Procesi i shumëpërfolur i tenderit mbi 16.5 milionë euro për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës po vazhdon të prodhojë zhvillime dhe kontestime të reja. Një kompani tjetër kishte parashtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke pretenduar se është përjashtuar në mënyrë të qëllimshme nga mundësia për të ofertuar, përmes manipulimit të afateve dhe interpretimeve të njëanshme të pezullimeve procedurale. Pretendimet e tij për shkelje i ka konstatuar një ekspert i OSHP-së, duke e i sugjeruar Panelit që të urdhëroi komunës të anulohet aktiviteti prokurimit në tersi, shkruan Demorkacia.com.
Kompania ankuese “2 A group” konsideron se Komuna ka vepruar në mënyrë tendencioze kur më 1 korrik publikoi një korrigjim teknik për afatin e fundit për dorëzim të ofertave, duke e shkurtuar këtë afat në vetëm 4 ditë nga 01 korriku deri më 04 korrik 2025, një veprim që bie ndesh me rregullat ligjore për prokurim publik, të cilat kërkojnë një afat minimal prej së paku 10 ditësh pas publikimit të ndryshimeve.
Kompania pretendon se një afat kaq i shkurtër u vendos për të pamundësuar ankesat nga palët e interesuara. Sipas ligjit, një kërkesë për rishqyrtim mund të bëhet jo më vonë se 5 ditë para datës së pranimit të ofertave, dhe vendosja e afatit për më 4 korrik ia pamundësonte ligjërisht çdo kompanie të kontestonte dokumentacionin tenderues ose ndryshimet e bëra.
Eksperti shqyrtues i OSHP-së, pas analizës së dokumentacionit dhe rrethanave të procesit, ka konstatuar shkelje të rëndësishme në zbatimin e ligjit për prokurimin publik, të cilat kanë cenuar parimet bazë të barazisë, transparencës dhe trajtimit të drejtë të operatorëve ekonomikë. Si pasojë e këtyre shkeljeve, raporti rekomandon anulimin e procedurës së prokurimit dhe rifillimin e saj në përputhje me ligjin dhe rregulloret në fuqi.
Shkeljet kryesore të evidentuara në raport:
- Mungesa e njoftimit formal dhe të vlefshëm për rifillimin e procedurës (Neni 55 i Ligjit për Prokurimin Publik – LPP):
Vendimi i datës 07.07.2025 për rifillimin e procedurës së prokurimit nuk është publikuar në seksionin “Dokumente shtesë” në sistemin elektronik të prokurimit dhe nuk është shpërndarë në mënyrë zyrtare përmes funksioneve të platformës që garantojnë njoftim automatik për operatorët ekonomikë të regjistruar. Kjo ka bërë që operatori ankues të mos jetë në dijeni të rifillimit të procedurës dhe, si rrjedhojë, të mos mund të dorëzojë ofertën brenda afatit. - Cenimi i parimit të barazisë dhe transparencës (Neni 7 i LPP-së):
Mungesa e një njoftimi të barabartë dhe transparent ka krijuar një trajtim të pabarabartë mes operatorëve ekonomikë. Disa operatorë kanë marrë njoftimet e nevojshme dhe kanë dorëzuar ofertat, ndërsa “2A Group SH.P.K.” është përjashtuar faktikisht nga gara për shkak të mosinformimit. - Mos publikimi i kërkesave për rishqyrtim si “Dokumente shtesë” (Neni 61.3 i Rregullores për Prokurim Publik):
Autoriteti Kontraktues nuk ka publikuar kërkesat për rishqyrtim në dosjen e tenderit në mënyrën e parashikuar me ligj, duke cenuar kështu transparencën dhe mundësinë e operatorëve të tjerë për të ndjekur procesin në mënyrë transparente. - Refuzimi i paarsyeshëm i shqyrtimit të kërkesës për rishqyrtim (Neni 108/A i LPP-së dhe interpretimi i gabuar i nenit 4.1.26 të LPP-së):
Autoriteti Kontraktues ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim duke argumentuar se ankuesi nuk ka dorëzuar ofertë dhe prandaj nuk është “palë e interesuar”. Eksperti shqyrtues konstaton se ky interpretim është i gabuar, pasi ligji përcakton qartë që çdo operator që ka interes material ose është prekur nga një veprim i autoritetit kontraktues konsiderohet “palë e interesuar”, pavarësisht nëse ka dorëzuar ofertë apo jo. Në këtë rast, ankuesi ka humbur mundësinë e pjesëmarrjes për shkak të shkeljeve nga ana e autoritetit. - Mosrespektimi i manualeve dhe udhëzimeve të Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik (Neni 87.2.4 i LPP-së dhe Rregullorja 001/2022):
Autoriteti Kontraktues ka dështuar të përdorë kanalet zyrtare dhe të përcaktuara ligjërisht për publikimin dhe njoftimin e dokumenteve të rëndësishme të procesit të prokurimit, duke cenuar kështu rregullsinë dhe ligjshmërinë e procesit.
Eksperti shqyrtues konstaton se shkeljet e bëra kanë cenuar në mënyrë të pandreqshme parimet themelore të Ligjit për Prokurimin Publik, në veçanti parimet e barazisë, transparencës dhe trajtimit të drejtë të operatorëve ekonomikë. Mungesa e njoftimit formal dhe i barabartë ka pamundësuar operatorin ankues “2A Group SH.P.K.” të ushtrojë në mënyrë efektive të drejtën për pjesëmarrje në garë, duke krijuar kështu një situatë të pabarabartë dhe të padrejtë në procedurë.
Në bazë të këtyre gjetjeve, eksperti shqyrtues rekomandon që paneli shqyrtues të aprovojë ankesën e operatorit ekonomik si të bazuar dhe të vendosë për anulimin e aktivitetit të prokurimit për “Menaxhimin e mbeturinave”. Në rast të interesit të mëtejshëm të Autoritetit Kontraktues, rekomandohet që prokurimi të rifillojë duke u bazuar në praktika transparente dhe në respektim rigoroz të ligjit dhe rregullores në fuqi, në mënyrë që të garantohet trajtim i barabartë dhe konkurrencë e ndershme për të gjithë operatorët ekonomikë.
Komuna e Prishtinës ka hapur më 9 korrik ofertat për tenderin mbi 16.5 milionë euro për menaxhimin e mbeturinave, ndonëse në atë moment procesi ishte zyrtarisht i pezulluar, me një kërkesë për rishqyrtim.