Edhe pas më shumë se dy viteve e gjysmë, Ministria e Infrastrukturës nuk ka arritur të nënshkruajë një nga kontratat më të rëndësishme për zgjerimin e rrugës nacionale Kijevë–Dollc. Shkruan Kujdestari.info.
Problemi qëndron te loti i parë i projektit, për të cilin tenderi ishte hapur që në fillim të vitit 2023 për 4 lote. Por ende nuk ka arritur të finalizohet . Rasti është zvarritur në Organin Shqyrtues të Prokurimit, si pasojë e përplasjes mes kompanive garuese dhe vetë ministrisë duke e kthyer këtë proces në një precedent të pazakontë për prokurimet publike në Kosovë.
Ndërkohë, në terren situata paraqitet kontradiktore: në segmentet tjera të rrugës shihen makineri e punime, madje ministria herë pas here ka bërë thirrje që qytetarët të mos qarkullojnë në atë pjesë për shkak të minimit të rrugës, por pikërisht te segmenti i parë nuk është hapur ende asnjë lopatë dhe nuk ekziston kontratë e nënshkruar.
Pas tetë muaj vlerësim, ishin zgjedhur fituesit për tri prej katër loteve të projektit “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N9 – Segmenti Kijevë–Dollc”. Për llotin e parë, procedurat mbeten të bllokuara qe nga 2023.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës, llotet 2, 3 dhe 4 i kushtojnë buxhetit mbi 20 milionë euro në total:
- Loti 2 – Fitues konsorciumi i udhëhequr nga kompania “Empreus” Sh.P.K. nga Prishtina, me kontratë në vlerë prej 6.2 milionë euro.
- Loti 3 – Kontrata në vlerë prej 5.4 milionë euro i është dhënë konsorciumit “Lika Trade” nga Deçani dhe “Tofi Doo” nga Rozhaja e Malit të Zi.
- Loti 4 – Fitues konsorciumi i udhëhequr nga kompania “Famis Co-HC” nga Suhareka.
Sipas dosjes së tenderit, afati për përfundimin e punimeve për zgjerimin e kësaj rruge është 36 muaj.
Megjithatë, mbetet e paqartë se kur dhe nëse do të finalizohet kontrata për lotin e parë, që është edhe segmenti hyrës i projektit. /Kujdestari.info