Tender

Dyshimet për tenderin 10 milionësh në Veternik: Ekspertiza gjen kritere kufizuese, kërkon ndryshimin e dosjes

Nga Kujdestari Media

Dyshimet e ngritura më herët për mënyrën se si Komuna e Prishtinës e ka përgatitur tenderin 10-milionësh për urën në Veternik kanë marrë një dimension të ri. Ekspertiza e Organit Shqyrtues të Prokurimit ka gjetur bazë në një pjesë të kundërshtimeve ndaj kritereve të vendosura në dosjen e tenderit, duke konstatuar se disa prej kërkesave teknike mund të kufizojnë konkurrencën, ndërsa për disa të tjera rekomandon ndryshimin apo largimin e tyre. Në fund, ekspertët i kanë propozuar Panelit Shqyrtues që ankesa të aprovohet pjesërisht, Komuna ta përmirësojë dosjen e tenderit dhe, me rëndësi të veçantë, ta zgjasë afatin për ofertim, shkruan Kujdestari.info.

Raporti i ekspertëve nuk është vendimi përfundimtar.

Për tenderin me numër 616-26-6502-5-1-1, vendimin përfundimtar duhet ta marrë Paneli Shqyrtues i OSHP-së. Ekspertiza, e dorëzuar më 2 tetor 2026, është rekomandimi profesional mbi të cilin Paneli do të vendosë. (DOKUMENT)

Rasti është iniciuar pas ankesës së kompanisë “Sallahu” SH.P.K., të paraqitur më 7 shtator kundër njoftimit për kontratë për projektin “Ndërtimi i urës (Mbikalimi dhe Nënkalimi për vetura dhe automjete) në Veternik mbi rrugën ‘A’ –-Bashkëfinancim me MMPHI-në”.

Vlera e parashikuar e kontratës është 10 milionë euro, ndërsa procedura është e hapur. Ekpserti rruga veterrnikut

Kujdestari.info, kishte raportuar me herët për ketë tender në të cilat ishin ngritur dyhsime për shkurtimin e afatit të tenderimit dhe bazën mbi të cilën Komuna kishte përdorur një njoftim paraprak për ta reduktuar kohën që operatorët kishin në dispozicion për përgatitjen e ofertave.

Ura 10-milionëshe në Veternik: Afati u shkurtua, dokumentet shtojnë dyshimet për mënyrën e zhvillimit të tenderit

Tani ekspertiza e OSHP-së nuk vendos për dyshimin se tenderi është “kurdisur” për një kompani të caktuar dhe nuk identifikon ndonjë operator si përfitues. Por ajo konstaton diçka që prek pikërisht konkurrencën se një varg specifikimesh të vendosura nga Komuna duhet të ndryshohen ose të hiqen, sepse nuk janë të domosdoshme, janë joproporcionale ose mund të kufizojnë konkurrencën.

Nga afati i shkurtuar te kriteret kufizuese

Në raportimin e parë, Kujdestari.info kishte zbuluar se Komuna e Prishtinës kishte përdorur një “njoftim paraprak” të publikuar më 18 mars për ta shkurtuar afatin e tenderimit.

Problemi ishte se njoftimi paraprak fliste për projektin “Depërtimi i Rrugës A (bashkinvestim me MMPH)”, me vlerë të parashikuar prej vetëm 1 milion eurosh.

Tenderi i publikuar më vonë kishte një emërtim dukshëm më specifik – ndërtimin e urës, mbikalimit dhe nënkalimit në Veternik dhe vlerë 10 milionë euro, pra dhjetëfish më të lartë.

Për më tepër, në vetë Njoftimin për Kontratë Komuna kishte deklaruar në një pjesë se nuk kishte pasur publikime paraprake lidhur me kontratën e njëjtë, ndërsa në pjesën tjetër ishte thirrur pikërisht në ekzistencën e njoftimit paraprak për ta arsyetuar shkurtimin e afatit.

Në atë kohë, çështja kryesore ishte nëse operatorëve ekonomikë u ishte dhënë kohë e mjaftueshme për një tender jashtëzakonisht kompleks.

Tani raporti i ekspertëve të OSHP-së tregon se, krahas kohës së kufizuar për ofertim, operatorët janë përballur edhe me një dosje tenderi që përmbante disa specifikime që, sipas ekspertizës, duhen korrigjuar.

Dhe pikërisht për këtë ekspertët, në fund të raportit, nuk kërkojnë vetëm ndryshimin e dosjes.

Ata rekomandojnë edhe zgjatjen e afatit për ofertim.

Raporti përfundon me rekomandimin që ankesa të aprovohet si pjesërisht e bazuar, Autoriteti Kontraktues të bëjë përmirësimet në dosjen e tenderit dhe të zgjasë afatin për ofertim. Ekpserti rruga veterrnikut

Dy ekskavatorë prej 53 tonësh – eksperti: kriteri duhet të ulet

Një prej konstatimeve më domethënëse lidhet me makineritë e rënda.

Komuna kishte kërkuar që operatori të dispononte dy ekskavatorë me zinxhir, secili me peshë minimale prej 53 tonësh dhe kapacitet të kovës mbi 2 metra kub.

Ankuesi e kishte kundërshtuar këtë kriter si joproporcional dhe kufizues.

Eksperti teknik nuk e ka pranuar tërësisht argumentin e ankuesit se nevojiten ekskavatorë shumë më të vegjël. Ai ka marrë parasysh faktin se vetëm në zonën e rrethrrotullimit parashihen rreth 47 mijë metra kub gërmime, si dhe afatin prej 150 ditësh për realizimin e projektit.

Por ekspertiza arrin në përfundimin se pesha minimale prej 53 tonësh nuk është e domosdoshme.

Sipas ekspertit, dy ekskavatorë me peshë minimale 35 tonë dhe kovë së paku 2 metra kub do të siguronin kapacitet të mjaftueshëm për punimet.

Prandaj, kjo pjesë e ankesës është shpallur e bazuar.

Dallimi është i rëndësishëm. Nuk po flitet për heqjen e kërkesës që operatori të ketë makineri serioze për një projekt 10-milionësh, por për faktin se Komuna kishte vendosur një prag teknik më të lartë sesa eksperti i OSHP-së e konsideron të nevojshëm për kryerjen e punëve.

GPS-i në ekskavator: “mund të kufizojë konkurrencën”

Edhe më e drejtpërdrejtë është ekspertiza për një kërkesë tjetër.

Komuna kishte kërkuar një ekskavator me zinxhir gome, krah kthyes, peshë minimale 18 tonë dhe GPS të integruar.

Ankuesi kishte pretenduar se ky specifikim ishte i panevojshëm dhe kishte ngritur dyshimin se ishte përshtatur për një operator të caktuar.

Eksperti nuk konstaton se kriteri është vendosur qëllimisht për një kompani konkrete. Por konstatimi teknik është problematik për Komunën.

Sipas raportit, GPS-i është pajisje shtesë dhe nuk përcakton aftësinë e ekskavatorit për t’i kryer punët e gërmimit.

Kontrolli i pozicionit, kuotave dhe niveleve, sipas ekspertit, mund të realizohet nga ekipi i gjeodezisë me pajisjet përkatëse.

Më e rëndësishmja është përfundimi se kërkesa për GPS të integruar “mund të kufizojë konkurrencën dhe të orientojë procedurën drejt një operatori ekonomik të caktuar”.

Eksperti rekomandon që GPS-i të largohet nga lista e pajisjeve obligative dhe pretendimin për këtë pikë e konsideron të bazuar.

Ky konstatim është veçanërisht i rëndësishëm në kontekstin e dyshimeve të ngritura rreth tenderit.

Ekspertiza nuk thotë se është identifikuar operatori për të cilin është hartuar kriteri. Por thotë se mënyra se si është shkruar kriteri mund ta orientojë procedurën drejt një operatori të caktuar.

Edhe kamioni 3–5 tonë konsiderohet kufizim i panevojshëm

Një tjetër kriter i kontestuar ishte kërkesa për një kamion kiper me peshë bartëse prej 3 deri në 5 tonë.

Në pamje të parë, një specifikim i tillë mund të duket detaj teknik pa rëndësi të madhe.

Por në prokurim, pikërisht kufijtë e tillë përcaktojnë se kush mund të konkurrojë.

Eksperti teknik ka vlerësuar se përcaktimi i intervalit 3–5 tonë nuk është i domosdoshëm.

Vendosja e kufirit minimal prej tre tonësh mund të përjashtojë pajisje që janë të afta ta kryejnë të njëjtën punë.

Prandaj rekomandimi është që kriteri të ndryshohet në:

“Kamion kiper me peshë bartëse deri në 5 tonë”, pa kufi minimal.

Edhe ky pretendim është konsideruar i bazuar.

Buldozerët, pesha mbetet, GPS-i dhe kamerat jo

Një model i ngjashëm shfaqet te buldozerët.

Komuna kishte kërkuar buldozerë me karakteristika të caktuara, përfshirë GPS dhe kamera.

Eksperti ka vlerësuar se pesha minimale prej 29 tonësh mund të arsyetohet për shkak të vëllimit të punimeve dhe nevojës për pajisje me kapacitete të ndryshme.

Pra, ankuesit nuk i është dhënë e drejtë në këtë pjesë.

Por eksperti rekomandon që GPS-i dhe kamerat të hiqen. Arsyetimi është përsëri konkurrenca.

Sipas ekspertizës, nuk është përcaktuar domosdoshmëria apo funksioni konkret i këtyre pajisjeve gjatë realizimit të punimeve dhe kërkesa mund të përjashtojë makineri që janë plotësisht të afta ta kryejnë funksionin bazë, vetëm sepse nuk kanë GPS dhe kamera të integruara.

Prandaj kjo pikë është konsideruar pjesërisht e bazuar.

Këtu krijohet një vijë e qartë në ekspertizë: Komuna mund të kërkojë kapacitetin që i duhet realisht për ndërtimin e projektit, por jo domosdoshmërisht karakteristika shtesë që nuk provohet se janë thelbësore për kryerjen e punës.

Kur specifikimi teknik bëhet filtër konkurrues

Raporti trajton një numër të madh pajisjesh të tjera dhe jo çdo kundërshtim të kompanisë ankuese është pranuar.

Kjo është e rëndësishme të theksohet.

Ekspertët kanë refuzuar, për shembull, disa pretendime për pajisje që i kanë konsideruar të arsyeshme teknikisht.

Pra, raporti nuk është një aprovim automatik i ankesës së “Sallahu”-t.

Pikërisht kjo e bën më relevante pjesën tjetër të raportit: aty ku ekspertët kanë konstatuar se një specifikim duhet të ndryshohet, përfundimi vjen pas analizimit veçmas të secilit kriter.

Në përfundim të shqyrtimit të Aneksit 8 për pajisjet obligative, ekspertiza rekomandon që Komuna ta modifikojë listën, t’i përshtatë specifikimet me nevojat reale të projektit dhe t’i eliminojë kufizimet teknike që nuk janë të domosdoshme apo të arsyetuara.

Pretendimi i parë, si tërësi, është konsideruar pjesërisht i bazuar.

Edhe kërkesat për punëtorët rezultojnë pjesërisht joproporcionale

Problemet e konstatuara nuk kufizohen vetëm te makineritë.

Komuna kishte kërkuar ekip prej 20 punëtorësh, brenda të cilit duhej të kishte, mes të tjerash, së paku dy manovratorë të certifikuar, dy saldues të certifikuar për gypa HDPE sipas standardit EN 13067:2013 dhe dy instalues të ujit dhe kanalizimit.

Eksperti pranon se një projekt i kësaj natyre kërkon staf të specializuar.

Pra, nuk e konteston nevojën për manovratorë, saldues apo instalues profesionalë.

Por problemi është te numri dhe proporcionaliteti.

Eksperti konstaton se kërkesa për minimum dy persona për secilin prej këtyre profileve është “e mbivlerësuar dhe joproporcionale”.

Rekomandimi është që të mbeten minimum dy manovratorë të certifikuar, por kërkesa të reduktohet në një saldues të certifikuar për HDPE dhe një instalues të certifikuar të ujit dhe kanalizimit.

Për këtë arsye edhe pretendimi i tretë është konsideruar pjesërisht i bazuar.

Një tender kompleks, por me më pak kohë për t’u përgatitur

Këtu ekspertiza e OSHP-së lidhet drejtpërdrejt me atë që Kujdestari.info kishte ngritur si çështje që në gusht.

Komuna kishte përgatitur një tender me kërkesa të shumta për pajisje, staf, përvojë profesionale dhe kapacitete financiare.

Por, njëkohësisht, afati i ofertimit ishte shkurtuar duke u mbështetur në një njoftim paraprak që kishte vlerë dhjetëfish më të vogël dhe përshkrim tjetër të projektit.

Tani del se një pjesë e kritereve që operatorët duhej t’i plotësonin brenda këtij afati të shkurtuar as sipas ekspertizës së OSHP-së nuk duhet të mbeten në formën në të cilën i kishte shkruar Komuna.

Pikërisht për këtë rekomandimi për zgjatjen e afatit merr rëndësi më të madhe sesa një korrigjim formal i dosjes.

Nëse Paneli e pranon ekspertizën, operatorët duhet të kenë kohë shtesë për të përgatitur ofertat sipas kushteve të korrigjuara.

A ishin kriteret të përshtatura për një operator?

Kjo mbetet pyetja më e ndjeshme.

Në ankesën e tij, operatori ekonomik ka përdorur formulime shumë më të drejtpërdrejta, duke pretenduar se disa kritere ishin “të kurdisura” dhe të përshtatura për operatorë të caktuar. Në një prej pretendimeve, ankuesi madje pretendonte se kërkesa për GPS lidhej me faktin se një operator e kishte sistemin të evidentuar në Dokumentin Unik Doganor.

Ekspertët nuk kanë konstatuar se Komuna e ka hartuar tenderin për një kompani të identifikuar dhe nuk kanë konstatuar marrëveshje apo koordinim paraprak me ndonjë operator.

Ajo që ekspertiza thotë është më e kufizuar, por përsëri serioze: për disa kritere, specifikimet mund të kufizojnë konkurrencën, mund të përjashtojnë pajisje të përshtatshme dhe, në rastin e GPS-it të ekskavatorit, mund “të orientojnë procedurën drejt një operatori ekonomik të caktuar”.

Kjo lë të hapur dyshimet se pse janë vendosur pikërisht këto karakteristika.

Sepse kur një tender kërkon jo vetëm funksionin që duhet të kryejë një makineri, por peshë shumë specifike, intervale të ngushta, GPS, kamera apo karakteristika të tjera që eksperti më pas i konsideron të panevojshme, atëherë problemi është i madh. Ajo bëhet çështje e konkurrencës.

Në raportimin tjetër të Kujdestari.info ka ngritur dyshimet nëse Komuna kishte siguruar paraprakisht marrëveshjen dhe pëlqimet e nevojshme të MMPHI-së për ndërhyrjen në infrastrukturën rrugore nën autoritetin e Ministrisë. /Kujdestari.info/

Komuna tenderon projektin 10-milionësh në Veternik, pa dëshmuar nëse ka marrë lejen nga MMPHI