Tenderi prej 2.75 milionë eurosh i Komunës së Prishtinës për mirëmbajtjen verore të rrugëve dhe trotuareve është përballur me dyshime serioze nga eksperti shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit. Në raportin e hartuar pas ankesës së kompanisë “2A Group”, eksperti Milaim Sylejmani ka vlerësuar se disa prej kërkesave të vendosura në dosjen e tenderit janë në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe rregullat e prokurimit, shkruan Kujdestari.info.
Bëhet fjalë për aktivitetin e prokurimit “Mirëmbajtja verore e rrugëve dhe trotuareve (fshirja, larja, pastrimi i kanalizimit atmosferik dhe ujëmbledhësve)”, të ndarë në gjashtë lote. Vlera e parashikuar e kontratës është 2 milionë e 750 mijë euro, ndërsa ankesa e “2A Group” është parashtruar më 18 shtator 2026. Raporti i ekspertit është dorëzuar më 23 shtator.
Në ankesë janë kontestuar një varg kriteresh të tenderit, përfshirë kërkesën që lideri i një grupi operatorësh ekonomikë të posedojë 60 për qind të kapaciteteve teknike, kufizimet minimale dhe maksimale të peshës dhe kapacitetit të pajisjeve, si dhe mënyra e dëshmimit të pronësisë apo disponueshmërisë së automjeteve.
Komuna e Prishtinës, sipas raportit, i ka refuzuar pretendimet e operatorit ekonomik si të pabazuara. Autoriteti Kontraktues ka argumentuar se specifikimet dhe kushtet e tenderit janë hartuar në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik dhe sipas nevojave operative për mirëmbajtjen e rrugëve dhe hapësirave të kryeqytetit. Komuna ka pretenduar gjithashtu se ka zbatuar rekomandimet e Departamentit të Monitorimit të KRPP-së të 27 gushtit 2026.
Eksperti: Të gjitha pretendimet janë të bazuara
Por eksperti shqyrtues ka dalë në një përfundim tjetër.
Në raport thuhet shprehimisht se pretendimet e ankuesit janë të gjitha të bazuara, duke vlerësuar se kërkesat e dosjes së tenderit cenojnë parimet e Ligjit për Prokurimin Publik dhe të Rregullores për Prokurimin Publik.
Një nga çështjet kryesore është kushti që lideri i grupit të operatorëve ekonomikë të zotërojë së paku 60 për qind të kapaciteteve teknike.
Sipas ekspertit, një kushtëzim i tillë është i paligjshëm. Në raport argumentohet se përcaktimi i përqindjeve minimale lejohet për gjendjen ekonomike dhe financiare, ndërsa kur bëhet fjalë për kapacitetet teknike, aftësitë e anëtarëve të grupit duhet të mblidhen, me qëllim që të garantohet konkurrenca e lirë. (DOKUMENT)
Kontestohen edhe kufijtë e peshës së makinerive
Një tjetër element që eksperti e konsideron problematik është mënyra se si Komuna ka përcaktuar karakteristikat e makinerive.
Në dosje, ndër të tjera, janë përcaktuar intervale konkrete të peshës dhe kapacitetit: fshesë për rrugë me peshë totale 7 deri në 12 tonë, kamion-cisternë me peshë 15 deri në 30 tonë ose kapacitet 9,000–20,000 litra, fshesë për shtigje me peshë 1.5–1.9 tonë dhe fshesë kompakte për trotuare me peshë 2.0-2.7 tonë.
Pikërisht vendosjen e kufirit maksimal eksperti e sheh si problem.
Sipas raportit, specifikimet teknike duhet të përcaktojnë minimumin e nevojshëm për realizimin e punëve, ndërsa vendosja e një tavani maksimal, siç është pesha maksimale prej 12 tonësh konsiderohet nga eksperti kufizuese dhe diskriminuese.
Raporti shkon edhe më tej, duke thënë se kufizimi i kapaciteteve më të mëdha “shërben vetëm për t’iu përshtatur një operatori të caktuar”, duke dëmtuar barazinë në trajtimin e kandidatëve.
Ky është një nga konstatimet më të forta të raportit të ekspertit.
Megjithatë, raporti bën edhe një dallim të rëndësishëm. “2A Group” kishte pretenduar se Komuna i kishte parë paraprakisht pajisjet e operatorëve dhe më pas i kishte përshtatur kriteret sipas tyre. Eksperti thotë se për këtë pretendim nuk janë paraqitur prova dhe e cilëson atë si hamendësim.
Dokumentet e automjeteve, një tjetër pikë kontestuese
Eksperti ka gjetur problem edhe te kërkesat për dokumentacionin e automjeteve.
Sipas tij, kërkimi që operatorët, qysh në fazën e ofertimit, t’i dëshmojnë pajisjet përmes librezave të regjistrimit apo dokumenteve doganore DUD krijon një ngarkesë të panevojshme.
Në raport argumentohet se në këtë fazë duhet të jetë e mjaftueshme dëshmia se operatori e posedon pajisjen ose e ka në dispozicion përmes qirasë, ndërsa dokumentet zyrtare të regjistrimit mund të kërkohen para nënshkrimit të kontratës. Eksperti e lidh këtë çështje me nenin 28 të LPP-së.
Eksperti: KRPP-ja nuk është zbatuar në plotni
Raporti prek edhe një element tjetër të rëndësishëm. Ndonëse Komuna ka deklaruar se ka zbatuar rekomandimet e Departamentit të Monitorimit të KRPP-së të 27 gushtit, eksperti ka konstatuar se ato nuk janë zbatuar në plotni.
Sipas tij, kërkesat e dosjes së tenderit janë në kundërshtim me nenet 7 dhe 69 të Ligjit për Prokurimin Publik, ndërsa në përfundim ai i cilëson pretendimet e operatorit ankues si të qëndrueshme.
Rekomandohet aprovimi i ankesës dhe ndryshimi i dosjes
Në përfundim, eksperti shqyrtues i ka rekomanduar Panelit Shqyrtues të OSHP-së që ankesa e “2A Group” të aprovohet si e bazuar.
Nëse Paneli e ndjek këtë rekomandim, Komuna e Prishtinës do të duhet të bëjë përmirësimet përkatëse në dosjen e tenderit dhe të zgjasë afatin për dorëzimin e ofertave.
Megjithatë, raporti i ekspertit nuk duhet trajtuar si vendim përfundimtar i OSHP-së. Dokumenti është ekspertizë dhe rekomandim për Panelin Shqyrtues; vetë raporti përcakton se ai i dorëzohet Autoritetit Kontraktues, Panelit Shqyrtues të OSHP-së dhe operatorit ankues.
Pronari i kompanisë ankuese ishte raportuar për incident fizik me ish-drejtorin e Komunës
Kompania që ka paraqitur ankesën në OSHP “2A Group” është në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, i cili figuron si pronar i 100 për qind të kompanisë.
Emri i Ademit ishte përmendur në media edhe më herët gjatë këtij viti në lidhje me një incident me Sokol Havollin, i cili ka mbajtur pozitën e drejtorit të Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës.
Më 31 janar 2026, mediat raportuan se pas një mosmarrëveshjeje në një lokal në Prishtinë, Ademi e kishte goditur fizikisht Havollin. Disa ditë më vonë u raportua se Policia e Kosovës e kishte konfirmuar rastin e sulmit fizik, ndërsa Havolli, i kontaktuar nga mediat, kishte deklaruar se nuk dëshironte të fliste për rrethanat e rastit. /Kujdestari.info/
Lexo edhe :
Kompania e familjes së Valon Ademit fitoi 116 kontrata publike me mbi 122 milionë euro në Shqipëri