E premte, 7 Gusht, 2026

Dyshime për dokumente të rreme në tenderin e KEK-ut: OSHP refuzon diskualifikimin, por kërkon hetim për mashtrim të mundshëm

Ndaj

Një tender i Korporatës Energjetike të Kosovës për vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës është shndërruar në një përplasje serioze mes KEK-ut, një konsorciumi privat dhe një eksperti të gjeologjisë. Në qendër të rastit janë dokumentet profesionale të inxhinierit Vehbi Goxhuli, deklarata kontradiktore të dërguara përmes postës elektronike dhe pretendimet se nënshkrimet e tij janë përdorur pa autorizim. OSHP-ja nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për ta diskualifikuar operatorin ekonomik, por ka konstatuar se ekzistojnë dyshime për mashtrim dhe keqpërdorim, duke e obliguar KEK-un që rastin ta dërgojë për hetim te organet kompetente, shkruan Kujdestari.info.

Organi Shqyrtues i Prokurimit ka refuzuar kërkesën e Korporatës Energjetike të Kosovës për diskualifikimin e operatorit ekonomik “Bli TERM”, lidhur me aktivitetin e prokurimit “Vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës në KEK”.

Përmes vendimit PSH.nr.496/26, paneli shqyrtues ka vlerësuar se në këtë fazë nuk ekzistojnë prova të pakontestueshme që dëshmojnë se operatori ekonomik ka paraqitur dokumente të rreme apo të falsifikuara. Megjithatë, OSHP-ja ka konstatuar se dokumentacioni dhe komunikimet e paraqitura në këtë procedurë ngrenë dyshime serioze për mashtrim, keqpërdorim dhe përdorim të paautorizuar të dokumenteve personale. (DOKUMENT)

Për këtë arsye, përveç refuzimit të kërkesës për diskualifikim, OSHP-ja e ka obliguar KEK-un që t’i njoftojë organet kompetente për hetime të mëtejshme lidhur me pretendimet e palëve.

Si nisi përplasja

Rasti lidhet me një procedurë të KEK-ut për përzgjedhjen e një kompanie që do të kryente vlerësimin e rrezikshmërisë në vendet e punës.

Në procedurë kishin marrë pjesë, ndër të tjera, grupi i operatorëve ekonomikë i përbërë nga “Bli TERM”, Instituti Bioinvest dhe B&M, si dhe një grup tjetër operatorësh ku bënte pjesë kompania NMA.

Gjatë analizimit dhe vlerësimit të ofertave, KEK-u kishte konstatuar se në dokumentacionin e dy ofertuesve figuronte i njëjti ekspert i gjeologjisë, Vehbi Goxhuli.

Sipas pretendimeve të KEK-ut, inxhinieri kishte deklaruar se dokumentet e tij personale dhe profesionale ishin përdorur nga konsorciumi “Bli TERM”, Instituti Bioinvest dhe B&M pa dijeninë dhe pa autorizimin e tij.

Në një email të datës 21 janar 2026, Goxhuli kishte njoftuar zyrtarisht KEK-un se ishte i angazhuar në kompaninë NMA dhe se dokumentet e tij, përfshirë diplomën, certifikatat dhe CV-në, ishin përdorur edhe nga konsorciumi tjetër.

Ai kishte pretenduar se ishte paraqitur si pjesë e stafit të “Bli TERM”, Bioinvest dhe B&M pa pëlqimin e tij dhe se për këtë çështje kishte përgatitur edhe një deklaratë të noterizuar nën betim.

Në deklaratën e përfshirë në dosjen e OSHP-së, eksperti kishte pohuar se dokumentacionin personal dhe profesional ia kishte dhënë vetëm kompanisë NMA, me të cilën kishte kontratë pune aktive.

Sipas tij, çdo përdorim i dokumenteve nga një subjekt tjetër ishte bërë pa dijeninë dhe pa autorizimin e tij.

Këto deklarime kishin nxitur KEK-un të dyshonte se konsorciumi “Bli TERM” kishte paraqitur të dhëna të rreme ose dokumente të përdorura në mënyrë të paautorizuar në procedurën e tenderimit.

Emaili që më pas u mohua

Çështja u bë edhe më e ndërlikuar pas dy komunikimeve të tjera të datave 25 dhe 26 shkurt 2026.

Në një email të datës 25 shkurt, të dërguar nga një adresë që figuronte me emrin e Vehbi Goxhulit, thuhej se çdo komunikim i mëhershëm që mund të interpretohej si mohim i përfaqësimit apo i angazhimit të tij në kuadër të “Bli TERM” ishte bërë në mënyrë të gabuar dhe nuk kishte efekt juridik.

Në këtë komunikim konfirmohej vazhdimësia e kontratës dhe vlefshmëria e deklaratës së zotimit.

Por vetëm një ditë më vonë, nga një adresë tjetër elektronike, Goxhuli kishte mohuar se e kishte dërguar emailin e 25 shkurtit.

“Emaili nuk është dërguar nga unë”, thuhej në përgjigjen e tij të 26 shkurtit, ku ai deklaronte se nuk ishte bartës i atij aktiviteti dhe se mesazhi i mëparshëm nuk ishte i tij.

Ky komunikim kontradiktor u bë një prej elementeve kryesore të çështjes.

KEK-u konsideronte se deklaratat e ekspertit ishin dëshmi se dokumentet e tij ishin përdorur pa autorizim. Konsorciumi “Bli TERM”, në anën tjetër, pretendonte se kishte një marrëveshje të rregullt dhe juridikisht të vlefshme me të.

Konsorciumi: Eksperti ishte i angazhuar me marrëveshje

Pas njoftimit nga OSHP-ja për kërkesën e KEK-ut, operatori ekonomik “Bli TERM” kundërshtoi mundësinë e diskualifikimit.

Kompania deklaroi se kushtet ligjore për marrjen e masave sipas nenit 99 të Ligjit për Prokurimin Publik nuk ishin plotësuar.

Sipas konsorciumit, Vehbi Goxhuli kishte marrëveshje bashkëpunimi me njërin prej anëtarëve të grupit, marrëveshje e lidhur më 11 qershor 2025.

Operatori ekonomik pretendoi se kishte edhe një deklaratë për angazhim ekskluziv në projekt, të nënshkruar nga eksperti, ku ai zotohej se gjatë realizimit të projektit do të angazhohej vetëm për këtë kontratë.

Konsorciumi dorëzoi si prova marrëveshjen e bashkëpunimit, deklaratën për angazhim, dokumente që sipas tij dëshmonin marrëdhënien e punës dhe komunikime elektronike me ekspertin.

Në sqarimet e tij, “Bli TERM” insistoi se nuk kishte keqpërdorur dokumentet e Goxhulit dhe se ekzistonte një marrëdhënie e vlefshme juridike mes palëve.

Madje, konsorciumi paralajmëroi se do të ndërmerrte veprime ligjore ndaj ekspertit për deklarimet e tij, duke pretenduar se ato ishin bërë me qëllim dëmtimin e kompanisë në procedurën e prokurimit.

Dy adresa elektronike dhe deklarata të kundërta

Gjatë shqyrtimit të dokumentacionit, OSHP-ja ka vërejtur se në CV-në e inxhinierit Vehbi Goxhuli figuronin dy adresa elektronike.

Nga njëra adresë ishin dërguar komunikimet me të cilat konfirmohej angazhimi i tij me operatorin ekonomik, ndërsa nga një adresë tjetër eksperti kishte mohuar se i kishte dërguar ato deklarata.

Pikërisht ekzistenca e komunikimeve të ndryshme, të dërguara nga adresa që lidhen me të njëjtin person, e ka bërë të pamundur për OSHP-në që të përcaktojë se cila palë po paraqiste versionin e saktë.

Paneli ka vlerësuar se në këtë rast kemi pretendime të kundërta dhe se së paku njëra prej palëve mund të ketë vepruar në mënyrë mashtruese.

Megjithatë, OSHP-ja ka theksuar se nuk ka kompetenca për hetim penal, ekspertizë të adresave elektronike, verifikim të autenticitetit të komunikimeve apo përcaktim të autorit real të emailit.

Për këtë arsye, sipas panelit, hetimi duhet të kryhet nga institucionet kompetente hetimore.

Pse u refuzua kërkesa e KEK-ut

Ligji për Prokurimin Publik ia mundëson OSHP-së që, me kërkesë të autoritetit kontraktues, ta diskualifikojë një operator ekonomik nga pjesëmarrja në prokurim publik për një periudhë deri në një vit, kur vërtetohet paraqitja e të dhënave të rreme apo dokumenteve të falsifikuara.

Por paneli ka vlerësuar se një masë e tillë kërkon prova të qarta dhe të pakontestueshme.

Në rastin konkret, sipas OSHP-së, KEK-u nuk ka arritur të paraqesë prova përfundimtare që dëshmojnë se “Bli TERM” ka falsifikuar dokumente apo ka mashtruar në procedurë.

Fakti se operatori kishte paraqitur marrëveshje bashkëpunimi, deklaratë angazhimi dhe komunikime me ekspertin e ka bërë çështjen më komplekse.

Nga ana tjetër, edhe deklaratat e Goxhulit për përdorimin e paautorizuar të dokumenteve nuk mund të shpërfilleshin pa u hetuar.

OSHP-ja ka vlerësuar se, pa një hetim të specializuar, nuk mund të konstatohet nëse dokumentet dhe komunikimet janë falsifikuar nga operatori ekonomik, nëse adresa elektronike e ekspertit është keqpërdorur, apo nëse deklaratat janë ndryshuar gjatë procedurës.

Për këtë arsye, kërkesa e KEK-ut për diskualifikim është refuzuar si e pabazuar në aspektin e provave të paraqitura.

OSHP-ja kërkon përfshirjen e hetuesisë

Megjithëse nuk e diskualifikoi operatorin ekonomik, OSHP-ja nuk e mbylli çështjen vetëm si një mosmarrëveshje të zakonshme tenderuese.

Paneli ka urdhëruar KEK-un që t’i njoftojë organet kompetente për hetim të mëtejshëm për dyshimet e ngritura.

Në vendim përmenden dyshimet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik.

Kjo nënkupton se hetuesit duhet të verifikojnë origjinën e emailave, përdorimin e adresave elektronike, autenticitetin e marrëveshjes së bashkëpunimit, deklaratat e nënshkruara dhe mënyrën se si dokumentet e ekspertit përfunduan në ofertat e dy operatorëve ekonomikë.

Vetëm pas një hetimi të tillë mund të përcaktohet nëse dokumentet janë përdorur pa autorizim, nëse ka pasur falsifikim të komunikimeve apo nëse njëra prej palëve ka dhënë deklarata të rreme.

Vendimi i OSHP-së nuk mund të ankimohet brenda vetë këtij institucioni. Megjithatë, pala e pakënaqur mund t’i drejtohet gjykatës kompetente me kërkesëpadi për anulimin e vendimit, brenda 30 ditësh nga pranimi i tij. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera