Problemet me buxhetet komunale dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore po vazhdojnë të rëndojnë financat e komunave të Kosovës, shkruan Kujdestari.info.
Komuna e Prishtinës ka shpenzuar gati 3 milionë euro gjatë muajit gusht për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Sipas raportit mujor të Drejtorisë së Financave për gushtin 2026, nga Thesari janë ekzekutuar 2,988,061.19 euro për vendime gjyqësore.
Kjo shumë përbën rreth 25.3 për qind të të gjitha pagesave të realizuara nga Komuna e Prishtinës gjatë gushtit. Në total, komuna ka realizuar pagesa prej 11,794,669.97 euro, ndërsa pagesat për vendimet gjyqësore kanë qenë 2.99 milionë euro.
Raporti tregon se pjesa më e madhe e kësaj shume është regjistruar në kategorinë e investimeve kapitale, ku për “pagesat sipas vendimeve gjyqësore” janë shpenzuar 2,533,058.60 euro gjatë gushtit.
Në këtë kategori përfshihen pagesa të lidhura me disa drejtori dhe programe komunale. Për shembull, në kuadër të “Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave” janë ekzekutuar 1,804,870.87 euro, ndërsa në “Infrastrukturën publike” edhe 496,225.53 euro për pagesa sipas vendimeve gjyqësore.

Ditë mw parë komunat e Kosovës kanë ngritur shqetësime për barrën që po u shkaktojnë vendimet gjyqësore dhe procedurat përmbarimore në buxhetet komunale. /Kujdestari.info/