E shtunë, 21 Mars, 2026

Edhe dy javë kohë, vetëm 1 mijë e 920 zyrtarë deklaruan pasurinë

Ndaj

Vetëm 1 mijë e 920 zyrtarë të lartë publikë nga 10 mijë e 340 kanë deklaruar pasurinë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, derisa kanë mbetur edhe dy javë deri në përmbyllje të këtij afati.

APK-ja u ka bërë thirrje edhe 8420 subjekteve deklaruese ta kryejnë obligimin deri më 31 mars.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit rikujton se në përputhje me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Dhuratave, të gjithë personat zyrtarë në Republikën e Kosovës që i nënshtrohen këtij obligimi ligjor janë të obliguar ta kryejnë deklarimin e pasurisë brenda afatit të përcaktuar me legjislacionin në fuqi.

“Deri më tani, pas dy javësh nga fillimi i procesit të deklarimit, obligimit ligjor i janë përgjigjur 18.5 %, përkatësisht 1920 zyrtarë publikë. Ndërkaq, numri i përgjithshëm i subjekteve deklaruese që i nënshtrohen deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë për këtë cikël është 10340 zyrtarë të lartë publikë”.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) u ka bërë thirrje  subjekteve deklaruese që ende nuk e kanë kryer deklarimin, që ta përmbushin këtë obligim ligjor brenda afatit të përcaktuar, deri më 31 mars 2026, duke dëshmuar, sipas tyre, përgjegjësi institucionale, transparencë dhe respekt për publikun.

APK thotë se muaji mars shënon periudhën e deklarimit të rregullt të pasurisë, një proces i rëndësishëm që kontribuon në forcimin e integritetit institucional, transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.

“Deklarimi në kohë i pasurisë forcon kulturën e integritetit në institucionet tona dhe njëkohësisht kontribuon në shmangien e pasojave dhe sanksioneve të parapara në rast të mosrespektimit të obligimit ligjor”, theksoi drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj.

Sipas APK-së, mosdeklarimi brenda afatit, vonesa në deklarim apo deklarimi i pasaktë përbëjnë shkelje të obligimeve ligjore dhe sanksionohen sipas legjislacionit në fuqi.

“Varësisht nga natyra e shkeljes, sanksionet përfshijnë gjoba deri në 500 euro, paraqitjen e kallëzimit penal dhe referimin e çështjes në organet e drejtësisë, ndërsa gjykata mund të shqiptojë edhe dënim me burgim deri në pesë (5) vjet. Po ashtu, pasuria e padeklaruar mund t’i nënshtrohet konfiskimit në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftim.

Lexo më shumë

Të tjera