ankesa e kompanisë ALBKOS SAFETY SH.P.K. të aprovohet si e bazuar.
Ai i ka propozuar Panelit Shqyrtues të OSHP-së anulimin e njoftimit për kontratë.
Sipas rekomandimit, nëse Komuna e Prishtinës vazhdon të ketë interes për blerjen e pajisjeve, ajo duhet ta ritenderojë aktivitetin duke korrigjuar specifikimet teknike për të mundësuar konkurrencë më të gjerë, ose të përdorë procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, nëse mbeten të pandryshuara specifikimet dhe plotësohen kushtet ligjore për këtë procedurë.
Raporti i ekspertit mban datën 5 tetor 2026 dhe lidhet me aktivitetin e prokurimit me numër 616-26-6766-1-2-1.
Megjithatë, rekomandimi i ekspertit nuk përbën vendim përfundimtar të OSHP-së. Vendimmarrja për ankesën dhe fatin e tenderit i takon Panelit Shqyrtues. Kujdestari.info