E martë, 27 Janar, 2026

“Dy termocentrale të reja me nga 500 megavat dhe hidrocentrali i Zhurit – zgjidhja e vetme për sigurinë energjetike të Kosovës”

Ndaj

Për gjendjen aktuale elektroenergjetike në Kosovë, Lazër Krasniqi, një nga drejtorët e vlerësuar shumëvjeçarë në ish-Elektroekonominë e Kosovës (KEK-u i sotshëm), në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik, fajëson keqmenaxhimin dydekadësh nga ndërkombëtarët dhe vendorët, “me kuadro jorelevante në lëmin e energjetikës, të cilët e avancuan korrupsionin në funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës – KEK”. Krasniqi mendon se dy termocentrale të reja me nga 500 MW dhe hidrocentrali i Zhurit do të ishin zgjidhja e vetme për sigurinë energjetike të Kosovës në të ardhmen.

Lazër Krasniqi, një nga drejtorët e vlerësuar shumëvjeçarë në ish-Elektroekonominë e Kosovës (KEK-u i sotshëm), që udhëhoqi suksesshëm dhe me autoritet për vite të tëra ish-Distribucionin (1980–1990), në një intervistë të gjatë me shkrim ka folur “pa dorëza” për gjendjen aktuale në sektorin elektroenergjetik të Kosovës, shkaqet që sollën krizën energjetike dhe ka paraqitur pikëpamjet dhe vizionet e tij për sigurinë energjetike të Kosovës.
Krasniqi, i cili tani jeton në Opatija të Kroacisë, për gjendjen aktuale që në ditë të caktuara shprehet si kolaps energjetik, fajëson keqmenaxhimin në periudhën 1999–2025 nga ndërkombëtarët dhe vendorët, duke i vlerësuar kuadrot që kanë menaxhuar si “persona jo relevantë në lëmin e energjetikës, të cilët e avancuan korrupsionin në funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës – KEK”.
Sipas tij, të gjithë ata që e drejtuan sektorin e energjisë nga paslufta “kontribuan në kolapsin energjetik në Kosovë me pasoja afatgjata në zhvillimin e ekonomisë dhe duke shkaktuar trauma në jetën e popullatës së Kosovës”.
Krasniqi thotë se faktori ndërkombëtar ka korruptuar energjetikën e Kosovës, sidomos në periudhën 1999–2010, kur ka avancuar kolapsi energjetik në Kosovë. Ai përmend rastin e Xho Trashlerit, njeriu i parë në KEK nga ndërkombëtarët në këto vite, i dënuar me 3 vjet e gjysmë burg për korrupsion në KEK.
Lazër Krasniqi mendon se rekomandimet e faktorit ndërkombëtar, sidomos për të stopuar investimet në prodhimin e energjisë elektrike me qymyr, nuk kanë bazë ligjore në Kosovë. “Ata (ndërkombëtarët) kanë burime të tjera primare për prodhim të energjisë elektrike (nafta, gazi etj.) dhe kanë interesa të tjera globale në këtë drejtim”, thotë Krasniqi.
Sipas tij, në një periudhë afatgjate, e vetmja alternativë është avancimi në ndërtimin e objekteve prodhuese të energjisë elektrike nga burimet primare të Kosovës. “Dy termocentrale secila nga 500 MW të bazuara në qymyr dhe hidrocentrali i Zhurit me kapacitet 315 MW, dhe sipas mundësive financiare nga sektori privat të bëhet ndërtimi i kapaciteteve për prodhimin e energjisë së rinovueshme”, thotë në këtë intervistë Lazër Krasniqi.
Intervistën e plotë me Lazër Krasniqin mund ta lexoni në vazhdim:
Buletini Ekonomik: Z. Krasniqi, situata e sotme elektroenergjetike nga ekspertë të energjisë dhe tash edhe nga akterë institucionalë përshkruhet si para një kolapsi energjetik. Disa për gjendjen e krijuar e fajësojnë KEK-un për mungesë prodhimi dhe të tjerë KESCO-n dhe KEDS-in për mungesë të investimeve në rrjetin e shpërndarjes dhe importe të shtrenjta. Në anën tjetër, çdo vit vijnë kërkesa të reja nga operatorët për shtrenjtim të energjisë elektrike. Sipas jush, pse erdhëm në këtë gjendje, ose siç thuhet, para “kolapsit energjetik”?
Lazër Krasniqi: Kosova ka 10 887 km² territor, rreth 2 milionë banorë, disponon me resurse të energjisë primare për furnizim me energji elektrike për mbi 500 vite, me mbi 10 miliardë tonë thëngjill, sipas vlerësimeve të institucioneve relevante shkencore. Sot Kosova gjendet në kolaps energjetik, apo në kolaps të funksionimit të sistemit elektroenergjetik.
Me sistemin elektroenergjetik të Kosovës nga 1999–2025 kanë keqmenaxhuar ndërkombëtarë dhe vendorë, kryesisht persona jorelevantë në lëmin e energjetikës, duke e avancuar korrupsionin në funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës – KEK. Funksionimi optimal i sistemit elektroenergjetik të Kosovës, furnizimi i rregullt i ekonomisë dhe popullatës së Kosovës me energji elektrike, sot varet nga importi i energjisë elektrike.
Duhet përkujtuar kryeministrat e Republikës së Kosovës nga 1999–2025, z. Bajram Rexhepi, z. Ramush Haradinaj, z. Agim Çeku, z. Bajram Kosumi, z. Hashim Thaçi, z. Isa Mustafa, z. Abdullah Hoti, dhe ministrat menaxhues të energjetikës z. Ethem Çeku, zonja Justina Pula, z. Besim Beqaj, z. Fadil Ismajli, z. Blerim Kuqi, z. Valdrin Lluka, të cilët jo vetëm që nuk kanë njohuri elementare për energjetikë apo funksionimin optimal dhe eksploatimin optimal të sistemit elektroenergjetik të Kosovës, por me emërime të menaxhmenteve që keqmenaxhuan KEK-un (Fatos Aliu, Pranvera Dobruna, Fadil Ismajli, Arben Gjuka etj.), përveç jo profesionalizmit, disa edhe të korruptuar (disa, si Fadil Ismajli, janë në hetime dhe procedura gjyqësore për korrupsion, për fat të keq jo të gjithë), kanë kontribuar në kolapsin energjetik në Kosovë me pasoja afatgjata në zhvillimin e ekonomisë dhe trauma në jetën e popullatës së Kosovës.
Duhet konstatuar se faktori ndërkombëtar i korruptuar në energjetikën e Kosovës, sidomos në periudhën 1999–2010, ka avancuar kolapsin energjetik në Kosovë (Xho Trashler i dënuar me 3.5 vite burg për korrupsion në KEK).
Këtë situatë e ka trashëguar kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Artane Rizvanolli, dhe nuk po reflektojnë me suksese në menaxhimin e energjetikës dhe funksionimin optimal të sistemit elektroenergjetik të Kosovës.
Duhet konstatuar që faktori vendor, me përkrahje të faktorit ndërkombëtar, në periudhën 1999–2010, pesë herë më ka përjashtuar nga puna, edhe pse kam qenë menaxher i suksesshëm i funksionimit të sistemit elektroenergjetik në periudhën 1980–1990, me asnjë orë reduktime, dhe KEK-u eksportuesi më i avancuar i energjisë elektrike në rajon me mbi 1 miliard kWh në vit.
Duhet konstatuar se “faktori njeri është kyç në kolapsin elektroenergjetik në Kosovë dhe korrupsionin në KEK”.
Buletini Ekonomik: Z. Krasniqi, si i vlerësoni rekomandimet e fundit të G20-shit, tashmë fare të ditura rreth “Jo”-së së fortë për të investuar në energjinë e prodhuar nga qymyri? Si do t’i përballojë Kosova këto restriksione dhe përkufizime shumë sfiduese për vendin tonë, aq më parë kur dihet se edhe për shumë vjet te ne qymyri do të jetë burimi qenësor për prodhimin e energjisë elektrike?
Lazër Krasniqi: Faktori ndërkombëtar, sidomos G20 (më të pasurit), rekomandimet për mosinvestime në prodhimin e energjisë elektrike me qymyr nuk kanë bazë ligjore për të reflektuar në Kosovë. Ata kanë burime të tjera primare për prodhim të energjisë elektrike (nafta, gazi etj.) dhe kanë interesa të tjera globale në këtë drejtim. Siç dihet, Gjermania është duke u rikthyer në prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri. Kosova, tani për tani, edhe për dekada do të varet nga energjia primare, pra nga qymyri.
Buletini Ekonomik: Kemi nevoja gjithnjë në rritje për energji elektrike, konsum të shtuar sidomos gjatë dimrave dhe pikut. Në anën tjetër, gjithë këto restriksione nga bota, nga shtetet e fuqishme financiare dhe nga institucionet monetare ndërkombëtare për ta stopuar qymyrin dhe karbonin. Si do të gjendet Kosova karshi këtyre ndalesave dhe kërkesave për energji të pastër? Ku duhet të fokusohet urgjentisht Kosova e varfër?
Lazër Krasniqi: Së pari, çdo institucion financiar bankar vendor apo ndërkombëtar, për prodhim të energjisë elektrike nga burimet primare të një vendi, ka interes të lartë për financim, pavarësisht nga burimi primar – thëngjilli etj. Normalisht duhet avancuar garancione shtetërore. Prandaj nuk qëndron vlerësimi se qendrat e forta financiare apo institucionet monetare do të reflektojnë me restriksione në prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri në Kosovë. Kuptohet, duhet së pari garancione nga shteti.
Buletini Ekonomik: Çka duhet të bëjë Kosova në një periudhë afatshkurtër dhe çka në periudhë më të gjatë kohore për të pasur rrymë për konsumatorët e vet?
Lazër Krasniqi: Me konstatimin se nga viti 1985 deri më sot në Kosovë nuk kemi ndërtuar objekte serioze për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa prej vitit 1999 e deri më sot nga 300 mijë konsumatorë kemi arritur në mbi 500 mijë konsumatorë, thjesht nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni në sistemin elektroenergjetik, e kemi këtë kolaps energjetik.
Në një periudhë afatshkurtër duhet avancuar përgjegjësia e KEDS-it dhe KOSTT-it për mosrealizimin e kontratave me konsumatorët për kyçje në rrjetet e tyre dhe mosfurnizimin e rregullt me energji elektrike sipas kontratave për shitblerje dhe pëlqimeve elektroenergjetike për konsumatorë komercialë dhe amvisëri.
Çdo konsumator kontribuon me pagesë për fuqinë e angazhuar, sipas pëlqimit elektroenergjetik, dhe furnizuesi ka obligim të sigurojë fuqinë e angazhuar sipas kontratës. Pra, në një periudhë afatshkurtër, duhet definuar përgjegjësia e KEDS-it dhe KESCO-s për furnizim të rregullt të konsumatorëve me energji elektrike, sipas kontratave, pavarësisht nga prodhimi vendor apo importi.
Reduktimet e tanishme të energjisë elektrike nga KEDS dhe KOSTT si mbingarkesë në rrjetin e tyre nuk justifikohen, pasi konsumatorët kanë kontribuar financiarisht për fuqi të angazhuar me kontratë dhe të njëjtit kanë obligim që këtë ta reflektojnë në ndërtimin e rrjetit.
Buletini Ekonomik: A ka fuqi financiare Kosova që ta financojë vetë, me para vetanake deri në vitin 2050, kur nuk do të ketë më thëngjill, prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri? Apo më konkretisht, a ka Kosova potencial financiar për rehabilitimin rrënjësor të termocentraleve Kosova B dhe rindërtimin eventual të Kosovës A, apo duhet doemos, edhe në mungesë të energjisë së rinovueshme, kushtimisht për një kohë të gjatë të importojë mungesat e energjisë elektrike?
Lazër Krasniqi: Rehabilitimi i termocentraleve Kosova A dhe B është financiarisht i mbuluar nga të ardhurat e shitjes së energjisë elektrike dhe intervenimi nga shteti.
Buletini Ekonomik: Në një intervistë të mëhershme për media keni përmendur ndërtimin edhe të dy njësive të termocentralit Kosova B – Kosova B3 dhe Kosova B4, secila nga 500 MW, si dhe ndërtimin e hidrocentralit të Zhurit me kapacitet 300 MW. A e shihni këtë zgjidhjen e vetme për sigurinë energjetike të Kosovës në dekadat e ardhshme? Sipas jush, kah duhet të fokusohet me përparësi Kosova, kah rehabilitimi/ndërtimi i termokapaciteteve energjetike apo kah ndërtimi i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme?
Lazër Krasniqi: Në një periudhë më afatgjate, e vetmja alternativë është avancimi në ndërtimin e objekteve prodhuese të energjisë elektrike nga burimet primare të Kosovës. Dy termocentrale secila nga 500 MW me bazë në qymyr dhe hidrocentrali i Zhurit me kapacitet 315 MW, dhe sipas mundësive financiare nga sektori privat ndërtimi i kapaciteteve për prodhimin e energjisë së rinovueshme.
Edhe njëherë po e theksoj: faktori njeri është kryesori për zhvillimin e sistemit elektroenergjetik për një vend me pasuri të burimit primar si Kosova. Nëse vazhdohet me keqmenaxhim të funksionimit dhe eksploatimit të sistemit elektroenergjetik si deri më tani, varshmëria nga importi, në funksion të korrupsionit, do të reflektojë me kolaps energjetik në Kosovë.
Për dy vite, po ta menaxhoja sistemin elektroenergjetik të Kosovës, në një periudhë afatshkurtër do të avancoja fillimisht në eliminimin e territ dhe atë me import të kufizuar, ndërsa në një periudhë afatgjate do të shkoja me ndërtimin e objekteve elektroenergjetike nga burimi primar – qymyri.
Njëherit do të avancoja kuadra profesionale të mirëfillta në lëmin e energjetikës. Ne kemi ekspertë të shkëlqyeshëm në prodhim të qymyrit dhe energjisë elektrike, në bartje dhe distribucion, por për menaxhimin e sistemit elektroenergjetik nuk kemi ekspertë të verifikuar.
Mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet në avancimin e ligjeve për energjetikën e Kosovës, në përcaktimin e përgjegjësve në menaxhimin e funksionimit të sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe duke e shpallur inekzistente – joligjore kontratën për shitblerje të Distribucionit Elektrokosova, dhe të rikthejë energjetikën e Kosovës në një korporatë energjetike me përgjegjësi dhe interes shtetëror. Nuk shoh zgjidhje tjetër.
Buletini Ekonomik: Po burimet e tanishme të identifikuara si të mundshme të energjisë së rinovueshme, sa janë konkretisht në shifra dhe, po qe se shfrytëzohen të gjitha potencialet (turbinat e mundshme me erë, panelet solare dhe minihidrocentralet ekzistuese), sa mund të kishte prodhuar Kosova energji të rinovueshme në këto rrethana? A besoni se ka vërtet Kosova potencial për energji nga burime të ripërtëritshme?
Lazër Krasniqi: Burimet e energjisë elektrike të rinovueshme në Kosovë, me kapacitet të instaluar mbi 250 MW dhe me prodhim të energjisë elektrike nga to vetëm 2 000 orë në vit, nuk reflektojnë si zgjidhje.
Prandaj, Kosova me një territor prej 10 887 km² dhe mungesë të sipërfaqeve për bujqësi, nuk ofron potencial serioz për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme, as në aspektin e arsyeshmërisë financiare dhe as në prodhim serioz vjetor të energjisë elektrike.
Buletini Ekonomik: Pse ekziston gjithë kjo shpërputhje ndërmjet fuqisë së instaluar dhe mundësisë së prodhimit real të kapaciteteve të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme, qoftë të parqeve me erë, qoftë të centraleve solare?
Lazër Krasniqi: Shpërputhja ndërmjet fuqisë së instaluar dhe mundësisë reale të prodhimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike të ripërtëritshme është se këto burime shfrytëzimin e kanë mesatarisht 2 000 orë në vit, ndërsa viti ka 8 760 orë, prandaj prodhimi është 3.5 herë më i vogël se prodhimi nga termocentralet me qymyr, të cilat shfrytëzimin e kanë mesatarisht 7 000 orë në vit.
Do të thotë, një njësi e termocentralit Kosova B me kapacitet 330 MW prodhon 2.2 miliardë kWh, ndërsa nga solaret apo era me 330 MW kapacitet prodhimi është 660 milionë kWh, apo 3.5 herë më pak, dhe atë herë po e herë jo, varësisht nga dielli apo era.
Kështu nuk shoh perspektivë apo siguri në burimet e ripërtëritshme solare apo me erë. Por çdo realizim i tyre nga sektori privat kontribuon, por nuk është zgjidhje serioze afatgjate.
Buletini Ekonomik: A ka ndonjë shpresë për mundësinë eventuale për aktivizimin e ndonjë hidrocentrali më të fuqishëm për nga kapaciteti, apo mundësitë për ndonjë termocentral me gaz?
Lazër Krasniqi: Kosova nuk ka kapacitete serioze për ndërtimin e hidrocentraleve për prodhim të energjisë elektrike, përveç hidrocentralit të Zhurit. Ndërsa nga burimet për prodhim të energjisë elektrike nga burime primare jo vendore, si nafta, gazi etj., nuk ka garancion për furnizim të qëndrueshëm, nuk ka siguri në çmimin e tyre dhe kërkon infrastrukturë të shpërndarjes së energjisë elektrike deri te konsumatori.
Bashkëpunimi i Shqipërisë me potencialin e energjisë primare të ripërtëritshme të ujërave, solare, erës, dhe Kosovës me energji primare nga thëngjilli, duke reflektuar në një kompani energjetike të përbashkët, është alternativa e vetme në zgjidhjen afatgjate të funksionimit optimal të sistemit elektroenergjetik të Shqipërisë dhe Kosovës në furnizim të rregullt të popullatave të dy vendeve me energji elektrike.
Eventualisht, ndërtimi i një elektrane nukleare 1 000 MW në bashkëpunim Shqipëri–Kosovë është zgjidhje e mundshme për funksionimin optimal të sistemit elektroenergjetik mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Buletini Ekonomik: Krejt në fund, po i kthehemi zhvillimeve të fundit në sektorin e energjisë në Kosovë, konkretisht kërkesave të vazhdueshme për shtrenjtim të çmimit të energjisë elektrike. Si i shihni këto kërkesa nga operatorët KESCO/KEDS?
Lazër Krasniqi: Sistemi tarifor i energjisë elektrike rregullon marrëdhëniet ndërmjet prodhuesit, bartësit, shpërndarësit dhe konsumatorëve. Pas shitjes apo faljes së Distribucionit Elektrokosova nga lidershipi i Kosovës (emrat dihen) dhe faljes së hidroelektranave distributive afaristëve nga Turqia, dhe garancionit për KEDS-in për pranim të çmimit të importit, iu hap rruga KEDS-it dhe KESCO-s për kërkesa të reja për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Çmimi prej 26.3 milionë euro për shitjen e Distribucionit afaristëve nga Turqia dhe falja e hidroelektranave distributive është jo vetëm kriminale dhe korruptive, por edhe tradhti kombëtare, duke e rrezikuar sigurinë kombëtare, me mbi 500 mijë konsumatorë me shpenzim 2.5 milionë euro në ditë.
Vetëm me lidership menaxherial profesional, guximtar dhe të verifikuar do të avancohej funksionimi optimal i sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe do të tejkalohej kolapsi i tanishëm energjetik. 

Tabela e përmbajtjes [hide]

Lexo më shumë

Të tjera