Tender

Dy vjet pas loteve të tjera, hapen ofertat për segmentin 3 të rrugës Kijevë-Dollc, në garë nëntë kompani 

Nga Kujdestari Media

Ministria e Infrastrukturës ka hapur sot ofertat për Lotin 3 të projektit për zgjerimin e rrugës nacionale N9, segmenti Kijevë-Dollc, një pjesë e projektit që ka mbetur prapa loteve të tjera dhe ende nuk ka arritur në fazën e nisjes së punimeve, shkruan Kujdestari.info.

Derisa në tri lotet e tjera të projektit kontratat ishin lidhur rreth dy vjet më parë dhe punimet kishin nisur, procedura për Lotin 3 ishte përballur me një proces të gjatë prokurimi dhe konteste në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Procedura e mëparshme për këtë lot përfundimisht ishte anuluar, ndërsa Ministria e Infrastrukturës e ka ritenderuar këtë pjesë të projektit.

Tashmë procedura e re ka arritur në një fazë të rëndësishme. Sipas procesverbalit zyrtar të hapjes së tenderëve, më 7 shtator 2026, në ora 14:00, Ministria ka hapur ofertat për aktivitetin me numër prokurimi 205-26-6053-5-1-1, të titulluar “Zgjerimi i rrugës Nacionale N9, segmenti Kijevë-Dollc, Faza e dytë, Llot 3”.

Në total janë pranuar nëntë oferta. (DOKUMENT)

Oferta më e ulët, sipas çmimeve të lexuara në hapje, është dorëzuar nga Pro & Co Group SH.P.K., me vlerë 805,695.59 euro me TVSH.

Pas saj renditet Granit SH.P.K., me 882,020.94 euro, ndërsa Bageri SH.P.K. ka ofertuar 894,080.13 euro.

Në garë janë edhe grupi Lika Trade- Lika Company, me ofertë prej 1,059,204.26 euro.

Grupi Benita Company -Arbotec, me 1,064,554.09 euro, si dhe grupi Capital X FET- Rahovica Company, me 1,121,549.82 euro.

Ofertat e tjera janë nga Gurëbardhi SH.P.K., me 1,246,269.74 euro, ILEAA-GR SH.P.K., me 1,324,635.77 euro, dhe Kab Holding SH.P.K., me 1,444,348.05 euro me TVSH.

Hapja e ofertave nuk nënkupton automatikisht se kompania me çmimin më të ulët do ta marrë kontratën. Ministria tani duhet t’i ekzaminojë dhe vlerësojë tenderët për të përcaktuar nëse operatorët i plotësojnë kërkesat administrative, teknike dhe kriteret e përzgjedhjes të përcaktuara në dosjen e tenderit.

Dosja e tenderit tregon se procedura e re për Lotin 3 është përgatitur më 23 korrik 2026, ndërsa afati për dorëzimin e ofertave ishte caktuar më 7 shtator.

Kështu, derisa pjesët e tjera të aksit Kijevë–Dollc kanë pasur rreth dy vjet epërsi në realizim, Loti 3 është ende në fazën e prokurimit. Pas hapjes së nëntë ofertave, mbetet të shihet sa kohë do t’i duhet Ministrisë për vlerësimin, përzgjedhjen e fituesit dhe, nëse procedura nuk përballet sërish me ankesa, nënshkrimin e kontratës dhe nisjen e punimeve. /Kujdestari.info/