Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve ku mbi gjysma e popullsisë e sheh ekonominë si problemin kryesor kombëtar, me 58% të të rriturve që përmendin çmimet e larta, pagat e ulëta dhe standardin e jetesës si shqetësimin dominant.
Këto të dhëna vijnë nga një studim i ri global i Gallup, i prezantuar në World Governments Summit, i cili bazohet në përgjigjet e të rriturve në 107 vende, të cilëve u është kërkuar të shprehin me fjalët e tyre se cili është problemi më i rëndësishëm me të cilin përballet vendi i tyre.
Në nivel global, mesatarisht 23% e të rriturve e përmendin ekonominë si çështjen më të rëndësishme kombëtare. Banorët e vendeve me të ardhura më të ulëta kanë më shumë gjasa sesa ata të vendeve me të ardhura të larta ta identifikojnë ekonominë si problemin kryesor.
Tri vendet e para në këtë listë i përkasin rajoneve dhe konteksteve të ndryshme ekonomike, nga pasiguria e lartë ushqimore në Malawi, te kolapsi ekonomik i Venezuelës në kushtet e krizës politike dhe vështirësitë e Bolivisë me inflacionin, por të gjitha kanë të përbashkët një popullsi që i vendos shqetësimet ekonomike mbi çdo problem tjetër.
Sipas nivelit të të ardhurave, në vendet me të ardhura të larta, mesatarisht 21% e qytetarëve përmendin ekonominë ose pamundësinë për të përballuar nevojat bazë, si ushqimi dhe strehimi. Kjo përqindje rritet në 31% në vendet me të ardhura mesatare të larta, në 36% në vendet me të ardhura mesatare të ulëta dhe në 38% në vendet me të ardhura të ulëta, ku 14% përmendin konkretisht nevojat bazë për ushqim dhe strehim — shumë më tepër se në çdo grup tjetër sipas nivelit të të ardhurave.
Raporti: 12 kategoritë kryesore të problemeve
Në tërësi, qytetarët në mbarë botën i grupojnë shqetësimet e tyre në 12 kategori kryesore. Vetëm 1% deklarojnë se vendi i tyre nuk ka probleme, ndërsa 4% refuzojnë të përgjigjen ose thonë se nuk e dinë.
Katër tema dominojnë në nivel global. Çështjet ekonomike renditen në krye, me një mesatare globale prej 23%, të ndjekura nga puna dhe punësimi (10%), politika dhe qeverisja (8%) si dhe siguria dhe rendi (7%). Së bashku, këto përbëjnë rreth gjysmën e të gjitha përgjigjeve.
Në nivelin pasues renditen ushqimi dhe strehimi (3%), çështjet sociale (3%), mjedisi dhe ndryshimet klimatike (3%) si dhe shëndetësia (3%). Një tjetër 2% përmendin arsimin, 1% secili përmendin emigracionin dhe infrastrukturën, ndërsa më pak se 1% e identifikojnë median si problemin kryesor.
Sipas rajoneve, ekonomia renditet në vendin e parë kudo, përveç Amerikës së Veriut (SHBA dhe Kanada), ku politika është shqetësimi kryesor. Në Azi-Paqësor dhe Europë, pakënaqësia politike renditet e dyta, ndërsa në Afrikën Sub-Sahariane, vendet e ish-Bashkimit Sovjetik dhe në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, më të theksuara janë problemet që lidhen me punësimin.
Në Amerikën Latine dhe Karaibe, siguria dhe rendi renditen në vendin e dytë, por bien në vendin e tretë në shumicën e rajoneve të tjera.
Në thelb, raporti tregon se njerëzit i gjykojnë problemet kombëtare përmes përvojës personale: nëse arrijnë të përballojnë jetesën, të gjejnë punë të qëndrueshme, t’u besojnë institucioneve dhe të ndihen të sigurt, më shumë sesa përmes treguesve makroekonomikë./Monitor.al


