E hënë, 2 Shkurt, 2026

Edhe vota e të verbërve me kosto të lartë: KQZ shpenzon mijëra euro në zgjedhjet e 28 dhjetorit

Ndaj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar javën e kaluar të dhënat për kontratën publike që lidhet me “Furnizimin me materiale të posaçme që u përkasin votuesve të verbër”, e cila ka të bëjë me zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit 2025, shkruan Kujdestari.info.

Kontrata, e nënshkruar më 22 dhjetor 2025, parasheh furnizimin me materiale të përshtatura në alfabetin Braille për qytetarët me dëmtime në shikim, me qëllim garantimin e të drejtës së votës për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë.

Sipas kontratës kornizë të siguruar nga KQZ, vlera totale indikative e kësaj marrëveshjeje është 17,605.60 euro, ndërsa çmimi pas zbritjes kontraktuale arrin në rreth 11 mijë euro, me një devijim të lejuar deri në 30 për qind, varësisht nga porositë reale që do të bëhen nga autoriteti kontraktues.

Çfarë përfshihet konkretisht në kontratë?

Nga dokumentet kontraktuale rezulton se KQZ ka porositur dy produkte kryesore për votuesit e verbër:

Shabllonë të fletëvotimit në format Braille, të përshtatur posaçërisht për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës 2025

Broshura të kandidatëve në Braille, po ashtu të dedikuara për zgjedhjet nacionale

Sasia e porositur për secilin produkt është 1,000 copë, ndërsa çmimet për njësi janë si vijon: Shablloni i fletëvotimit: 7.71 euro për copë me TVSH; Broshura e kandidatëve: 9.90 euro për copë me TVSH

Në total, vetëm për këto dy artikuj, kostoja e drejtpërdrejtë për buxhetin e shtetit arrin në mbi 17 mijë euro me TVSH, duke e bërë këtë një nga kontratat më të vogla në vlerë absolute, por me rëndësi të veçantë për përfshirjen demokratike.

Për krahasim, në zgjedhjet nacionale dhe lokale të vitit 2025, kostoja totale e materialeve zgjedhore për qytetarët ka shkuar në qindra mijëra euro, ku vetëm kontratat për shtypjen e fletëvotimeve dhe listave të votuesve kanë kapur shifra mbi 275 mijë deri në 279 mijë euro për një proces zgjedhor. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera