Ministria e Mbrojtjes ka lidhur kontratë publike kornizë për shërbimet e qethjes së pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Kontrata është lidhur me biznesin Visar E. Limani B.I. – “Wizard Styling Salon”, ndërsa shërbimet do të kryhen në kazermat e FSK-së, kryesisht në Prishtinë dhe Ferizaj, por sipas nevojës edhe në kazermat tjera, shkruan Kujdestari.info.
Sipas dokumentacionit të kontratës, marrëveshja është kontratë publike kornizë me kohëzgjatje prej 36 muajsh, pra tre vjet. Ajo nuk nënkupton se të gjitha qethjet do të realizohen menjëherë, pasi Ministria do të lëshojë porosi apo thirrje varësisht nga nevojat e FSK-së. Pas secilës porosi, operatori ekonomik ka afat 48 orë për ta realizuar shërbimin. (DOKUMENT)
3750 qethje me çmim nga 2.50 euro
Lista e çmimeve e përfshirë në kontratë është mjaft konkrete. Ministria ka paraparë në mënyrë indikative 3,750 shërbime qethjeje, ndërsa çmimi i ofruar për një qethje është vetëm 2.50 euro. Kur kjo sasi shumëzohet me çmimin për njësi, vlera indikative e ofertës arrin në 9,375 euro.
Megjithatë, dokumentet tregojnë edhe një shifër tjetër. Për periudhën trevjeçare, sipas Dëshmisë së Disponueshmërisë së Fondeve, Ministria ka paraparë deri në 15 mijë euro, ndërsa vlera prej 9,375 eurosh përcaktohet si vlera totale indikative e kontratës/ofertës. Në kontratë lejohet gjithashtu devijim prej ±30 për qind nga vlera apo sasia indikative, në përputhje me legjislacionin e prokurimit.
Nëse sasia indikative prej 3,750 qethjesh do të shpërndahej në mënyrë të barabartë përgjatë tre vjetëve, kjo do të përkthehej në rreth 1,250 qethje në vit, ose afërsisht 104 qethje në muaj. Megjithatë, ky është vetëm një përllogaritje matematikore, pasi kontrata nuk cakton një numër fiks mujor.
Një tjetër detaj interesant është mënyra e realizimit të kontratës. Nuk parashihet që pjesëtarët e FSK-së të shkojnë në lokalet e sallonit. Dokumentet kërkojnë që shërbimi të realizohet në hapësirat e Autoritetit Kontraktues, me pajisjet e operatorit ekonomik.
Specifikimet kërkojnë që operatori të ketë staf profesional dhe të trajnuar, makina profesionale për qethje dhe pajisje tjera, pajisje dezinfektuese e sterilizuese, si dhe materiale të pastra dhe mjete të sterilizuara për secilin pjesëtar. Qethja duhet të realizohet duke respektuar standardet profesionale, higjienën dhe sigurinë në punë.
Lokacionet kryesore të përcaktuara janë kazermat e FSK-së në Prishtinë dhe Ferizaj, por dokumenti e lë të hapur mundësinë që, sipas nevojave, shërbimi të realizohet edhe në kazermat tjera. /Kujdestari.info/